Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Revista “Studime për historinë ushtarake”
Revista “Studime për Historinë Ushtarake” është një revistë shkencore e Institutit të Studimit të Historisë Ushtarake e specializuar në botimin e studimeve në trajtën e artikujve shkencorë dhe shkrimeve, që lidhen me historinë ushtarake të shqiptarëve në periudha të ndryshme kohore.
Revista “Studime për Historinë Ushtarake” filloi botimin e saj në muajin korrik 2006. Gjatë këtyre viteve të ekzistencës së kësaj reviste, janë publikuar rreth 170 tituj në trajtën e artikujve shkencorë, kumtesave, dokumenteve e materialeve historike.
Në këto vite revista vijoi të botohej një herë ose dy herë në vit, ku pasqyrohej veprimtaria shkencore e studiuesve të Institutit, të cilët kanë publikonin rregullisht në këtë revistë. Artikujt e numrave të fundit janë shoqëruar me një përmbledhje të shkurtër dhe në disa raste edhe në gjuhën angleze. Gjatë rrugëtimit të saj, materialet e botuara në këtë revistë janë paraqitur përgjithësisht sipas këtyre rubrikave.
Në rubrikën e parë, janë botuar kryesisht artikujt ushtarakë shkencorë problemorë; në të dytën, kanë zënë vend probleme e diskutime mes studiuesve për çështje dhe probleme të ndryshme të historisë ushtarake; në rubrikën e tretë, janë publikuar kryesisht kumtesa të mbajtura në veprimtari të ndryshme shkencore (konferenca, simpoziume etj.); në rubrikën katërt, “dokumente e materiale ushtarake” janë publikuar dokumente arkivore me rëndësi, pjesë kujtimesh e materiale të zgjedhura me karakter historik; në të pestën, janë pasqyruar materiale në trajtën e “kritikës dhe bibliografisë”; në rubrikën e gjashtë, është paraqitur “jeta shkencore”, ku zakonisht janë pasqyruar të dhëna nga veprimtaritë shkencore të organizuara nga Instituti i Studimit të Historisë Ushtarake, ose aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku kanë marrë pjesë studiuesit e këtij instituti. Herë pas here, është dhënë dhe informacion edhe për botimet e Institutit; dhe së fundi sipas rasteve, janë paraqitur shkrime përkujtimore dhe nekrologji kushtuar studiuesve të nderuar ushtarakë shqiptarë dhe të huaj me kontribute të çmuara në fushën e historisë ushtarake.
Ndër vite redaksia e revistës është drejtuar nga prof. dr. Proletar Hasani.
Aktualisht, redaksia e revistës “Studime për Historinë Ushtarake” synon ruajtjen e traditës së krijuar ndër vite, forcimin e nivelit shkencor të saj ,si dhe shtimin e prurjeve cilësore shkencore jo vetëm nga studiuesit ushtarakë shqiptarë, por edhe ata të huaj që merren me historinë e historisë ushtarake shqiptare.
Revista “Studime për Historinë Ushtarake” në nr. 1, 2024, vjen me 147 faqe. Revista përmban këto materiale: Sesion përkujtimor “Brigadat Sulmuese-Formacioni bazë i UNÇSH 1944-2024”. Materiali kryesor paraqitur nga Proletar Hasani “Brigada sulmuese – formacion bazë i Ushtrisë NÇ Shqiptare, 1943-1944”.
Kumtesa të paraqitura nga: Zaho Golemi, “Veçoritë, kushtet e lindjes, roli dhe sfidat e BrIIS në veprimet luftarake të UNÇSH-së”; Hekuran Rrapi, “BrIIIS, krijimi dhe ecuria luftarake e tyre”; Bashkim Qeli, “BrVS, krijimi dhe ecuria luftarake e tyre”; Sali Onuzi, “Tetëdhjetë vjet nga krijimi dhe rruga luftarake e BrVIIS, BrXXIVS, BrXXVS”; Jorgo Qirici, “Rruga dhe veprimtaria luftarake e BrIXS”; Teki Kurti dhe Edmond Braneshi, “Krijimi dhe ecuria luftarake e BrXVIIS, BrXVIIIS”; Asllan Zemani, “Udhë heroizmi, nga Peza në Vishegrad…”; Bernard Zotaj, “Zona e Parë Operative, si burim i krijimit të disa brigadave sulmuese të UNÇSH”.
Revista përmban dhe disa recensione për libra ushtarak si “Vlerat dhe dukuritë e reja të “Historikut të BrIVS”; “Një historik njësie ushtarake i LANÇ-it me vlera të veçanta; “Kushtrimi i Lirisë” 1942-1944”, një botim me vlera të çmuara nga ish veterani Mihallaq Konda. Në rubrikën “In memorial” shkruhet për “Petrit Mamaj, pedagogu që la gjurmë në historinë ushtarake shqiptare”.
Prej vitit 2012, revista “Studime për Historinë Ushtarake” i ka vënë vetes si objektiv përshtatjen e saj me synim indeksimin e saj si një revistë me faktor impakti.
Nga viti 2023 në portalin “Albanica.al” janë hedhur tri numra të revistës, nr. 11, 12, 13.
Për të plotësuar kriteret e kërkuara, prej vitit 2025 duhet të krijojmë Bordin e ri të revistës.
Nga numri i parë i vitit 2026 revista “Studime për Historinë Ushtarake” krahas numrit të ISSN për versionin online (siguruar që në vitin 2012) duhet siguruar dhe numrin ISSN për versionin e printuar.
Në vitin 2025 artikujve shkencorë do t’u shtojmë disa rubrika si: trajtesë e shkurtuar (abstract), fjalët kyçe, emërtimi i institucionit ku punon autori si dhe bibliografia.
Duke filluar nga viti 2025 të gjithë artikujt shkencorë të paraqitur në redaksi, pas një shqyrtimi paraprak formal të tyre nga redaksia, i nënshtrohen procesit të recensionimit, ku recensentët dhe autorët nuk njohin njëri-tjetrin.
Nga viti 2026 në revistë do publikohen të gjithë shkrimet dhe numrat e revistave të botuara që nga fillimi. Gjithashtu nga ky vit e e në vijim, artikujt shkencorë të çdo autori do të përmbajnë numrin identifikues autentik.