Albspirit

Media/News/Publishing

Taip Sulko: Romani “I arratisuri”, një ngjarje e rëndësishme për mua në 2024

Të dashur miq,

Fundi i dhjetorit ndonjëherë të shtyn fort të mendosh dhe flasësh për vitin që po mbyllet. Kështu jam edhe unë këtë vit. Veç të tjerash, ky mot më solli një ngjarje të rëndësishme sikurse ishte botimi i romanit “I arratisuri”. Ky libër është pritur shumë mirë nga lexuesit dhe kritika letrare.

Ndjej se duhet të bëj një përmbledhje të shkurtër dhe të shpreh mirënjohjen time.

Së pari dua të shpreh falenderimet e mia të përzemërta për Botimet Naimi dhe drejtuesin e saj Naim Zoto për punën e shkëlqyer dhe profesionalizmin e lartë.

Në llogarinë e shtëpisë botuese që drejton, N. Zoto botoi shënimin “Një sagë tjetër myzeqare i shtohet letërsisë shqiptare”.

Një falenderim i veçantë i takon shkrimtarit dhe mikut tim, Çerçiz Loloçi recenzent, i cili ishte i pari që shkroi për këtë libër dhe e ka mbështetur atë në çdo hap. Shkrimi i Ç. Loloçit “Fatet njerëzore në sagën myzeqare të Taip Sulkos”, pasi u botua në portalin Alb-Spirit, në datë 22.06.2024 u botua edhe në gazetën “Fjala”.

Në këtë fundviti dëshiroj po kështu të falenderoj revistën Flas Shqip dhe botuesin e saj, mikun tim Taulant Dedja, i cili në datë 23 qershor 2024, menjëherë pas botimit të romanit “I arratisuri”, botoi një artikull të zgjeruar në të cilin përfshiu edhe shkrimet e saposhpërndara të Çerçiz Loloçit dhe Naim Zotos.

Në datë 26 korrik romani “I arratisuri” mori një vlerësim interesant nga poeti dhe shkrimtari i shquar Visar Zhiti që u pasua nga një vlerësim po kaq befasues nga shkrimtari i mirënjohur Virion Graçi.

Më 22 shtator, kritiku i artit, shkrimtari dhe publicisti Miho Gjini botoi së pari në portalin Alb-Spirit dhe më pas në gazetën Dielli, The Sun, të ShBA, shkrimin “Një roman kaotik për gjendjen kaotike”. Mirënjohje për z.Miho Gjini! dhe për Gazetën Dielli!

Një befasim i këndshëm ishte sidomos botimi në datë 8 tetor i shënimeve të shkrimtarit dhe eseistit të shquar të letrave shqipe Lazër Stani. Si gjithnjë, Lazri me pak fjalë thotë shumë. Kështu bëri edhe me romanin “I arratisuri”. Shënimi-analizë i L. Stanit u botua në portalin Alb-Spirit të Çerçiz Loloçit. Mirënjohje Lazër!

Në 12 tetor 2024, u botua në gazetën Fjala e Lirë shkrimi studimor “Gjeratorja e sagës së rrëfimit për vete dhe të tjerë”, i poetes dhe studiueses Emi Krosi. Një shikim tjetër, një trajtim i mirëfilltë prej studiueseje! Mirënjohje për Emin dhe botuesin e Fjala e Lirë, Fatmir Terziu!

Një ditë më vonë, në 13 tetor, shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur, Naun Kule botoi shqyrtimin kritik “I arratisuri” i Taip Sulkos-një roman ndryshe”. Një shikim tërësor i këtij romani nga një njeri i dijes dhe i letrave, por edhe njohës i rrallë i trevës e mjediseve myzeqare! Shkrimi u botua në datë 15 tetor në portalin Alb-Spirit nga Çerçiz Loloçi dhe në datë 18 tetor në Flas Shqip nga Taulant Dedja.

Një befasim i mirëpritur erdhi në datë 12 nëntor kur poeti krejt i veçantë dhe kritiku i njohur Nuri Plaku botoi në gazetën Fjala e Lirë një analizë te plotë për romanin “I arratisuri” me titullin “Disa tipare strukturoe në roman”. Eshte rasti të falenderoj e t’ju uroj suksese N. Plakut dhe F. Terziut!

Në 14 nëntor 2024, shkrimi befasues i Nuri Plakut u botua në Alb-Spirit të Çerçiz Loloçit me titullin “Talent i spikatur dhe finesë artistike në romanin e Taip Sulkos”.

Thuhet se gjërat e mira tërheqin njëra-tjetrën! Më 13 nëntor, poetja e mirënjohur, mikja ime, Lola Shehi botoi në Fjala e lirë të Fatmir Terziut një shkrim tepër interesant, me nëntitullin domethënës “Mbresa dhe opinione për një roman dhe një autor që më kujtoi fëmijërinë dhe rininë time”.

Po ky shkrim u botua edhe tek Alb-Spirit, me drejtor Çerçiz Loloçin.

Në 13-17 nëntor 2024 u mbajt në Tiranë Panairi vjetor i Librit. Romani “I arratisuri” ishte i pranishëm në stendën e Shtëpisë Botuese dhe Studios Letratre Naimi, me drejtues Naim Zoto.

Më 18 nëntor, Flas Shqip botoi shkrimin e Nuri Plakut nën titullin “Disa tipare strukturore në romanin e Taip Sulkos “I arratisuri”.

Një ditë më pas, më 19 nëntor, shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur nga Maqedonia e Veriut, Zekeria Idrizi, botoi në Letërsia Moderne shkrimin “Depërtim i thellë në botën letrare të krijuesve shqiptarë”, në të cilin, ndër të tjera, flitet edhe për jehonën që ka pasur romani “I arratisuri”.

Dita e 23 nëntorit solli një vlerësimin tëpër të veçantë për romanin “I arratisuri” . Poeti, shkrimtari dhe gazetari i mirënjohur Ndue Dedaj botoi në Alb-Spirit analizën “Romani i njerëzve me shpirt të lirë”. Në analizën e N. Dedaj u mirëprit shqyrtimi i thellë kritiko-letrar si dhe vënia në pah të disa risive të romanit “I arratisuri”.

Dëshiroj të ve në pah se gazeta “Panorama”, më e madhja e përditshme e Shqipërisë, në 4 dhjetor 2024, në dy faqe të plota, të shoqëruar edhe me foto interesante, ribotoi shkrimin e Ndue Dedajt, me nëntitullin kuptimplotë “Rrëfimtar i një bote ‘magjike’ në arealin myzeqar nga Tomori në Ardenicë”. Mirënjohje për gazetën Panorama!

Më 5 dhjetor, po ky shkrim mbresëlënës i Ndue Dedaj u shpërnda (me titull dhe nëntitull të përkthyer në disa gjuhë të huaja) edhe nga Bota Sot News. Falenderimet e mia të veçanta për Bota Sot News!

Në 6 dhjetor, shkrimi i Ndue Dedajt u botua edhe nga Flas Ship.

Në 30 nëntor-1 dhjetor 2024, nën kujdesin e ACDA, në Toronto u mbajt Panairi i Librit, Albanian Book Fest, një ngjarje e rëndësishme kulturore, ku romani “I Arratisuri” zuri vend mes librave të autorëve shqiptaro-kanadezë. Në këtë panair, unë isha kontribues në panelin “Frymë përtej detit – sfida dhe përparësi të krijuesit jashtë vendlindjes”, së bashku me kolegët Arben Kallamata dhe Faruk Myrtaj. Biseda u drejtua nga gazetari i mirënjohur Genc Tirana. Në panel pata mundësi të flas shkurt edhe romanin tim “I arratisuri”.

Ky vit u mbyll me një befasim të bukur në lidhje me romanin “I arratisuri”. Më 14 dhjetor u botuan shënimet e Prof. Anila Omari për këtë libër. Ato shënime ishin vlerësimi i parë profesional, por që kishin mbetur të pabotuar për disa muaj. Sigurisht që analizave të tilla kurrë nuk iu ikën koha. Nderimet e mia dhe mirënjohje për Prof. Anila Omari!

Pritja e ngrohtë nga lexuesit dhe analizat e vlerësimet e shumta të përfaqësuesve të mirënjohur të letërsisë dhe artit, e kanë kthyer botimin e romanit “I arratisuri”, në një ngjarje të rëndësishme të vitit 2024 për mua.

Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time të thellë për vëmendjen e treguar, sidomos për shqyrtimet dhe analizat e jashtëzakonshme dhe me një nivel tepër të lartë profesional!

Mirënjohje për ju, miqtë e mi! Gëzuar 2025!

Post Scriptum: Disa nga shkrimet për romanin tim i gjeni në linkun e mëposhtëm:

Please follow and like us: