Çerçiz Loloçi: Vizitë në shtëpinë studio Kadare
Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë nga shqiptari i vetëm që u bë personalitet i përbotshëm, në një periudhë anormale, kanë kaluar në makinë shkrimi prej bashkëshortes së tij Helenës, që ishte gjithashtu një zonjë letërsie, lexuesja dhe redaktorja e parë në korpusin kryesor të veprës së tij.
Kadare kishte pothuaj ritualin e përditshëm që shkruante në orët e para të mëngjesit dhe më pas ato fletë me stilolaps apo stilograf kalonin në makinë shkrimi prej bashkëshortes, një punë titanike dhe një përkushtim i madh ndaj një mendjeje të papërsëritshme. Kujtoj se ai sërish ndërhynte në tekstin e radhitur me shqetësimin e vetëm të përsosjes artistike dhe shpesh kërkonte mendim për versionin më të pëlqyeshëm.
Nga vitet 1985-87, së bashku me Kudret Isain, Rrapo Zgurin, Arben Mukën, Sokol Terihatin, Arben Runën, Mero Bazen dhe disa të tjerë ishim angazhuar me gazetën “Studenti”, organ i Universitetit të Tiranës, që dilte një herë në javë dhe shtypej në Poligrafik, sot Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve. Në atë shtypshkronjë shtypeshin gjithë gazetat e kohës dhe pjesa më e madhe e librave. Pikërisht atëhere po shtypej dhe libri i Kadaresë “Koha e shkrimeve”.
I them Kadaresë që do të dalë një libri juaj, a dëshiron të shikosh fashikujt?
Patjetër, më tha, unë e shkruaj librin, e shtyp e dërgoj për botim dhe deri sa del në shtyp kam një lloj ankthi.
Po kjo besoj është për të gjithë që shkruajnë, i thashë.
Edhe mundet, tha, po mua sa dalin nga shtypi më ndalohen. (Gati gjysma e librave të tij ishin botuar dhe pak më vonë ishin hequr nga qarkullimi).
Gjithsesi shkuam në Poligrafik, një pritje e jashtëzakonshme sepse Kadare shkonte shumë rrallë në entet botuese që asokohe ishin dy, Poligafiku dhe një shtypshkronjë tjetër “Mihal Duri” për veprat politike.
Kryeinxhinieri i ndërmarrjes e shoqëroi sektor më sektor dhe i dha një fashikull të librit të tij. Desha ta merrja unë dhe t’ia jepja më pas, po ai më largoi me dorë dhe e vuri në xhepin e brendshëm të pardesysë.
Kishte një gëzim të brendshëm që ndoshta e përjetonte pas çdo botimi.
Dalja e çdo libri është një ngjarje e bukur, i tha kryeinxhinierit.
Po ashtu është, miratoi ai.
Po me librat që ndalohen, çfarë bëhet? – pyeti.
Bëhen karton, tha kryeinxhinieri, -dhe hiqen nga qarkullimi.
Domethënë kështu ka ndodhur edhe me disa nga librat e mi, buzëqeshi Kadare.
Jo tamam, tha kryeinxhineri, se tirazhi i parë ikën nën dorë.
Ikëm prej andej dhe kur erdhëm në qendër pimë nga një kafe. Nxorri fashikujt e librit dhe i hodhi një vështrim të shpejtë. Kishte emocion të jashtëzakonshëm, megjithse ishte në kulmin e krijimtarisë së vet.
Më ke bërë një surprizë të këndshme, më tha, mësova se librat e mi kanë dy tirazhe, një që shënohet në kopertinën e fundit dhe tjetri që shpërndahet nën dorë me fashikuj për admiruesit e letërsisë.
7 janar 2025.