Harry Bajraktari: Viti i Ri 2025 dhe kombi shqiptar!
Dua t’i uroj Kombit Shqiptar që Viti i Ri 2025 të jetë një vit suksesesh, ndryshimesh pozitive dhe begatie.
Shqiptarët do të përballen me sfida të shumta këtë vit dhe kanë nevojë për mbështetje e guxim.
Në Kosovë, shqiptarët do të përballen shumë shpejt me zgjedhjet e reja. Bëj thirrje që të mos mungojnë në votim. Kjo është mundësia që të thonë fjalën e tyre dhe të votojnë për ata politikanë të cilët kanë plane konkrete dhe janë seriozë për përmirësimin e jetës së përditshme. Të votojnë për politikanë që kujdesen që të hapin vende pune, që të zhvillojnë nivelin ekonomik të jetesës, e që punojnë që Kosova të jetë vendi i të ardhmes për fëmijët që rriten.
Dikur shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë politike – edhe ajo e votës së lirë. Tani, kur Kosova është e pavarur, e lirë dhe demokratike, mos mungoni në votime.
Zgjedhje do të mbahen këtë pranverë edhe në Shqipëri. Këtu janë veçanërisht të rëndësishme sepse vendi është kthyer praktikisht në një sistem njëpartiak. Partia Socialiste ka 12 vjet në qeveri. Ajo zotëron gati të gjithë pushtetin lokal përveç atij qendror. Biznesi i madh, administrata, akademia, e shumë institucione që duhet të ishin të pavarura nuk janë më të tilla.
Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Ka nevojë për një opozitë të fuqishme, që bashkohet dhe i ofron popullit një alternativë më të mirë, për një demokraci të vërtetë dhe një jetë më të mirë ekonomike për shumicën e njerëzve. Shqiptarët duhet të votojnë për ndryshimin.
Ky Vit i Ri, 2025, sjell edhe në Washington DC si një administratë të re, një epokë të re. Donald Trump do të jetë përsëri President në Shtëpinë e Bardhë, kurse Republikanët do të kontrollojnë si Senatin ashtu edhe Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres.
Shpresoj se shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës do të gjejnë mënyrat e duhura për të bashkëpunuar me fituesit e rinj që kanë vizion për të sjellë ndryshime të mëdha. Ky bashkëpunim ka mundësi të shtrihet në shumë fusha, ushtarake, politike, ekonomike etj.
Vetëm me mbështetjen dhe bashkëpunimin amerikan mund të mposhtim rreziqet dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia e interesat e Rusisë për destabilizim në Ballkan dhe Evropë. Përparimi ekonomik dhe i demokracisë ka gjithashtu nevojë për bashkëpunim me SHBA-në dhe aleatët tanë.
Shkatërrimet dhe vuajtjet nga lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme na kujtojnë sesa e çmuar është paqja dhe siguria. Le të jetë ky vit 2025, një vit i paqes dhe qetësisë.
Një nga synimet e Kosovës këtë vit duhet të jetë anëtarësimi në NATO. Shumica e energjive në fushën diplomatike dhe të sigurisë duhet të përqendrohen te ky synim. Me administratën e re këtë vit në Washington, shfaqet edhe një mundësi e re.
Komuniteti shqiptar në SHBA me lidhjet e tij në Washington, me lobimin e tij, do të ndihmojë që Kosova të ecë përpara drejt këtij synimi politik vendimtar për sigurinë e saj. NATO duhet të jetë synimi. Komuniteti vazhdojë të jetë një urë lidhëse, një mbështetës i fuqishëm i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Në sfidat që vijnë me këtë vit të ri, ka rëndësi që të kemi maturi dhe guxim për të marrë vendimet e duhura. Unë jam optimist për aftësitë e shqiptarëve.
Gëzuar Vitin e Ri 2025!
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!
Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.