Udhëheqës botërorë për vdekjen e ish Presidentit Carter
Jimmy Carter, presidenti i 39 i SHBA është një nga presidentët amerikanë, i angazhuar për sigurinë e shqiptarëve dhe Kosovës gjatë kohës së detyrës, por edhe pas saj. Carter është gjithashtu një nga presidentët e paktë amerikanë që ka vizituar Shqipërinë, pas lënies së presidencës. Carter ka vizituar Shqipërinë në shtator 1993. Lajmi u publikua gjerësisht në mediat ndërkombëtare për rëndësinë që kjo vizitë kishte për Kosovën dhe sigurinë e Ballkanit.
Udhëheqës botërorë dhe politikanë amerikanë reaguan ndaj vdekjes në moshën 100-vjeçare të ish Presidentit amerikan Jimmy Carter, i cili gjatë mandatit të tij ndërmjetësoi marrëveshjen e paqes mes Izraelit dhe Egjiptit dhe më vonë mori çmimin Nobel për Paqen për punën e tij humanitare.
PRESIDENTI JOE BIDEN DHE ZONJA E PARË JILL BIDEN
“Sot, Amerika dhe bota humbën një udhëheqës, burrë shteti dhe aktivist të jashtëzakonshëm humanitar. Mbi gjashtë dekada, ne patëm nderin ta kishim ish-Presidentin Jimmy Carter një mik të dashur. Por, ajo që është e jashtëzakonshme për Carterin, megjithatë, është se miliona njerëz në të gjithë Amerikën dhe në të gjithë botën, që nuk e kanë takuar kurrë, e konsideronin atë një mik të dashur”.
NËNPRESIDENTJA KAMALA HARRIS
“Presidenti Jimmy Carter kishte besim të thellë dhe të qëndrueshëm tek Zoti, Amerika dhe njerëzimi. Jeta e Jimmy Carter-it është një dëshmi e fuqisë së shërbimit si toger në Marinën e Shteteve të Bashkuara, Guvernator i 76-të i Xhorxhias dhe President i 39-të i Shteteve të Bashkuara. Ai u kujtoi vendit tonë dhe botës se ka forcë në mirësi dhe dhembshuri”.
PRESIDENTI I ZGJEDHUR DONALD TRUMP
“Sfidat me të cilat u përball Jimmy si President erdhën në një moment kyç për vendin tonë dhe ai bëri gjithçka që ishte në fuqinë e tij për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve. Për këtë, ne të gjithë duhet të jemi mirënjohës. Melania dhe unë jemi pranë familjes Carter dhe të dashurve të tyre gjatë kësaj kohe të vështirë. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i mbajnë ata në zemrat dhe lutjet e tyre”.
ISH PRESIDENTI GEORGE W. BUSH
“Laura dhe unë dërgojmë ngushëllimet tona të përzemërta për Jack, Chip, Jeff, Amy dhe gjithë familjen Carter. James Earl Carter, Jr., ishte një njeri me bindje të thella. Ai ishte besnik ndaj familjes, komunitetit dhe vendit të tij. Presidenti Carter e nderoi zyrën ovale. Dhe përpjekjet e tij për të lënë pas një botë më të mirë nuk u ndalën me përfundimin e presidencës së tij. Puna e tij me organizatën ‘Habitat for Humanity’ dhe Qendrën Carter dha një shembull shërbimi që do të frymëzojë brezat e ardhshëm të amerikanëve”.
ISH PRESIDENTI BILL CLINTON DHE ISH SEKRETARJA E SHTETIT HILLARY CLINTON
“Nga angazhimi i tij për të drejtat civile si senator dhe guvernator i Xhorxhias deri tek përpjekjet e tij si President për të mbrojtur burimet tona natyrore në Arktik, mbrojtjen e burimeve të energjisë, kthimin e kontrollit të Kanalit të Panamasë në duar e qeverisë së Panamasë dhe ndërmjetësimin e marrëveshjes së paqes mes Egjiptit dhe Izraelit në Camp David, përpjekjet e tij post-presidenciale në Qendrën Carter për të mbështetur zgjedhjet e ndershme, për të avancuar paqen, për të luftuar sëmundjet dhe për të përhapur demokracinë, përkushtimin në organizatën “Habitat for Humanity”, ai punoi pa u lodhur për një botë më të mirë dhe më të drejtë”.
PRESIDENTI KINEZ XI JINPING
“Ish-presidenti Carter ishte forca shtytëse pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe dha kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-SHBA dhe shkëmbimet miqësore dhe bashkëpunimin midis dy vendeve”, citon agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua. Zoti Xi tha në një mesazh dërguar Presidentit Biden se shprehte ‘ngushëllimet e tij të thella’ për vdekjen e ish Presidentit Carter.
KOMITETI I ÇMIMIT NOBEL TË PAQES
“Ish Presidenti i Shteteve të Bashkuara Jimmy Carter duhet të vlerësohet për “përpjekjet e tij të palodhura me dekada” për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare dhe për të avancuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut, tha organi që jep çmimin Nobel për paqen.
Vepra e tij “do të mbahet mend edhe për 100 vite të tjera”.
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I OKB-SË ANTONIO GUTERRES
“Udhëheqja e Presidentit Carter kontribuoi ndjeshëm në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjet historike të Paqes në Camp David, Traktatin për kufizimin e armëve strategjike, “SALT II” dhe Traktatin e Kanalit të Panamasë. Ai luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e konflikteve, monitorimin e zgjedhjeve, promovimin e demokracisë dhe parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve. Këto dhe përpjekje të tjera i dhanë atij Çmimin Nobel për Paqen në 2002 dhe ndihmuan në avancimin e punës së Kombeve të Bashkuara. Presidenti Carter do të mbahet mend për solidaritetin e tij për të pambrojturit, hirin e tij të qëndrueshëm dhe besimin e tij të paepur në të mirën e përbashkët të njerëzimit”.
PRESIDENTI EGJIPTIT ABDEL FATTAH AL-SISI
“Në këtë moment dhimbjeje, i shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjes së ish Presidentit amerikan Jimmy Carter, si dhe Presidentit dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli i tij domethënës në arritjen e marrëveshjes së paqes midis Egjiptit dhe Izraelit do të mbetet në histori dhe puna e tij humanitare ilustron një standard të lartë dashurie, paqeje dhe vëllazërie. Trashëgimia e tij e qëndrueshme siguron që ai do të mbahet mend si një nga udhëheqësit më të shquar në botë në shërbim të njerëzimit”.
KRYEMINISTRI INDIAN NARENDRA MODI
“Jam thellësisht i pikëlluar për vdekjen e ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara Jimmy Carter. Një burrë shteti me vizion të madh, ai punoi pa u lodhur për paqen dhe harmoninë globale. Kontributet e tij në nxitjen e lidhjeve të forta Indi-SHBA lënë një trashëgimi të qëndrueshme. Ngushëllimet e mia të përzemërta familjes së tij , miqve dhe popullit amerikan”.
KANCELARI GJERMAN OLAF SCHOLZ
“Shtetet e Bashkuara kanë humbur një luftëtar të përkushtuar të demokracisë. Bota ka humbur një ndërmjetës të madh të paqes në Lindjen e Mesme dhe një aktivist të fortë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.
PRESIDENTI I AFRIKËS SË JUGUT CYRIL RAMAPHOSA
“Jam thellësisht i pikëlluar për vdekjen e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter, të cilin e kujtojmë si një udhëheqës të shquar, të dhembshur dhe kampion të të drejtave të njeriut dhe paqes në mbarë botën. Jimmy Carter ishte një kritik i hapur i shtetit të aparteidit në një kohë kur regjimi po përpiqej të përshtatej me ekonomitë me ndikim në mbarë botën dhe të justifikonte politikat e tij çnjerëzore”.
KRYEMINISTRI I HUNGARISË VIKTOR ORBAN
“Kujtimi për Presidentin Jimmy Carter do të jetë gjithmonë i dashur në Hungari. Duke ia kthyer Kurorën e Shenjtë popullit të Hungarisë në fund të viteve ’70, ai u dha shpresë hungarezëve liridashës në një kohë të pashpresë”.
SEKRETARI I SHTETIT ANTONY BLINKEN
“Gjatë dekadave të shërbimit publik, Presidenti Carter mishëroi integritetin, dhembshurinë dhe një angazhim për të avancuar lirinë, sigurinë dhe mirëqenien e të tjerëve. Ai e zbatoi këtë frymë në politikën e tij të jashtme, nga negociatat për kthimin e Kanalit të Panamasë nën kontrollin e qeverisë së Panamasë deri tek arritja e marrëveshjeve për kontrollin e armëve me Bashkimin Sovjetik…”.
MBRETI I BRITANISË CHARLES
“Me pikëllim të madh mësova për vdekjen e ish Presidentit Carter. Ai ishte një nëpunës publik i përkushtuar dhe ia kushtoi jetën promovimit të paqes dhe të drejtave të njeriut. Përkushtimi dhe përulësia e tij shërbyen si frymëzim për shumë njerëz dhe e kujtoj me shumë dashuri vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1977”.
KRYEMINISTRI I KANADASË JUSTIN TRUDEAU
“Trashëgimia e ish Presidentit Jimmy Carter është dhembshuria, mirësia, ndjeshmëria dhe puna e palodhur. Ai u shërbeu të tjerëve si në vend ashtu edhe në mbarë botën gjatë gjithë jetës së tij. Kjo i pëlqente atij. Ai ishte gjithmonë i zhytur në mendime dhe bujar me këshillat e tij për mua”.
PRESIDENTI I PANAMASË JOSE RAUL MULINO
“Unë i ofroj ngushëllimet e mia familjes, popullit dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara për vdekjen e ish Presidentit Jimmy Carter. Puna e tij në Shtëpinë e Bardhë u shënua nga periudha të vështira dhe ishte vendimtare për Panamanë në negociatat për nënshkrimin e Traktatit të vitit 1977 për transferimin e kontrollit të Kanalit të Panamasë në duart e qeverisë së vendit tonë sovran”.
QEVERIA E PRESIDENTIT TË VENEZUELËS NICOLAS MADURO
“Ish-presidenti Carter ishte një njeri me përkushtim të dëshmuar për paqen dhe dialogun. Kontributet e tij në politikën globale dhe përkushtimi i tij ndaj paqes kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në botë”.
PRESIDENTI I FRANCËS EMMANUEL MACRON
“Gjatë gjithë jetës së tij, Jimmy Carter ka qenë një mbështetës i palëkundur i të drejtave të njerëzve më të pambrojtur dhe ka luftuar pa pushim për paqen. Franca i dërgon mendimet e saj të përzemërta familjes së tij dhe popullit amerikan”.
KRYEMINISTRI I AUSTRALISË ANTHONY ALBANESE
“Presidenti Carter u ngrit nga fillime modeste për të lënë një trashëgimi të shquar. Përtej zgjedhjes në postin e Presidentit dhe marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, trashëgimia e Jimmy Carter-it matet më së miri me jetë të ndryshuara, të shpëtuara dhe të ngritura”.
NËNPRESIDENTI I ZGJEDHUR JD VANCE
“Jimmy Carter përkushtoi jetën e tij në shërbim të këtij vendi. Mendimet dhe lutjet tona janë me të dashurit e tij. U preftë në paqe”.
PRESIDENTI I UKRAINËS VOLODYMYR ZELENSKIY
“Ne i shprehim ngushëllimet tona të përzemërta popullit amerikan dhe familjes së ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara Jimmy Carter për vdekjen e tij. Ai ishte një udhëheqës që shërbeu gjatë një kohe kur Ukraina nuk ishte ende e pavarur, megjithatë zemra e tij qëndroi fort me ne në luftën tonë për liri. Ai ia kushtoi jetën e tij promovimit të paqes në botë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Sot, le të kujtojmë: paqja ka rëndësi dhe bota duhet të qëndrojë e bashkuar kundër atyre që kërcënojnë këto vlera”.
PRESIDENTI I KUBËS MIGUEL DIAZ-CANEL
“Ngushëllime popullit dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara, dhe veçanërisht familjes së Presidentit James Carter. Populli ynë kujton me mirënjohje përpjekjet e tij për marrëdhënie më të mira, vizitat e tij në Kubë dhe shprehjen e tij në favor të lirimit të pesë banorëve tanë (të cilët ishin të akuzuar për spiunazh)”.
UDHËHEQËSI I SHUMICËS NË SENAT CHUCK SCHUMER
“Sot, ne vajtojmë humbjen e një prej nëpunësve tanë publikë më të përulur dhe më të përkushtuar, Presidentit Jimmy Carter. Presidenti Carter personifikoi kuptimin e vërtetë të udhëheqjes përmes shërbimit, përmes dhembshurisë dhe integritetit”.
KRYEMINISTRI I BRITANISË KEIR STARMER
“Më erdhi shumë keq kur dëgjova për vdekjen e Presidentit Carter dhe do të doja të vlerësoja dekadat e tij të shërbimit publik vetëmohues… I motivuar nga besimi dhe vlerat e tij të forta, Presidenti Carter ripërcaktoi post-presidencën me një përkushtim të jashtëzakonshëm për drejtësinë sociale dhe të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë vendit”.
SENATORI MITCH MCCONNELL
“Presidenti Carter shërbeu në kohë tensioni dhe pasigurie, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Por shpirti i tij i qetë dhe besimi i thellë dukeshin të palëkundur. Jimmy Carter shërbeu si komandanti ynë i përgjithshëm për katër vjet, por ai shërbeu si një njeri i dashur, mësues i thjeshtë i shkollës në Kishën Baptiste Maranatha në Plains të Xhorxhias për dyzet vjet. Përkushtimi i tij i përulur na lë pak dyshime se cilin nga këto dy role të rëndësishme ai i vlerësoi më shumë”.
KRYETARI I DHOMËS SË PËRFAQËSUESVE MIKE JOHNSON
“Sot, mendimet e amerikanëve dhe lutjet e Kongresit janë për familjen Carter. Historia e Presidentit Carter u shënua me një nga fillimet modeste dhe jeta e tij është një dëshmi e mundësive të pakufishme që ekzistojnë në këtë vend të madh. Për shkak të punës së tij në ndërmjetësimin e Marrëveshjeve të Paqes në Camp David dhe angazhimit të tij me organizatën ‘Habitat for Humanity’, bota është një më paqësore dhe më shumë amerikanë janë me shtëpi. Askush nuk mund të mohojë që Presidenti Carter bëri një jetë të jashtëzakonshme në shërbim të vendit të tij”.