Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: KUJTOJ PROFESORIN E NDERUEM, PIKTORIN SIMON RROTA

 

Prof. SIMON RROTA  (1887-1961)

Profesor Simon Gjush Rrota asht le në Shkoder me 23 Tetor 1887. Vemendja e Babës Gjush per edukimin e fëmijve asht kenë e posaçme. Kujdesi per shkollim nuk i ka mungue asnjenit asnjëherë. Këte verteton edhe prania e Kol Idromenos në edukimin e tyne. Kola, i madhi djalë ishte profesor në Universitetin e Vjenës.  At Justini ishte Frat Françeskan, dijetar i vertetë që solli në Shqipni fotokopjen e “Mesharit” të Buzukut. Ndersa Gjoni ishte mësues në Fieri. Ndersa Simoni mori mësimet e para nga mësuesi Kol  Idromeno, i njoftun edhe si piktor në Shqipni aso kohe.e ma von në shkollën italiane t’ artizanatit me mësues Saverio Polarolin, tue ndjekë ndërkohë edhe rrethin e pikturës së Kolë Idromenos. Punësohet  tek Ndrek Mini[2] deri sa thirret nën armë nga ushtria turke, së cilës i shmanget në Mal të Zi prej ku gjen strehim si refugjat politik në Bari të Italisë.

Me ndihmën e Polarolit regjistrohet në akademinë e Breras të Milanos në të cilën studion nën udhëheqjen e mjeshtrit Kampestrini. Gjatë studimeve lidh miqësi me piktorin Mario Karminatin, kunatin e tij të ardhshëm. Në atë periudhë viziton Francën dhe Austrinë, dhe më 1914 kthehet në Shqipni. Fillimisht punon në Lushnjë si fotograf  tek vëllai i tij Gjon Rrota që ishte njëkohësisht edhe mësues, ma  vonë si dekorator në shoqnitë kulturore të Shkodrës.

Më 1922 emnohet mësues i vizatimit në Gjimnazin Shtetëror të Shkodres prej nga shkëputet vetëm pas 40 vjetëve.

Gjatë kësaj periudhë merr pjesë në të gjitha ekspozitat e vendit si dhe në disa prej aktiviteteve ndërkombëtare. U vlerësue shumë nga të gjithë”… për një mënyrë të vetën në të pikturueme, si dhe për krijimet e Tija artistike.”

Si tek të gjithë rilindasit ndjenjat patriotike, atdhedashunia ishin shtrati emocional i artit të tij. Simoni nuk i kërkoi kurrë majat e virtuozizmit dhe dukjen e sforcueme. Ai ishte një personalitet i thjeshtë me një dhunti natyrore për punë dhe krijimtari të pandërpreme me çka ngjallte ngado simpati dhe mirëkuptim. Asht i pari mësues i vizatimit të cilit do t’i thurren vargje e do t’i këndohen këngë. Ai jetoi dhe punoi në një kohë kur shoqnia dhe shteti shqiptar po hidhshin hapat e para, në një kohë kur çdo gja me vlerë kërcënohej nga forca të egra fatale, nga terri i kudogjindshëm, në një kohë kur një ligësi absurde, e stisur nga njëqind duer të padukshme e rrezikonin imazhin- pikturën shqiptare – poaq sa dhe fjalën shqipe.

Në largësinë një shekullore, në vorbullën e përpjekjeve kolektive spikat vepra e artistit dhe pedagogut të paepun i cili do të jetë pjesë e asaj shtylle që siguroi vazhdimësinë, tue u ba simbol i kambënguljes kulturore.

Siç dihet vizatimi për fëmijët asht dëfrim, një lojë. Tek Simoni do të ketë kenë paksa ndryshe sepse Kolë Idromeno e ngushëllonte sikur të ishte fjala për një martirizim :”… këta njerëz do të jenë dëshmitarët e punës sonë”. Ky vrap ndër gurë e pengesa do t’i japë qëndresën e një suste çeliku. Edhe i shkuem në moshë, etja, dëshira për punë do ta ngrinin që me natë për të fitue ditën.

Prof. Vladimir Jani në monografinë kushtue Simon Rrotës kujton: “Njëherë para nja gjashtë vjetësh u ndesha me të pa le dielli tek ura në Ajazëm-bri Rozafatit, me kavalet në dorë. “Kam vjet shumë,- më tha- por nuk due me vdekë pa i krye do punë dhe nuk mund të za vend pa pikturue”. Cilatdo kjofshin preferencat personale të artdashësve të shumtë, në një pikë të gjithë bashkohen me kritikën e cila nuk ndesh asnjë kundërthanie midis artit dhe personalitetit të tij si “…një qytetar i mirë, i pa të keq, i drejtë dhe gjithëherë i gëzueshëm.” Shprehjet e tij vizuale gjenerojnë impulset e një Shpirti të këthjelltë plot mirësi. “Ma i riu” i rilindasve e përjetoi atë epokë me gjithë kënien tue mbart në shtratin e artit të dashtun idealin kombëtar dhe mishënimin e tij-Gjergj Kastriotin per të cilët Prof. Simoni do të kujtohet gjithmonë.

“Ndër ditët e sundimit të sulltan Hamitit-tregon piktori-ishte një periudhë kaq e vështirë për piktorët sa mjaftonte me të pa kush në dorë një skicë njeriu për t’u krijue dyshimi se asht fytyra e Skënderbeut. Dhe mjaftonte ky fakt për të dhanë rrugën e internimit ose burgun e përjetshëm”. Këtij represioni vite ma vonë, artisti do ti përgjegjet me tabllonë “Beteja” ku paraqet Skënderbeun tue u përleshë me tërbim kundër turqve si dhe me kompozimin e njohurn”Skënderbeu në shtratin e vdekjes”. Gjatë jetës së vetë piktorit ju kushtua kryesisht peizazhit dhe portretit të cilat do të na i japë “… me ngjyra të gjalla e të forta dhe të bukura… tue trajtue tema etnografike paraqet edhe objekte të vjetra, shtëpia tipike të moçme, kostume kombëtare… të cilat kanë vlera artistike dhe historike”. Narracioni i tij nuk asht i rastësishëm, por i qëllimtë. “Tabllotë e tij kanë karakter përshkrues… dhe po ti mblidhnim të gjitha sëbashku do të fitojnë ma shumë interes se plotësojnë njëra-tjetrën…”. Me punë të palodhur ai arriti të bahet”… një nga portretistët dhe pejsazhistët e rëndësishëm për artin realist shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX”.

Dëshira e Simon Rrotës ka kenë që “… të japë të gjallë kohën e vet, tua tregojë brezave të ardhshëm se cila ishte jetesa, cili kje Shpirti, zakoni, zhvillimi, dhe dëshira e shqiptarit dhe kryesisht e shkodranit të shekullit të tij”.

Në Itali Simoni ka ra në kontakt me klasicizmin e pastër.

Piktorët gjenialë si Rafaeli, Veroneze, Tintoreto, Karavaxho e deri tek ma të spikatunit lanë gjurmë tek Ai. Teknika e draperive të Rafaelit ndjehet mjaft mirë tek portreti i S. P. Pistulit. Ndërsa tek portreti i së shoqes, Karlës, loja e dritë – hijeve krahas butësisë rafaeljane na flet për afinitet me Karavazhistët.

Asht për të ardhur keq se nga riprodhimet e dobëta artdashësit janë privue nga ambëlsia dhe delikatesa e origjinalit. I dashuruem mbas sfumaturave, me tone të buta dhe të ngrohta artisti u përcjell brezave imazhin e krijesës ma të shtrenjtë të jetës së tij. Karla, kjo vajzë milaneze, lë postin e sekretares stenografe në firmën e famshme farmaceutike Montekatini drejtë një të ardhme aspak të sigurt mbas Simonit të saj shqiptar. Prodhimtaria e pazakontë (700 vepra) si dhe frymëzimi i pandërpremë i piktorit do të ishin të pamunduna pa Karlën e Tij besnike.

Romantizmin e shëndetshëm si dhe skenat e paqme bukolike Simoni do ti mbaj nën kontrollin e profesionistit serioz. Për shembull në tabllonë “Ura e Mesit” autori nuk ka si qëllim të tregojë arkitekturën e një monumenti kulturor. Harku i madh dhe i randë jepet pjesërisht, aq sa me hijen e vet qarkon horizontin, ujnat, dritën dhe bagëtinë tue lanë mënjanë bareshën të zhytun në një vetmi soditëse të një jete të abandonueme. Pëlhurat e tij janë ndërtue thjeshtë dhe po thjeshtë perceptohen. I përmbajtun dhe i ngrohtë, ndonjëherë ma të rradhë e freskon paletën me tone të ftohta si tek pejsazhi modest “Bora pranë Arrës së Pashës”. Damtimi i dorës siç është konstatuar ndonjëherë më duket një lloj konforti midis recetave akademike, larg pranimit dinamik të modelit.

“Përse mor baba ban gra me japanxha, mure e shtëpi të vjetra e kaq shumë veshje shkodrane ?” e pyeti në një rast Maria, nusja e të birit. I mendueshëm i moçmi Simon iu përgjigj : “Ka me ardhë një kohë moj bijë që kanë me u kërkue këto dukje dhe veshje dhe rinia nuk do ti gjej ma kurkund”  Hijet e rrepta të rrugëve, dyert e mëdha prej guri të latuar me qemer, me pullaz të gjanë për strehë e me frëngji, artisti nuk do ti shohë si dekore të thjeshta dhe kurioze ; ai do të hulumtojë shpirtin që ato mbartin. Piktori e di mirë se rrugët e qyteteve kanë diçka nga fytyra e vërtetë e vendit. Kontakti me sa e sa “fytyra” përtej Adriatikut i dha shkathtësinë selektive për të hjek të tepërtat dhe evidentuar domethanien preçize të detajeve. Psikologjia e gurtë e pejsazheve plotësohet me figura të rradha njerëzore ; ma së shumti gra me veshje tipike lokale. Ato shkojnë dhe vijnë tue prezantue, veshjet, etnografinë, natyrshëm larg pozave dhe sforcimeve; me shami kumashi në kokë, me japanxhat, xhybet, barnavekët dhe eteritë. Në të gjithë këto ndërmarrje artisti pati përkrahje dhe mirëkuptim.

Kam bindjen se ma mirë vepra dhe personaliteti i Simonit rilevohet po të ballafaqohet me piktorin V. Mio. Ndonëse është konsideruar si një nga “peizazhistët e parë të plenerit në Shqipni” më duket se ai mbeti në periferi të impresionizmit; përballë Mios Simon Rrota duket i rreptë dhe disi i ngurtë. Liria poetike dhe intelektuale e Vangjushit mbetet e huaj për të. I ajthëm, tërësisht evropian por dhe atdhetar i flaktë, Simoni pikturon Zotin Krisht tek thërret : “Lini fëmijët të vinë tek unë…”, ndërsa Mio vendos një kishë në pejzash i ngazëllyer nga gjetja e një pleneri befasues. Por i mblidhni të gjitha tabllotë e Mios dhe i vendosni përballë një peizazhi mitik siç është “Derë e Madhe” dhe do të shihni se realizmi tragjik dhe metafizik i kësaj të fundit do ti lanë mbrapa frymëzimet impresioniste. Mio nuk pikturoi në Shkodër ashtu si Simoni nuk do të dinte se çfarë të vendoste përpara dyerve modeste. Këto dy shprehje artistike kaq të plota dhe të pavarura, pothuej të njëkohshme, përbajnë një pasuni të vërtetë kulturore kombëtare, një traditë origjinale dhe besnike ndaj rranjëve që u dhanë jetë.

Krijimtaria e tij përfshinë kompozime, portrete, peizazhe e vizatime me karbon. Ndër më të njohurat janë “Beteja e Skënderbeut” (1916), “Te pusi i fshatit”, “Portë Shkodre”, etj. Në mënyrë të veçantë përmendet për portretin e Lekë Dukagjinit. Punimet e tij artistike e vendosin atë, ndër piktorët më të njohun shqiptar. Vdiq më 27 janar 1961. Simoni nuk ka masat e Kolë Idromenos, ai ngjan ma tepër me rrjedhën e bollshme të një prroi i cili përshkron kodra dhe male. Zëri i tij modest paralajmëroi një të ardhme për të cilën ai nuk e kurseu talentin. I drejtë dhe gjithherë i gëzueshëm por pa ju fshehur imazheve dramatike ai kalonte e rridhte për të drejt moteve që do të vinin një mesazh fisnik dhe burrëror. Në mes të artit zyrtar ai nuk bije në sy. Tonet e nostalgjisë dhe një lloj brenge romantike e shoqnojnë ndonjëherë në ngujimin, në vetëflijimin e tij, tek një art me interes të theksuar etnografik. Mbas vdekjes më 1961 ju dha titulli “Piktor i Merituar” dhe më 1999 “Piktor i Popullit”.

Kujtimet e Profesor Simoit me kenjen nxanës i Tij lidhen me një episod aso kohe i “pathanun”: Na thirri një mbasdreke në sallen e vizatimit mue dhe Dorote Serreqin. Na shpjegoj se donte me na mësue me shkrue bukur. Shkrimi i bukur asht kerkesë e shkollës socialiste. Tue mësue ju me shkrue bukur, neser do të duheni perme shkrue edhe parulla. A e dini se mund të gjeni vende pune të mira në saje të shkrimit bukur?

***

Kjo thanje u ba realitet i jetës seme kur erdhi Hrushovi në Shkoder…

Oh sa shumë kujtime ruej per Ju o i Nderuemi Profesor Simon Rrota ?!

Emni i Yt nuk fshihet kurr nga kujtesa ime…

Emni i Profesor Simonit per mue asht Perjetshem!

Melbourne, 4 Janar 2025.

Please follow and like us: