Albspirit

Media/News/Publishing

Një letër e Agim Shehut për Agron Ficon ku vlerësohet Peter Prifti

Peter Prifti me Fan Nolin

Gjenevë 21.11.2009

Koleg dhe mik i dashur Agron Fico,

Lexova me vëmendje shkrimin tënd- Esse për profesorin e nderuar Peter Prifti. I kam ndjekur vazhdimisht shkrimet e tij të çmuara, por nuk e njoh nga afër as ia di email-in, për ta përgëzuar drejtpërdrejt. Unë njoh që herët vëllain e tij e mikun tim koleg, Naum Priftin, prozatorin e shquar me mjeshtëri të veçantë pene e ngrohtësi rilindasi. Sigurisht janë degë të një rrënje me vlera të shquara kombëtare e njerëzore siç është Kolonja e tyre edhe e gjithë kombit shqiptar. Në krijimet e tyre ata kanë vitalitetin e asaj rrënje dhe mjaltin e asaj kurore që e trashëgojnë denjësisht edhe në mërgim.

Te shkrimi yt më pëlqeu jo vetëm thellësia e gjykimit për profesorin e njohur Peter Prifti por edhe dashuria fisnike që ti ke për krijuesin i harmonizuar me atdhetarin. Ti e ke dhënë atë në tërë mozaikun e koncentruar të krijimeve të tij, në tërë faqet poliedrike të kulturës dhe personalitetit. Mesa shoh, këtë e ke bërë me dëshmi  të argumentuara, përkulur mbi analizë me skrupulozitetin shkencor të Çabejt ku gjykimi rri mbi dëshminë si guri i unazës mbi unazë. Të tillë, Profesorin e ke paraqitur në publik në fushat ku ai lëvronte me përkushtim e dinjitet horizontin e gjere të shqetësimeve të tij: në atdhetarizëm, në kulturë, në gjuhë, në letërsi, në studime, në figurën njerëzore e më tej. Është një e vërtetë, mesa gjykoj nga leximi i tij: Prof. Prifti duke ecur si krijues gjer në kohët moderne, nga pas tërheq me vete në boten e sotme shqiptare dhe mesazhet e Rilindjes e Pavarësisë që i ka në jetën dhe në shpirtin e tij, si një zinxhir i vetëm i ndritshëm në jetën dhe kulturën e kombit. Pena e tij ka aq kulturë e nuk përkulet; ka aq humanizëm e ndjeshmëri, dhe s’i lodhet frymëmarrja. Nga kjo, nuk të bëhet të largohesh pa kuptuar tërë thesarin që ka në reshta dhe fsheh mes reshtash.

Ti ke meritë të veçantë që si gjeolog troket atje ku ka metal të çmuar, që të ketë thesar të tij në diapazon të gjerë e ke qëmtuar si shkencëtar dhe e ke dhënë si artist. Të përgëzoj nga zemra si koleg, mik, dhe profesorit të çmuar i uroj jetë të gjatë, pasi jeta e tij është dhe kulturë, dhe humanizëm, dhe frymëzim.

Please follow and like us: