Astrit Lulushi: “Fjalor i Fotografisë” i Vrionit, një fjalor drite
Jo më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, një aparat fotografik ishte send tepër i rrallë, krahas njeriut të lirë apo pas automobilit privat i cili nuk ekzistonte. Sot, është e tepërt të thuhet se fotografia konvencionale dhe ajo dixhitale, kanë hyrë kudo. Dhe një fjalor teknik për të shpjeguar sa më shumë fjalë të terminologjisë së fotografise, shqipes i duhej.
Ky fjalor i lypur vjen nga Qerim Vrioni, studiues dhe gjurmues, mbledhës i fotografisë shqiptare, nxjerrës në dritë i figurave të saj;me librat e tij si “Fotografia një grusht Diell” apo “150 vjet fotografi shqiptare”. Synimi e fjalorit, i çdo fjalori është sa maksimalist dhe minimalist; “Fjalori” i Vrionit është edhe përparësor (mbi të dyja), sepse kalon nëpër një udhë të pashkelur; mbulon rreth 600 fjalë (jo pak për një fjalor zhargon) të fenomenit të artit fotografik dhe nëse lexohet faqe –pas-faqe mëson mbi procesin e prodhimit të një objekti nëpërmjet veprimit të dritës, rrezatimit apo ndjeshmërisë së saj, ku drita lë gjurmë, gdhend “foto-grafi” “gjurmë-drite”, ky është kuptimi në shqip.
“Fjalor i fotografisë” dixhitale dhe konvencionale i Qerim Vrioni është udhëzues i rëndësishëm për studentë e profesionistë njësoj, sepse në këto kohëra zhvillimesh të vrullshme teknologjike, dhe vende pa kufij të mbyllur, fotografi sado me përvojë në profesionin, bëhet brenda natës, i ri a student.
Fjalori (176 faqe) është referencë e shkëlqyer, plot përkufizime të termave dhe njohuri në zgjidhjen e problemeve gjatë përdorimit të një aparati ose kamera dixhitale për të fotografuar dhe retushuar në mënyrë dixhitale.
Fjalori i Vrionit është i llojit bifokal, sheh larg dhe afër, maksimalist dhe minimalist, ndërsa përpiqet të mbulojë një pjesë të terminologjisë përkatëse. Fjalori i Vrionit është herë-herë një gjuhësh, dy gjuhësh, sqarues, analizues, i plotë, biografik, ku përdoruesit mund të kuptojnë tekstet teknike në shqip a të përkthyera dhe të prodhojë tekste të reja. Bibliografia e pasur tregon se autori ka kryer kërkime disa vjeçare, siç e thotë edhe vetë, në biblioteka të shumta si në Amerikë edhe në Europë e Shqipëri.
Gjuha shqipe është e re në të shkruar; alfabeti i saj i njësuar u miratua rreth 105 vjet nga Kongresi i Manastirit; historia e fjalorëve të saj është thuajse njësoj në moshë; ndërsa ajo e fjalorëve teknikë është thuajse e re. Qerim Vrioni me Fjalorin e tij të Fotografisë të kujton amerikanin Noa Webster kur në vitin 1806 botoi një Fjalor të përmbledhur i gjuhës angleze me jo më shumë se 20 mijë fjalë; sot Fjalori ka mbi 150-mijë fjalë e shprehje dhe vazhdon të botohet me të njëjtin emër, Webster’s Dictionary. Me kalimin e viteve, për hir të shqipes, të njëjtin fat urojmë të ketë edhe Fjalori i Vrionit
Falemnderit Z. Lulushi për këtë shkrim informues dhe ndriçues. Pa dyshim që do të mësojmë shumë nga Fjalori Vrioni.
Për autorin Z. Qerim Vrioni, nji koleg që meriton mirënjohjen tonë, kam vetëm lëvdata për punën e palodhshme që ka ba dhe vazhdon të baj, në lamin e fotografisë. Figura të harrueme pa të drejtë janë ngritë në piedestalin që meritojnë, falë punës dhe kujdesit të Z. Vrioni.
Për këtë, ne, të gjithë duhet të jemi mirënjohës.
Gëzuar Vitin e Ri!
Sami Repishti.
https://www.zeriamerikes.com/a/fjalor-i-fotigrafis-qerim-vrioni/1821445.html