Alfons Zeneli: Pergamenë dimërore
Viti i Ri kollitet në tjetër hapësirë,
harrohet a ngecet mbi bredhin që bredh.
Tingujt e gëzueshëm si njeri prej bore
kan` ngrirë në oborrin e këngës përtej.
*
Me lodra plastike, por të rënda plumb
arratisen pemët pyjeve të tjerë
e tash s’ka kush qan me kryqe në dorë
mbi këngën, epitafet dhe cungjet e prerë.
*
Dhe mbushen gëzimet me gjakun jeshil
dhe thyhen nga “bromp”-et e kësaj mesnate
dhe dridhen të zbehta pemët nëpër trupa
të prera nga ah-et e ndrydhur ndër fate.
*
Unë isha udha- ai trok i egër
i ëndrrës së djegur, heshtur, paarrirë.
Nuk jam i trishtuar, gëzim kam mbi bredh….
Viti i Ri kollitet në tjetër hapësirë.
Please follow and like us: