Dr. Agron Abrashi: Kombi shqiptar është mbi gjithçka
Në aktivitetin tim 27-vjeçar si mjek në Zvicër, kam mjaft pacientë nga gjitha viset e Kosovës dhe trevat tona shqiptare. Shumica prej tyre e ndajnë brengën dhe frikën e manipulimit të votave, andaj edhe ata do fluturojnë enkas për të dhënë verdiktin e sovranit.
Në këtë periudhë të gjatë, 43 vjeçare të jetës dhe veprimtarisë së gjërë në organizata humanitare dhe realizimin e shumë projekteve në dobi të Republikës së Kosovës dhe mbarë trevave shqiptare, jam zhgënjyar vazhdimisht nga mospërfillja e diasporës si një element qenësor dhe jetik për Kosovën e gjetiu dhe nga diskursi zhvëllimor, ekonomik, politik, shëndetësor dhe arsimor, pas luftës së lavdishëme dhe lirimit definitiv nga Serbia.
Të gjithë ne, filluam të marrim frymë lirisht dhe të ëndërrojmë për një Kosovë të lirë, demokratike dhe sovrane.
Po ja që kjo ëndërr, ky entuziazëm dhe motivim u kthyen në një zhgënjim, realitet të hidhur, një dëshpërim i paparë, ku në vend që të bashkohemi rreth një misioni të shenjtë për ardhmërinë dhe dobinë e popullit tonë, nxituam të pasurohemi, të uzurpojmë pozita, tokë dhe objekte të shumta, të shesim pasuritë e shtetit, dhe të shkelim në gjakun e herojve dhe dëshmorëve, që dhanë më të çmuarën, jetën e tyre.
Unë kam shkuar aqë larg, sa që kam apeluar për bojkotim të remitencave për një kohë të caktuar, në mënyrë që mos t’i zgjasim agoninë e pacientit në komë, përmes infuzionit nga diaspora, e më shpresë se populli do zgjohej nga gjumi dhe do gjykonte drejtë, duke mos ju besuar premtimeve dhe propagandês së rrejshme të parisë.
Ndoshta ky veprim do e përshpejtonte procesin e zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit tonē të ri.
Diaspora u shfrytëzua si burim i vazhdueshëm financiar dhe i votave, duke u keqëpërdoruar, ngarkesa e lartë emocionale për familjet, miqtë dhe shtetin tonë.
Ta keni të qartë të gjithë, se diaspora nuk mashtrohet lehtë! Ajo do jetë gjithmonë syçelë dhe vigjilente dhe në shërbim të vazhdueshëm për kauzën tonë, interesit të përbashkët kombëtar, e jo individual dhe partiak.
Rrofshin të gjithë shqiptarët kudo që janë! Le ta ndjekim misionin e shejtë të bashkimit gjithëkombëtar, pa dallim feje, treve dhe bindje politike!
Jemi një popull i vogël në numër, por kemi dhënë individë dhe kontribut të madh për bashkësinë ndërkombëtare.
Ju uroj një vit të mbarë, plot shëndet, mbarësi dhe lumturi, me shpresën se secili nga ju do kontribojë sipas mundësive për kombin tonē.
Ju faleminderit shumë!