Zana Tako: Fundviti
Luajmë me jetën si luan fëmija me lodrat e tij. Lodrat prishen e hidhen tutje, por jeta nuk është lodër për t’u hedhur e shpërdoruar.
Një fjalë e rëndë është si krahu i thyer i një kukulle. Një zënkë pa shkak është si një karrocë e thyer më dysh.
Një rrahje është si një zhgaravinë që nuk pastrohet.
Zemërimi, inati, fyerja, janë si lodra të shpërdoruara hedhur andej-këtej, e ne, fëmijë të rritur në jetë, ende nuk kuptojmë, se gjithçka prishet e nuk kthehet më si më parë.
Por mund të fillojmë një ditë të re, një emocion të ri, të prodhojmë një ndjenjë të re, të zëvendësojmë fjalët e hidhura me ato të dashurisë, të zëvendësojmë inatin, zemërimin me përqafimin, ngrohtësinë, të cilat na rrisin e mençurojnë, na urtojnë për ta jetuar jetën me nektarin e dashurisë.
E keqja nuk e zëvendëson dot dashurinë. I ligu nuk na e do të mirën. Por sa e mbajmë dashurinë brenda vetes? Na duket se është më mirë të luftojmë me njeri-tjetrin se sa të duhemi. Na duket se është më mirë të jemi zemërakë se sa të respektojmë njeri-tjetrin, ligje këto të njeriut, të cilat respektohen nga uni që ka hedhur rrënjë e nuk shkulet nga shpirti njerëzor.
Dashurinë njeriu po e lufton me unin e tij, i cili është pajisur me arsenalin e modalitetit modern, ku zë vend vulgariteti dhe jo modestia, ku luftohet ndershmëria dhe i ngrihet kult fallsitetit, hipokrizisë, thënë ndryshe, gjithçka bajate serviret si e ngrënshme dhe me shije.
Mburremi por nuk duhemi. Mburrja shfaqet në fjalor, në mendim, në sjellje, në artikulacion, nuk fshihet se nuk është e mençur, bën paradën e rradhës për t’u parë e për t’u ndjekur. Nuk ka turp se nuk e njeh për të tillë. Nuk ka gjymtyrë, por bëhet gjymtyrë e mendimit, duke e bërë njeriun të sillet si klloun për të argëtuar të keqen që qesh e vë në lojë njeriun, krijesën e pamend që ka lënë mënjanë mësimin e diturisë, të ligjeve të krijimit.
Sasia e mburrjes dhe e hipokrizisë njerëzore është e barazvlefshme me bollëkun e jashtëqitjes që prodhon ky lloj edukimi. Jashtëqitja nuk shquhet për aromë të mirë, prandaj sa herë mburraveci, lajkatari, zemëraku, inatçori prodhojnë jashtëqitje, i mençuri largohet për të mos u ndotur, jo për të injoruar mburravecin e me rradhë, por për respekt të dijes, të mençurisë që ushqen vlerat njerëzore.
Jeta nuk është një pusetë e madhe ku mund të ndotin të paudhët, por jeta është një livadh i bukur me lule shumë, ku ngjyra e dashurisë është ajo që i dhuron gëzim krijimit.
Uroj që ky vit, miqtë e mi, të lulëzojë nga dashuria, respekti dhe mirënjohja ndaj njeri-tjetrit, nga ndershmëria dhe drejtësia, boshte ku mbështetesh pa patur frikë se rrëzohesh.
Gëzuar! Qofshi të bekuar mot e jetë!