Dea Toçi: Muzë
Poetit frymëzimi kur i mbaron
e muzë asgjë më s’i shërben,
zgjedh të shkruajë ashtu kot
apo muzë të re del dhe gjen?
*
Unë provova, dola kërkova
muzë të re në çdo skaj,
por më kot veten mundova
kudo më dilnin sytë e saj.
*
Dhe u ndala pranë një sofre
t’i flas gotës që kam përballë,
n’agoni pranë asaj gote
erdh’ më gjetën sytë në faj.
*
Krahë më mori më tërhoqi
ashtu xurxull si i marrë,
hap më hap nga pas më ndoqi
gjer’ më uli mbi divan.
*
Penë të zezë e fletë të bardhë
mori nga xhepi i një pardesyje,
lehtë më puthi pak mbi ballë
dhe u zhduk ngadalë si hije.
*
Siluetën tek ia vështroja
penën mora, nisa të shkruaj,
hapat në ikje i numëroja
ikje e saj më ngjalli mua.
*
Ti prapë shko nuk ka problem
në lojërat e tua unë bëj poezi,
ti hedh një hap unë shkruaj një varg,
E vetmja muzë je… Në përjetësi.