Julika Prifti: Përshëndetje Koncertit të Madh të Vjenës nga Nju Jorku
Për këdo që e ka pasur pjesë të traditës së mirëseardhjes së vitit të ri koncertin e datës 1 janar në kryeqytetin e muzikës klasike, pa pasur mundësi të jetë fizikisht në Vjenë, shfaqja “Salute to Vienna” në Lincoln Center është e dyta në radhë për njujorkezët dhe vizitorët e shumtë që janë këtu në kohën e pushimeve të dimrit. Në të vërtetë Salutimi për Vjenën është program i veçantë që jepet në ditët e para të vitit. Frymëzuar nga tradita e kryeqytetit austriak, koncerti në Nju Jork nisi 29 vjet më parë. Programi njujorkez përngjan me atë të Vjenës, sepse si ai është ndërtuar kryesisht me muzikë të kompozuar nga familja e madhe dhe e talentuar Strauss. Ashtu si në shfaqjen në Vjenë, dirigjenti i drejtohet pak audiencës dhe bën urimin për vitin e ri por në Nju Jork tregon edhe ndonjë anektodë të shkurtër. Megjithatë koncerti simotër ka disa dallime të tjera duke filluar nga orkestra e cila në Nju Jork është shumë më e vogël se e Vjenës, te programi dhe minutazhi që këtu është thuajse dy herë më i gjatë se vjenezi. Përveç kompozimeve nga Johann Strauss, Jr. dhe Eduard Strauss, në Lincoln Center kishte edhe pjesë nga Carl Millocker, Mozart, Emmerich Kalman, Gioachino Rossini, Franz Lehar, Jacques Offenbach.
Në koncertin njujorkez kënduan soprano Jennifer Davidson dhe tenori Franz Gurtlschmiel të cilët interpretuan aria nga opera si “Als flotter Geist,” (Kënga e Barinkës) nga Gypsy Baron, “Einmal moch’ ich wieder Tanzen,” (Do doja të vallzoja përsëri) nga Countess Maritza, “Gern hab’ ich die Frau’n gekusst” (Me qejf kam puthur vajzat) nga Paganini, “Les oiseaux” (Kënga e Kukullës) nga Rrëfimet e Hoffmann nga Offenbach, “Komm mit nach Varazdin,” (Eja shkojmë bashkë në Varazdin) nga Countess Maritza e Kalman.
Në koncertin e Vjenës ka pak pjesë të koreografuara për audiencen milionëshe që e ndjek shfaqjen e shumëpritur nëpërmjet ekranit në mbarë botën. Për koncertin në sallën Geffen Hall pjesët e programit si Schtaz Walzes, Op. 418, Vernugungszug Polka, Op. 281, Wo die Zitronen Bluh’n! Waltzes, Op. 364, Bahn frei Polka, Pp. 45 dhe Thunder and Lightning Polka, Op 324 u kërcyen nga balerinët e trupës së Baletit të Budapestit.
Dirigjenti Andras Deak, i cili ka lindur në Budapest dhe ka drejtuar Simfoninë e Danubit për 30 vjet përpara se të kalonte në Filarmoninë Strauss të Vienës, ishte radha të drejtonte Strauss Orchesta të Nju Jorkut. Në një nga momentet e komunikimit me spektatorët, ndërsa prezantonte pjesën e Johann Strauss “Who die Zitronen Bluh’n Walzes” Op364 ai pyeti spektatorët nëse e dinin se prej cilit vend vinin limonat më të mirë. Pasi priti pak, Deak tha: Limonat më të mirë prodhohen në jug të Italisë, nga Sorrento. Menjëherë mu kujtua se gjatë fëmijërisë sime Sorrento ishte e famshme në Shqipëri nga vargjet e këngës shumë të pëlqyer napolitane “Torna a Surriento” kënduar nga yje të operës si Enrico Caruso, Luciano Pavarotti, Plácido Domingo e shumë të tjerë.
Kur prezantoi pjesën “Gern hab’ ich die Frau’n gekusst”, mbesa ime, Rea dhe unë qeshëm kur dirigjenti rrëfeu me humor se Paganinit i pëlqente të puthte edhe gra të tjera përveç asaj me të cilën ishte i lidhur.
Me aftësi skenike prek aktori, dirigjenti e bënte sallën të qeshte e të bëhej pjesë organike e koncertit. Natyrisht, koncerti tashmë ka pjesët tradicionale në fund të programit gjatë të cilave dirigjenti duhet të drejtojë orkestrën dhe të koordinojë përplasjen e duarve të audiencës me orkestrën, që është arritje e shkallës së lartë sepse duket sikur ata kishin bërë prova për ditë me radhë. Entuziazmi i spektatorëve ishte euforik sidomos në mbylljen e programit me “Radetzky March (Marshin e Radeckit) Op. 228, kompozuar nga Johan Strauss në vitin 1848 për të festuar fitoren e Perandorisë austriake.
Teksa viti ri hap një faqe të re në kalendar, njerëzit mbartin me vete gëzime e hidhërime, të mira e tragjedi, suksese dhe falimentime, por, pavarësisht prej tyre, atë ditë, të gjithë urojmë dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë. Në sajë të fuqisë dhe forcës magjike të artit të muzikës të shprehur në kompozime gjeniale ndihemi më shpresëplot dhe më të afërt me njëri-tjetrin. Në sallë vura re se kishte më shumë pleq e plaka që mezi ecnin, të ulur në karroca apo të ndihmuar nga dikush, pashë shumë fëmijë dhe të rritur me sfida fizike që ishin pjesë e kësaj pritje festive të vitit 2025 mes tingujve të muzikës që nuk njeh dhe nuk bën dallime!
Le të shpresojmë për një vit më paqësor e më të begatshëm për të gjithë!