“Shtëpia Kadare”, ekspozohen dorëshkrime të panjohura të shkrimtarit të madh
Në Shtëpinë-Studio Kadare u çel mbrëmë ekspozita e titulluar “Kadare – Dorëshkrime dhe letërkëmbime të panjohura”.
Ishin të pranishëm personalitete të jetës kulturore në vend, si dhe miq e adhurues të shkrimtarit të madh.
Vizitorët e kësaj ekspozite do të mund të shohin dorëshkrime të veprave themelore të shkrimtarit, e gjithashtu letra me peshë për historinë e kulturës shqiptare.
Mes dorëshkrimeve të shumta, kjo ekspozitë përmban edhe një letër që nobelisti Günter Grass i drejtonte Ismail Kadaresë që në vitin 1987, duke i shkruar në emër të Akademie der Künste (Akademia e Arteve në Berlin, themeluar në vitin 1696). Në atë letër Grass i kërkonte Kadaresë të merrte pjesë në Takimin e Artistëve Evropianë, në Amsterdam.
Ekspozita zbulon të tjera kuriozitete nga jeta e kolosit të letrave shqipe. Ajo do të jetë e hapur përgjatë muajve janar dhe shkurt./atsh