Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Kosova në fund të vitit 2024

Albin Kurti në fund të një vitit tepër të rëndë për Kosovën, flet si njeri i përhumbur, kurse gjuha e tij ka tipare tautologjike, të një njeriu që në katandisje të madhe, flet për mrekulli, në terr të madh, flet për dritë, në një kohë izolimi të plotë, flet për hapje, në një kohë zymtësie e stagnimi të frikshëm, flet për përparim e rritje marramendëse ekonomike.

Pra, Kurtit i duhet një dozë e realitetetit, dhe këtë, tashmë duket qartë që ai nuk ka ku ta merr në taborrin e tij të mbushur me palaço e budallenj, që janë të gatshëm të psikasin “fluturon gomari”, sa herë iu thotë i pari kështu.

Kurse dialogun e mendimin ndryshe, ai nuk e njeh, gjë të cilën e shpërfaq me arrogancë, prandaj, përditë shpall armiq dhe ata që kanë sadopak njohuri për fenomenin e ideologjive ekstremiste, e kupton lehtësisht dëshirën e tij të vërtetë politike.

Intervistat e tij të këtij fundviti, pra, tregojnë një njeri të përhumbur, një njeri që nuk ka lidhje me realitetin, një njeri që pos vizionit për pushtet e propagandë shtetërore, nuk ka vizion tjetër, prandaj me arrogancë e shpërfill çdo fakt.

Dhe më tragjikja, mendimet e qëndrimet e tij, janë në kundërshti me frymën demokracisë perëndimore e nuk kanë lidhje me tolerancën, solidaritetin e mendimin alternativ.

Pra, ligjërimi i tij i cekët ka tiparet e qarta të një njeriu që do pushtet absolut, rreshtim në një drejtim, për të vendosë gjoja drejtësi absolute, sipas modeleve të mirënjohura autoritare.

E drejtësia absolute, kur predikohet prej politike, me afsh e urrejtje ndaj mendimet ndryehe, është padrejtësi absolute, që shkreton një shoqëri.

Kurti vetëlavdërohet dhe nuk çan kokën për të vërtetën, sepse, ai ka krijuar një indiferencë të frikshme kundrejt të vërtetës, nuk njeh konceptin fajit, të pendimit e as të përgjegjësisë, prandaj për secilin dështim ka një sërë justifikimesh nga më vullgaret: fajin e ka opozita, mediat, Gjykata Kushtetuese, sekretari amerikan naiv, dreqi e i biri, por kurrë ai e as qeveria e tij e stërmbushur me afera e injorancë. Ai e predikon veten si të pagabueshëm e të panjollë, nën kombët e së cilit i sheh të përulen të gjithë.

Vendi ynë ka nevojë për demokraci perëndimore si për diell, ujë e ajër, prandaj, në këtë fundvit, urojmë që të mbarojë epoka e dokrrave patriotike dhe e egërsisë politike, në mënyrë që vendi t’i kthehet normalitetit.

Sepse, një vend nën sanksione të Amerikës e të Europës, është një vend jonormal, me anomali të shumta, të cilat duhet të shërohen e jo të mirëmbahen.

Sepse, sa herë në trojet tona mungon perëndimi, ka tragjedi e tharje të jetës, për çka kemi argumente pafund.

Please follow and like us: