Albspirit

Media/News/Publishing

Kohë-hapësira e Ajnshtajnit dhe problemi (i aktualizuar)!


(senad guraziu – ars poetica, sht 2024 – rikomentim)

(mos vallë qenkemi diç si krijesa simulative, holograme biologjike, “simulacione” të ndokujt tjetër, nëse po, atëherë mos pyet, sepse do çoroditej ai kodi virtual i ëndrrave tona, do shembej i gjithë qielli holografik, do ishte diç si “përmbysje zhgënjimtare” e universit humanist)

***
E qartë, shkencëtarët s’i kanë punët dhe aq mirë me “kohë-hapësirën” e Ajnshtajnit (space-time – ngjitur një kopje e artikullit të Quanta), gjithnjë e më shumë duke u rritur problematika. Dhe kjo është për t’u “habitur” sepse përputhet me skepsën tonë (prej komentuesi) në të kaluarën, fort e çuditshme sepse del në pah që më në fund shkencëtarët kanë filluar të mendojnë “njësoj” si ne joshkencëtarët : )

Nga ana tjetër ndoshta dhe s’është për t’u çuditur, pasi secilikush i ka arsyet e veta lidhur me shkencën, jo vetëm shkencëtarët brengosen, edhe joshkencëtarët brengosen për shkencën, apo jo. Në një koment të v. 2019 pata shkruar se e tashmja, koha jonë sikur ngulfatet nga një lloj entuziasmi i çuditshëm “shkencor”. Ngjashëm si në kohën e Ajnshtajnit skeptik, meqë ai vetë nuk besonte aq në kuantikat (ankohej për revistat dhe për literaturat shkencore të kohës së vet).

Ajnshtajni i referohej Teorisë Kuantike si “kundërshti me shkencën moderne… si tendencë kah pikëpamja mistike” – “Aktualisht ekziston një tendencë e caktuar për pikëpamje mistike, e që është duke u publikuar në literaturën e popullarizuar shkencore.” – pati shkruar.

Si shembull të entuziasmit të madh e pata marrë një artikull të “Quanta” ku thuhej se fizikanët ia kanë dalë ta ujdisin një model holografik të “de Sitter-universit”, dhe se kjo arritje (sipas artikullit) eventualisht mund t’i ndihmojë shkencëtarët për ta “kuptuar” njëherë e përgjithmonë origjinën e kohë-hapësirës (për ta zgjidhur njëherë e definitivisht problemin e kohë-hapësirës ajnshtaniane). Lajm i madh ky po se po, në dukje aq i thjeshtë, nuk tingëllon si diç “pompoze”, asfare lajm bombastik – pata bërë shaka.

***
Quanta-revista sikur i thoshte lexuesit se është vetëm çështje kohe, duke përdorur “de Sitter-holografiken”, duke i përdorur spekulimet dhe formulat matematikore do t’i zbërthejmë njëherë e mirë problematikat e tilla kozmike si “koha” dhe “hapësira”!

Mirëpo ç’është “de Sitter-universi”? – mbase diç si model i universit matematikor, thonë shkencëtarët, ashtu i sheshtë dhe pa materien, është si të thuash një “kohë-hapësirë” ajnshtajniane. Ne joshkencëtarët s’e dimë madje ç’është as universi i vërtetë, pa le ndonjë univers imagjinar. Gjithsesi, në njëfarë mënyre supozojmë që koha dhe hapësira janë ai “shtrati” i madh universal – ashtu thoshte Ajnshtajni.

Aty fle ndoshta gjithçka e universit, me materien “ordinere”, me atë të “zezën”, me diej, me yje, me volumin energjitik, me galaktikat, me “vrimëzezat” e me gjithçka të njohur e të panjohur.

Nëse ta kemi “sqaruar” njëherë e përgjithmonë hapësirën e universit dhe kohën, atëherë tutje padyshim “hologrami i de Sitter-universit” do na i sqarojë dhe ca gjëra tjera (sepse gjërat e universit të lidhura zinxhir). Urojmë që “hologrami i de Sitter” t’na e sqarojë jo vetem kohë-hapesirën, por madje dhe ato “gjërat që kemi frikë t’i dimë”.

Me këtë të fundit, me “frikën” e kisha fjalën (si shaka) për hipotezat e simulacionit holografik – meqë, nëse Quanta na thotë se qenka simuluar modeli holografik i “de Sitter space” dhe sëshpejti do sqarohet kohë-hapësira ajnshtaniane… ateherë pra, mos vallë edhe ai i “krisuri” Philip K. Dick thjesht na paska patur të drejtë.

Mos vallë, duke simuluar me kompjuterat dhe duke i vërtetuar shkencat, ndodhë ta zbulojmë të vërtetën e simulacioneve kompjuterike të “ndokujt tjetër”. Nëse mund t’i simulojmë kushtet e universit laboratorik-matematik dhe ta sqarojmë origjinën kohore-hapësinore, çfarë nëse dhe “ndokush tjetër” mundet, çfarë nëse qëmoti është duke u marrë me neve + me simulacionet – do pyeste Philip K. Dick!

Meqë ai ishte ideatori, Philip K. Dick dikur e pati shpalosur idenë se realiteti ynë në fakt mund t’jetë një simulim i parallogaritur dhe i mirëllogaritur, diç si një “matricë” e dirigjuar nga jashtë, ngjashëm me “matricën” kompjterike (siç e kemi sot, mundësuar me gjenialitetin e njeriut). Atëbotë, në vitin 1959 askush ose fare pak kush mund ta ketë marrë seriozisht hipotezën e tij. Më vonë, në v. 1977 qe “përqeshur” diku në Francë, në një tubim të rastit, kur rishtas qe shprehur “…ne jetojmë në një realitet të programuar, gjithçka e botës sonë është një simulacion kompjterik i dikujt…”!

Sot aq shumë shkencëtarë merren seriozisht me këtë “hipotezë”. Dikur talleshin me ideatorin, por sot shkencëtarët thonë se “hipoteza e simulacionit” madje dhe mund të testohet. “Discovery” pohonte se testime të tilla shmangen qëllimisht nga shkencëtarët (rreth hipotezës në fjalë) – meqë, nëse të dëshmohej si e mundshme… atëherë (sipas “frikës” së Discovery) do nënkuptohej se dhe ne vetë qenkemi “krijesa holografike”, simulacione kompjuterike, krijesa të një “super-kompjuteri universal”, pikërisht siç ngulte këmbë dikur ai i “krisuri” Philip K. Dick : )

“Shkenca e ka mundësinë për ta vërtetuar hipotezën e ‘simulacionit’, por shtrohet pyetja nëse vërtet kemi dëshirë ta dimë të vërtetën apo jo?” (Discovery, 2013). Natyrisht, “pyetja” e Discovery aq e arsyeshme – le ta shtrojmë rishtas arsyen, duam, apo s’duam ta dimë?

E njëjta pyetje është dhe “frikë”, Discovery na thotë se shkenca e paska mundësinë për “vërtetim” mirëpo qëllimisht u anashkaluaka vërtetimi. Shkencëtarët i shmangen qëllimisht “vërtetimit”, madje dhe heshtin, as gëk as mëk, thjesht nuk duan “vërtetime”. Thuase donë t’na thonë: më mirë hipoteza e një Dick-u të së kaluarës të ngelet “marrëzi”, sesa t’na shembet realja siç e njohim, bota e shkencave dhe ajo e imagjinatës.

Discovery sikur na sugjeron që disa gjëra më mirë t’mos i dimë kurrë. Ndoshta thjesht sa më shumë teori, sa më shumë hipoteza, sa më shumë artikuj e revistash shkencore, një oqean teorik, dhe sa më shumë entuziasëm. Përndryshe, nëse t’vërtetohej se jemi krijesa simulative, holograme biologjike, “simulacione” të ndokujt tjetër, mbase tutje s’do na nevojiteshin as dijet as shkencat, do çoroditej ai kodi virtual i ëndrrave tona, do shembej i gjithë qielli holografik, do ishte diç si “përmbysje zhgënjimtare” e universit humanist…

Bazuar në entuziasmin e Quanta, sikur na imponohet të zgjedhim mes 2 “përfundimeve” konkluzive. 1) Duhet pranuar se teoria e Philip K. Dick paska qenë (dhe dmth. ende është) mundësi e vërtetë, e mundshme, fare lehtë të vuloset me shkencën e mirëfilltë. 2) E qartë se “entuziasmi shkencor” sot për sot është duke na u rritur e zgjeruar jashtë mase, ndoshta më “gjerësisht” se zgjerimi i vetë universit. Na janë bërë bjeshkë teoritë e hipotezat, aq sa vetë shkenca sikur bie në kontradikta qesharake me vetveten, sikur vetë shkencës i “merret mendja” nga teoritë entuziaste.

Natyrisht, si opsion i përhershëm, si opsion “konstant”, na ngelet dhe buzëqeshja : ) E megjithatë, ja që kemi shkuar aq “larg”, një simulacion kompjuterik dhe voila, do ta zbërthejmë “kohën” dhe “hapësirën”, qoftë ndaras a qoftë së bashku, si “model” ajnshtajnian. Duke e sqaruar kohë-hapesirën do jemi aq afër, mbase do e kapim dhe gravitein për “bishti”. Qëkur kohë-hapesira ajnshtajniane ka kuptim vetëm si e lidhur me misterin e gravitetit. Qëkur s’mund t’ketë as “vrimëzeza” pa gravitetin, qëkur ky i dyti është shkaktari i të parës. E kape bishtin dtth. e ke kapur dhe dhelprën.

Shkurt, si fillim i përmbylljes, pritet ta sqarojmë “kohë-hapësirën” ajnshtajniane, jo se na ngutet me entuziasmin por sepse kaloi një shekull nga profecia e plakut. Pastaj pak ngelet, të tjerat pothuaj vetiu do qartësohen, sepse gjërat të “lidhura”. Fillimisht “bishtin” e dhelprës dinake… pastaj e lehtë, pa bishtin as kometat as vrimëzezat s’na e hedhin dot, pastaj bëjmë, bëjmë, shohim dhe bëjmë.
(s.guraziu – ars poetica, 2019)

***
Dhe ja tani, Quanta jo vetëm duket sikur ka zbritur sadopak më “afër tokës”, por dhe vetë shkencëtarët e pranojnë që s’i kanë punët aq mirë me “kohë-hapësirën” ajnshtajniane:).

Please follow and like us: