Albspirit

Media/News/Publishing

Naum Prifti: Kamzhikues i vetvetes

Tregim

Sapo dolën nga porta e manastirit të Llavrios, Limoni iu lut barbaçit të kthehej se rrugën për te shqita e Shërmërisë e dinte dhe mund të shkonte vetëm pa e shoqëruar askush. Vetë e kishte bërë gabimin, vetë duhej ta shlyente. Limoni duhet t’i nënshtrohej ndëshkimit të dhënë nga Igumen Fillotheu për ikonën e Shën Argjirëve, të cilën e kishte pikturuar sipas shijes së tij, duke mos përfillur traditat kanunore bizantine. Ikonografi druhej se Porfiri mund të kishte pasoja nga një kuturisje e tillë.

– Jo, s’kam pse të kem pasoja, – i kundërshtoi Porfiri, ndërsa sytë e kaltër i vezullonin djallëzisht. – Të ndihmosh një mëkatar në rrugën e pendimit, plotëson një nga porositë e Krishtit që thotë “duaje të afërmin si veten tënde”!

Ai e njihte mirë dogmën e krishterë dhe dinte t’i përdorte me vend thëniet e ungjillorëve, aq sa Limonit shpesh i dukej se dëgjonte predikime dhespotësh nga lartësitë e amvonave.

– Do të vuaja shpirtërisht sikur t’iu qortonin për shkakun tim, – ngulmoi Limoni.

– Nuk do të guxojnë. Sa të kem ungjin gjallë, jam i mbrojtur, – e siguroi Porfiri.

Ungji i tij, Hirësia Hieronim, qe ambasador i Malit të Shenjtë pranë qeverisë greke, por pa titull. Selinë e kishte vendosur në Selanik, se aty e kishte më afër si Kostandinopojën, nga e cila vareshin juridikisht, ashtu edhe Athinën, ku i duhej të shkonte shpesh. Greqia pretendonte se Mali i Shenjtë qe në tokën greke, prandaj synonte ta aneksonte, çka ngjallte kundërshti të forta si nga Rusia, si nga Turqia.

Peshkop Hieronimi i kishte mbrojtur interesat e Malit të Shenjtë me të drejtën historike se autonomia u qe dhënë nga Perandori i Bizantit dhe nuk mund t’u hiqej nga askush tjetër. Tutelën e Greqisë e kundërshtonin edhe shtete të tjera, të cilat kishin manastiret e tyre në gadishullin e Kalkidisë, si Rumania, Serbia, madje edhe Gjeorgjia.

Hieronimi qe me origjinë nga ishulli Specia, i banuar nga arvanitasit e shpërngulur gjatë mesjetës, që njihnin veten si “barbaçë” me kuptimin “të huaj”. Ai mori pranë vetes edhe nipin Porfirin, djalin e së motrës, duke e emëruar furnitor të manastireve, një punë e pëlqyer me rrogë të mirë, që ngjallte zilinë e të rinjve pa raso. Ai shkonte në skelat e Mesdheut nga Izmiri në Gjibraltar për të blerë mallrat që u duheshin manastireve, bojëra vaji për ikonat, panele druri të lëmuara për zografisje, fitil për llambadhet e qirinjtë, dyllë blete, temjanica, temjan e bakëm për të ngjyer vezët e Pashkës, veshje të qëndisura me ar e argjend për dhespotët e igumenët, libra historie dhe agjiografi, xhixha për qëndisje, raso dhe petrahilë dhe plot sende të tjera. Atij ia kishin zilinë veçanërisht ata që ëndërronin të dilnin nga kufijtë e mbretërisë teokratike për të shijuar jetën nëpër kabaretë dhe klubet e skelave të Mesdheut me pije, muzikë e femra. Në mirëbesim Porfiri u rrëfente shokëve se kishte parë gjithfarësoj vajzash gjysmë lakuriq duke përdredhur belin, por turkeshave nuk u afrohej kush në atë lloj vallëzimi. Ato ishin fenomenale dhe e përdridhnin belin aq hijshëm, sa nuk të mbante vendi të shkoje në platformë dhe t’u bije në gjunjë duke i falënderuar për kënaqësinë që kishe provuar. Sulltanët kishin shije të holla kur mbanin balerina të tilla në haremet e tyre, pamja e të cilave u krijonte kënaqësi estetike e njëherësh i joshte për seks.

– Edhe po nuk guxuan t’u qortojnë hapur, do të pëshpëritin prapa krahëve, – ngulmoi Limoni.

– Aq më bën, deklaroi Porfiri vendosmërisht. – E di si thoshte Sokrati i Athinës së lashtë? “Atje ku s’jam unë, pranoj edhe të më rrahin po deshën”.

– Kthehu! Për herë të fundit po të lutem, kthehu! – e luti Limoni.

– Mos vallë po të isha në vendin tënd, ti do të më lije vetëm?

Limoni nuk iu përgjigj.

– Do të më lije? – e pyeti sinqerisht.

Ikonografi u mendua. Jo, ai s’do të guxonte të shoqëronte një të damkosur në rrugën e Golgotës. Ndjeu një pickim në zemër për dobësinë e vet, posa arsyetoi se barbaçi e kishte ndjenjën e dhembshurisë më të fortë. Ngushëllimi, si një lëng freskues, iu përhap në trup. Edhe atje në atë vend të zymtë, gjendeshin Samaritanë që ndihmonin nevojtarët. Të paktën njërin prej tyre e njohu, por sigurisht kishte edhe të tjerë.

Po shkonin në një monopat që gjarpëronte mes faqes perëndimore të gadishullit të Kalkidisë, i treti në radhën e siujdhesave që zgjateshin në detin e Marmarasë si gjuhë dragoi. Të njëzetekatër manastiret e ritit ortodoks ngriheshin si kështjella të gurta anës detit, disa me faqet thikë dhe me porta të fortifikuara të ndërtuara gjatë mesjetës, për t’u mbrojtur nga sulmet e piratëve saraçenë që vinin nga brigjet e Afrikës. Të zinj nga fytyra, me shallvare të gjera e me dhimisqi ndër duar, ata u kishin shtënë tmerrin kallogjerëve të manastireve duke rrëmbyer ar e argjend dhe gjithçka që u pëlqente. As lutjet, as mallkimet s’kishin mundur t’i ndalonin piratët, prandaj s’gjetën çare tjetër, veç duke i ndërtuar manastiret si fortesa. Thirrën arkitektë nga vendet evropiane, ndërsa muratorët filluan të dyndeshin nga vendet e Ballkanit, posa dëgjuan se atje kërkoheshin mjeshtër. Mali Athos u bë limer ideal për mërgimtarët stinorë nga Shqipëria e Jugut, sepse atje dimri qe i butë dhe i lejonte të punonin jashtë.

Aleks Komneni, perandor me origjinë shqiptare, qe ai që dekretoi autonominë e Malit të Shenjtë, duke krijuar kësisoj të parën dhe të vetmen Republikë manastiresh me priftërinj, murgj dhe asketë. Manastiret mbaheshin me ndihma, veshmbathje e ushqime nga shtetet që i kishin ndërtuar sikurse Greqia, Rusia, Serbia, Bullgaria, Rumania edhe Gjeorgjia. Shqiptarët s’kishin atje as manastir, as ndonjë kishë të tyren, po gjithsesi kishin të drejtë të vinin atje dhe të strehoheshin.

Thuhet se vëllai i Skënderbeut Reposhi e kaloi pleqërinë në Malin e Shenjtë dhe aty u varros. Varri i tij nuk dihet se të krishterët nuk kishin varre. Pas tre vitesh ata i nxirrnin eshtrat, i shpëlanin me ujë, i mirosnin dhe pasi u blatonin meshën e fundit, eshtrat e tyre i merrnin dhe i rivarrosnin në katin e nëndheshëm të ndonjë kishe derisa treteshin nga koha. Të emigruarit stinorë pajtoheshin ku u ofronin punë si mjeshtër të gurit, të drurit, të qymyrit e të angarive të tjera, ku duheshin kuaj e mushka. Kur Konstatinopoli u pushtua nga turqit osmanë, prelatët e manastireve i zuri frika se aq e pat autonomia e tyre, mirëpo Mehmet Fitimtari u tha me anë të një delegate që e dërgoi posaçërisht se do të respektonte autonominë e Malit të Shenjtë pa ndërhyrë në organizimin e brendshëm. Madje disa Sulltanë i dërgonin vazhdimisht ndihma e dhurata krahinës autonome, qoftë që të dukeshin bujarë, qoftë se donin ta kishin mirë edhe me Zotin e kristianëve. Qeveria turke vendosi një karakoll në Karies, skela e vetme e Malit të Shenjtë për të kontrolluar hyrjen e daljen e njerëzve dhe për të vjel taksat e mallrave.

U ulën të çlodheshin në një vetullore ulliri. Poshtë deti shkëlqente për mrekulli nën rrezet diellore duke lëshuar pasqyrime në të dy brigjet e gadishujve anës tij. Përgjatë anës perëndimore dukeshin aty këtu manastiret e gurtë si kështjella, disa në breg të detit e disa të tjera në faqen e malit. Pranë manastireve, bleronin parcelat me vreshta e ullinj të mbjellë nga murgjit. Rrushi kishte filluar të piqej dhe aroma ndihej në ajër. Bletët dhe grerëzat zukatnin pa pushim në ajrin e kulluar. Ullinjtë ishin ende të papjekur, edhe pse kokrrat e tyre tani dalloheshin nën fletët që përkundte flladi. Vaji i ullirit dhe vera tok me ikonat qenë mallrat kryesore të eksportit nga ai vend.

Toka shkëmb e gur, grill e strall, me krreka e dëllinja, shkurre që rriten në gurishte dhe lisa të rrëgjuar, nuk ishte mikpritës për bujtësit e parë. Ata hoqën keq duke jetuar nëpër guva e nëpër shpella, duke u ushqyer me rrënjurina e zhardhokë si në kohën e gurit. Për hir të lirisë që gëzonin t’i faleshin Zotit ditë e natë, murgjit pranonin çdo sakrificë dhe luteshin papushim ndërsa punonin tokën, lexonin libra të shenjtë dhe thelloheshin në kuptimin e tyre.

– Kam disa vjet këtu dhe nuk kam parë në këto manastire asnjë femër, madje as murgesha, – vërejti Limoni.

– Pse nuk e ditke që këtu nuk lejohet të shkelë këmbë femre, qofshin të reja a të vjetra, të bukura perri a të shëmtuara si dreqi vetë? – e sqaroi Porfiri.

– Po pse?

– Se të parët që u ngulën këtu, i urrenin femrat si mëkatare të përjetshme. Në Dhiatën e Vjetër thuhet se Zoti e përzuri Adamin nga Parajsa, pasi Eva e nxiti të hante mollën e ndaluar. Femra flet edhe pa folur. Të josh me sy, me vetulla, me faqet, me buzët e kuqe, të miklon t’i afrohesh e ta përkëdhelësh e ta përmbledhësh pas gjoksit.

Porfiri qeshi pak me fjalët e veta, pastaj tha:

– Veç asnjeri nuk e di nëse Adami u pendua që e këmbeu bukurinë e parajsës me ëmbëlsinë e jetës bashkëshortore. Zoti e shënjoi Adamin duke ia nxjerrë mollën në grykë. Kështu zuri rrënjë në Malin e Shenjtë misogamia dhe misogjenia. Nuk janë të vetmit. Kam dëgjuar se në Rusi ka pasur një rit ortodoks, meshkujt e të cilit pranonin të kastroheshin me vullnetin e tyre që të mos mëkatonin me femra dhe kështu të siguronin parajsën. Të tredhurit ecnin krenarë rrugës, ndërsa femrat i përbuznin dhe njëkohësisht i mëshironin.

– Kam qenë vetë atje kushedi sa herë, – vazhdoi Porfiri. – Ruskat e kanë lëkurën si trëndafil, sytë si det i kaltër, flokët të verdhë trëndelinë.

– Zot mos na shtjerë në mëkat, – u lut Limoni duke bërë kryq. – Aman jo tani në rrugën e pendesës.

Duke qenë në kontakt me një botë tjetër, me parime e mënyrë jetese tjetër, ai i kushtonte vëmendje jetës brenda perimetrit të manastireve të ngujuar midis lutjeve dhe agjërimeve.

– Babai im thotë se këtu është vendi më i qetë në botë, pa ushtri, pa gjindarmë, pa policë.

– Duket por nuk është krejt ashtu. Babai yt vjen këtu, punon disa muaj, me mendjen të fitojë diçka, pa u futur kurrë në kundërshtitë që brejnë manastiret. Që nga shekulli XV këtu vazhdon ndeshja e ashpër midis sistemit idioritmik, të cilën e futi për herë të parë manastiri i Llavrios dhe atij senobitik. Të parët u lejojnë ithtarëve të tyre ta hanë ushqimin sipas midesë, të mbajnë libra nëpër qelat dhe të holla për sende personale, ndërsa kenobitikët hanë të njëjtën gjellë nga kazani i përbashkët, pa pasur kurrfarë prone personale për hir të barazisë. Kush ka të drejtë? Tani 14 manastire praktikojnë sistemin idioritmik, ndërsa 10 i mbetën besnikë traditës konservatore. Kenobitikët mburren me barazinë e përkryer, ndërsa idioritmikët me lirinë e individit. Kush është më e shtrenjtë sipas teje, barazia apo liria?

– Pa liri barazia nuk vlen, – tha Limoni.

Para tyre kaloi një procesion murgjish me kapuça mbi kokë dhe me duar të kryqëzuara mbi bark. Ecnin njëri pas tjetrit pa folur.

– Të mjerët këta! –i mëshiroi Limoni. – Gjithë vitin mbajnë kreshmë duke e ngjyer bukën në vaj ulliri, spec të kuq dhe uthull.

– Ata janë më të lumturit, – vërejti Porfiri, – se udhëhiqen pas parimit që sa më shumë ta mundojnë trupin në këtë jetë, aq më të trajtuar do të jenë në parajsë…

Në ajrin e kulluar dhe të pastër midis qiellit dhe detit bletët lëviznin si pika të hirta dhe zukatjet e tyre valëviteshin midis shkallëve të larta dhe të ulëta të notave muzikore.

– Ngrihemi? –propozoi Limoni.

– Nuk të durohet sa të nisësh seancën e pendimit? –e shigjetoi Porfiri.

Vazhduan rrugën.

Në hyrje të shqitës dëgjuan vizhgullimën e thuprës që çan ajrin me vrull dhe lebetima bërtitjesh të mprehta. Limoni pa dashur mbajti këmbët. Duket se dikë po e torturonin dhe atij iu ngjeth mishtë nga të bërtiturat.

– Ç’pate? –e pyeti Porfiri. – Mos u pendove dhe nuk do të hysh brenda?

– E dëgjon? Dikë po e rrahin keq.

Porfiri dëgjoi fishkëllimën e fshikullës dhe pastaj filloi të qeshte.

– Ky është ermeni Arat Çakmaxhian që po fshikullon trupin e vet, shëmbëlltyrë e virtytit të panjollë, – i shpjegoi Porfiri atij. – Nuk e njeh? Nuk ke dëgjuar për atë?

– Jo, – iu përgjegj Limoni. – Kush e paska dënuar? Ç’ mëkat paska kryer i gjori?

– Asnjë mëkat! Dhe askush nuk e ka dënuar. Bukuria është se ai e fshikullon veten pa mëkatuar. Kjo është madhështia e sakrificës së tij, ndaj njëzet e katër manastiret e Malit të Shenjtë i kanë hapur dyert dhe presin radhën e vizitave të tij ciklike. Etërit e kishës dhe epitropët sjellin si shembull vetëmohimi të virtytit të krirtë. Ndërsa ai pa bërë asnjë mëkat e ndëshkon veten aq rëndë, mendoni se çfarë i takon të bëjë atij që mëkaton vërtet, me dashje a pa dashje.

Gadishulli i Kalkidisë, dyzet kilometra i gjatë dhe gjashtë i gjerë, krejt i shkretë, u bë strehë ideale për të përndjekurit e krishterë e të Perandorive të Lindjes dhe Perëndimit qysh në shekullin IX. Atje ishin të lirë t’i faleshin Zotit pa frikën e kërbaçit dhe të burgut. Vendi u bë tërheqës për fanatikët, për shpresë rrënuarit, për të tradhtuarit nga gratë dhe nga jeta. Numri i të ngulurve vazhdoi të rritej shekull pas shekulli. Legjenda pohon se manastiret lindën me hirin, vullnetin dhe bekimin e Perëndisë. Madje Zoti urdhëroi që gadishulli të quhej Mali i Shenjtë. Zërin e tij e dëgjuan të përndjekurit e krishterë dhe ata iu bindën dëshirës së tij. “Emri zbriti i shkruar nga qielli dhe kjo qe çudibërja e parë që u përhap nga pasardhësit”, e sqaroi Porfir Panariti.

Në Malin e Shenjtë vijnë besimtarë, vizitorë, studiues, historianë. Arati e kishte stilizuar kamxhikimin si shfaqje deri në hollësitë më të vogla. Në fillim, kur s’e njihte askush, hynte në kishë dhe qëndronte kruspullosur pranë altarit me kokën në truall. Kur mbaronte mesha delte në peristil, i flakte rrobat që kishte veshur një nga një, deri sa mbetej cullak dhe pastaj e fshikullonte barkun, kurrizin dhe kofshët duke mërmëritur “kam mëkatuar, kam mëkatuar, aq sa e mavijoste trupin e vet. Askush s’guxonte ta ndërpriste pendestarin në rrugën e mundimshme të vetëtorturimit. “Armen i zgjuar! Xhongler dhe atlet që s’e ka shokun,” e lavdëroi Porfiri. “Ka të ngjarë që fshikujt i ngjyros me këna që t’i lënë shenja në trup, se oreksin e ka për mrekulli, njëlloj si ditën e parë. Ka fituar simpatinë e të dy palëve kundërshtare të njëra tjetrës. Si shpërblim për kamxhikimin e vetvetes çdo manastir e mban një javë, duke ia shpënë ushqimin në qelë. Me pesëdhjetë vetërrahje siguron ushqimin dhe veshjen për një vit, pa bërë asgjë tjetër. Nuk është kompensim i keq apo jo?

Të dy u futën në shqitë. Ermeni po e fshikullonte kurrizin, duke u hedhur përpjetë, sikur trualli të qe prush, duke bërtitur “kam mëkatuar” e duke çakaritur sytë sa herë kamxhiku prekte lëkurën e trupit të tij. Priftërinjtë, murgjit dhe asketët vendosur në formë rrethi me duart mbi bark ndiqnin seancën duke e mëshiruar me lot në sy pendestarin e pazakonshëm. Dukej se seanca kishte nisur me kohë, se lëvizjet e Çakmaxhianit u bënë më të ngadalta, kërcimet më të ngathëta, bërtitjet më të shtruara, derisa u shemb në tokë, me fytyrë nga ikonat. Nuk gabonte kurrë nga duhet ta kishte fytyrën kur shembej përtokë. Katër murgj e ngritën krahë e kofshë, e vendosën mbi një batanije dhe e nxorën nga peristili. Të tjerët u shpërndanë.

– Pas një viti mund ta shohësh atë prapë këtu, – i pëshpëriti Porfiri Limonit. – Si t’u duk?

– S’di çfarë të them. Nga njëra anë më duket gjest i lartë, sakrificë, nga ana tjetër diçka pa kuptim. Për mua derisa e dënon veten pa kryer ndonjë mëkat, mëkaton më shumë se kushdo para të Plotfuqishmit. Të dënosh një njeri pa faj, është më keq se të falësh një fajtor,- replikoi Porfiri.

Pas shfaqjes tronditëse të kamxhikuesit, vetëm prifti i ngarkuar me misionin e mbajtjes shënim të seancave të të ndëshkuarit ishte i pranishëm për metanitë dhe luajtjen e kumbullores në qafën e Limonit.

Tiranë 1977 – Shkrime të arkivit të autorit.

Please follow and like us: