Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për rolin e shtypit të lirë
Në përvjetorin e kalimit të tij në amshim (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940).
Shpesh gjatë viteve, me 30 dhjetor, normalisht dhe modestësisht, por me respektin më të madh dhe me mirënjohjen më të thellë, kam kujtuar përvjetëtorët e kalimit në amshim të At Gjergj Fishtës, një prej kolosëve të shqiptarizmës dhe mbrojtësit të përbetuar të drejtave të shqiptarëve dhe të interesave të tyre kombëtare në trojet e veta shkullore. Ndonëse pak me vonesë — më mirë vonë se hiç – duke pasur parasysh se nuk vura re ndonjë shënim në median kryesore shqiptare, ndonjë kujtim të këtij përvjetori të kalimit në amshim të françeskanit e poetit shqiptar At Gjergj Fishtës (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940) — kësaj figure të madhe të Kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare – gjithnjë i harruar dhe i përjashtuar, zyrtarisht, me eiptetin armik i popullit e bashkpuntor fashist.
Pra, kanë kaluar 85-vite nga dita e kalimit në amshim të Atë Gjergj Fishtës – nga 30 dhjetori i vitit 1940 – dhe mediat kryesore shqiptare të cilat pretendojnë se janë të lira – 35-vjet pas “shembjes” së komunizmit në Shqipëri – preferojnë të injorojnë data të tilla, të figurave të tilla kombëtare si Fishta – me shpresën se po të mos “kujtohet”, At Gjergj Fishta dhe veprat e tij, në heshtje, do të “harrohen”. Dhe nëqoftëse ai nuk përmendet kur e kërkon rasti, siç janë përvjetorët –– më në fund, përjashtimi i tij nga letërsia dhe historia e shqiptarëve, do të përjetësohet – ashtu siç e dëshironte regjimi sllavo-komunist i atëhershëm dhe apologjetët e sotëm, të atij sistemi anti-kombëtar sllavo-aziatik.
Dihet se At Gjergj Fishta njihet më së miri si poet, por ai ka shkruar shumë edhe në prozë. Janë këto shkrime në prozë që janë më shumë të një natyre politike. Ai në të vërtetë e ka filluar veprimtarinë e tij gazetareske si shkrimtar e poet, me botimin e gazetave e revistave, quajtur “Posta e Shqipnisë”, revista “Hylli i Dritës”, “Orën e Maleve”, “Gruen Shqiptare”, e tjera.
Si për shumë çeshtje të botës së atëhershme shqiptare, Gjergj Fishta e ka përdor shtypin si një shkollë kombëtare dhe vatër kulture. Shkrimet e tij në poezi e sidomos në prozë, sipas At Daniel Gjeçajt, “tërheqin, nxisin, zemrojnë, pasurojnë mendje e shpirt, madhërojnë, mësojnë e qortojnë”. Është vështirë ta marrim me mendë se çfarë do të mendonte At Gjergj Fishta për shtypin shqiptar të sotëm, në përgjithësi. Nga ato që dimë nga shkrimet e tija në gazetat dhe revistat e kohës ës tij, pak e shumë, e dijmë se ç’mendonte ai për rolin dhe rëndësinë e shtypit të lirë, në kohën kur ai jetonte. Veprimtaria e tij bazohej në besimin në Zotin dhe në Lirinë e veprimit. Ai ka themeluar “Hyllin e Dritës” me moton: “Ubi Spiritus Domini, ubi Libertas” – “Aty ku është shpirti i Zotit, aty është edhe Liria”. Për Fishtën, shkrimtari e gazetari i lirë është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që duhet përdorur mirë, pa e abuzuar, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa, me një rast.
Atëherë cili duhet të jetë roli dhe qëllimi i një shtypi të lirë, sipas Fishtës, bazuar në shkrimet e tij, në Shqipërinë e 1913-s, të posa dalur nga robëria shumë shekullore dhe terri i padijes, nga 5-shekuj robëri. Kështu është shprehur ai me rastin e themelimit të revistës Hylli i Dritës: “Që e Përkohëshmja jonë (Hylli i Dritës (HD)) të arrij me ngjallë shpresën ndër zemra të Shqiptarëve se prej Hyut, ditë më të mira kanë me iu reshë Shqipënisë”, ka shkruar Fishta në artikullin e parë botuar në HD I, 1913.
At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se në atë artikull, Gjergj Fishta, “ka thekësua shumë mirë misionin dhe qëllimin e revistes françeskane, Hyllit të Dritës, qëllim i cili, sipas tij, ka për objekt, mbi të gjitha, Zotin e Kombin, Dijen e Fenë, Lirinë e Përparimin, Moralin e Kulturën”. Hylli i Dritës i Fishtës dhe Albania e Konicës, konsiderohen si më prestigjozet që janë botuar deri më sot në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.
Në fillim të shekullit të kaluar, Atë Gjergj Fishta do theksonte me forcë rolin e shtypit të lirë për formimin e gjithanshëm të popullit shqiptar të sapo dalë nga robëria e gjatë shekullore otomane. E do polemizonte me forcë me “kalemxhnjtë” e kohës, duke kërkuar që gazetat, “nëse duen me e përdorue përnjimend këtë armë të fortë, që e kanë në dorë, për të mirë të njerëzimit, për me davarit terrin e mizorinë, e me përhapë të drejtën e qytetninë, ata duhet ta bajnë gazetën enciklopedi të moteve tona… domethanë që të ketë mbrendë gjithfarë njohunish të nevojshme për shoqninë e jetën e njerëzve, e për t’i pajisë me dije fetare, filozofike, ekonomike, gjeografike, politike, etj, etj. Përndryshe tue kenë se nuk u del koha me i peshue hollë e gjatë shkrimet, gazetarët nuk munden me e krye detyrën e vet, ashtu si pret njerëzimi prej tyne. Arsyeja, pra, për të cilën disa prej gazetave të sotme nuk i përgjegjen kësaj detyre të naltë, ashtë se nuk kanë tjetër literaturë, veç fletoreve e shkarravinave të veta. E këta njerz, sa ma të padijshëm që të jenë, aq ma shumë vehen me shkrue ndër gazeta e ngrihen mbi të tjerë si gjyqtarë e mësues, e mbahen si prijësa të Kombit e atdhetarë të flakët”.
Po këta të njëjtit, mandej sipas tij, me “rrena, me të shpifuna e me trillime gjithfarësh, pa turp e pa njerëzi (me shkrimet e tyre) u marrin, nëpër fletore, nderën burrave ma të kenun të shoqënive ma të zgjedhuna e herë ballafaqe, por ma të shumtën, të fshehun nën emna të rrêjshem, i marrin nëpër gojë e i lnurin, pa u lanë as vend me i dalë zot së drejtës! Këta, pa dyshim, janë murtaja e njerëzimit, qelbësina e kombit e shkandulli i gjithkujt. E kësi njerëzish gjinden sot me shumicë në Shqipni… Njerëz të përmendun shpesh për shnjerëzime, të njohun për vese, të rrjepun e të shkelveshun prej mbrapshtinash, porsi çakaj të tërbuem bërtasin, për mos me thanë, lehin, nëpër gazeta të poshtnueme”. (Marrë nga Kombsija e Kleri katolik, sipas Radio vatikanit).
A thua Fishta do kishte të njëjtin mendim mbi një pjesë të madhe të shtypit të sotëm në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, 35 vite pas shembjes së një perandorie tjetër të errët gjysëm shekullore – atë të perandorisë sllavo-komuniste ndërkombëtare?! Cili do duhej të ishte sot roli i gazetarit shqiptar anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mërgim – në rrethanat e liriës e demokrackisë në çerek shekullin e parë të XXI?!
Për Fishtën, shkrimtari e gazetari është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që e përdor mirë, pa e abuzuar, katedër edukimi, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa me një rast për mendimet e Fishtës për lirinë e shtypit. “Në një mënyrë të posaçme roli i fletoristave (gazetarëve). Gjithkush e di fuqinë e madhe që kanë fletoret në shpirtin e nji populli. Këto janë ato që shëndrisin mendjen e nji populli dhe drejtojnë mendjen e tij drejt përparimit dhe përmirësimit të jetës. Veç duhet që këto të jenë shkrue e rregullue mirë. Për ndryshe, në vend që me kenë faktor i përlindjes, ato do të ishin rrënimi i shpirtit të popullit”, ka cituar Pipa, At Gjergj Fishtën mbi rolin e shtypit në një shoqëri, si ajo shqiptare. Fishta besonte në rolin pozitiv të gazetarit dhe gazetave, si transmetues të ngjarjeve bashkohore, por edhe si vatra të atdhedashurisë dhe të kulturës, ndërsa e konsideronte pendën, edhe si armë mbrojtëse e idealit kombëtar, ndër të tjera. “Me armë kemi ruajtur eksiztencën tonë. Me pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut”, ka shkruar Fishta për rolin e gazetarëve.
Ndërsa, studiuesi dhe njohësi i mirë i At Gjergj Fishtës dhe veprimtarisë së tij si poet e prozator, i ndjeri At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se prej njerëzve të pendës Fishta priste shumë. “Mbi të gjitha, prej gazetarëve të lirë, Fishta priste moral në sjellje, guxim në punë, sinqeritet në veprim, dashuri në mision, vetmohim në shpërblim. Ata lypset të jenë mbrojtësit e së vërtetës dhe farkuesat e atij karakteri kombëtar fisnik e të shëndosh, të pathyeshëm e guximtar, por edhe njiherit të rysun, të disiplinuem, të ndieshëm, e të zellshëm për dije e për punë”.
Po gazetaria e sotme në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në mërgim, çfarë mund të mësojë nga At Gjergj Fishta — në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim — mbi rolin që gazetarët shqiptarë duhet të luajnë sot, si mbrojtës të së Vërtetës dhe si farkues të karakterit kombëtar fisnik shqiptar?
“Shpëtimi i nji populli nuk mund të mbështetet vetëm në trajtën e qeverimit, por duhet marrë në kujdes edhe shpirti që e frymëzon atë.” (Fishta në Hylli i Dritës, III, 1923, 104).