Hilmi Saqe: Si u krijua SHPA “Çamëria” 34 vjet më parë?
Në këtë 34 vjetor të krijimit të Shoqërisë Çamëria është momenti që jo vetëm të besojmë në fuqinë tonë si trashëgimtarë të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të vlerësojmë mençurinë e burrave që e deshën shumë Çamërinë dhe sakrifikuan gjithcka për të. Krijimi i Shoqërisë Politike Atdhetare Camëria (Sot Shoqata patriotike Camëria), në 10 janar të vitit 1991, është një ngjarje historike në historinë e kombit shqiptar, pasi shënon fundin e heshtjes së madhe për këtë problem të madh kombëtar.
Politika izoluese e regjimit komunist jo vetëm që e arshivoi çështjen çame si një çështje të harruar, por i privoi refugjatët camë në Shqipëri nga shumë të drejta njerëzore e kombëtare, duke i trajtuar si njerëz të kategorisë së dytë, jo si gjithë qytetarët e tjerë. Madje në vitin 1953 u hoqi shtetësinë greke arbirtrarisht, me një dekret të posaçëm antikushtetues, të njëanshëm, duke e ndërlikuar edhe më shumë cështjen përpara drejtësisë.
Lufta kundër çamëve dhe shpresat për rikthimin tonë në Çamëri po veniteshin nga heshtja dhe mospërfillja e zgjidhjes së çështjes sonë nga shteti komunist shqiptar, gjë që na kishte revoltuar të gjithëve, por diktatura ndaj gjithë shqiptarëve kishte gati Shpatën e Demokleut. Shembujt e kokave që iknin ishin mijëra dhe të pafajshëm. Përndjekjet e regjimit totalitar ndaj kësaj popullsie vitale tashmë janë të njohura dhe kulmuan me inskenimin e “Grupit të Teme Sejkos”. Por, me shpalljen e pluralizmit politik, ngjarjet rrodhën ndryshe nga llogaritë e bëra dhe koha filloi të punonte për Çamërinë. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për çamët një ngjarje historike, sepse ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare.
Nga Dhjetori i vitit 1990 dhe në vazhdimësi u aktivizuam së bashku me shumë të tjerë në themelimin e SHPA ”Çamëria”, dhe në luftën për zgjidhjen e cështjes sonë për kthimin sa më të shpejtë që të ishte e mundur në vendin tonë – në Çamëri, e cila ishte mohuar, luftuar e denigruar nga diktatura moniste shqiptare. Nuk ishte rreshtuar një numër i kufizuarish atdhetarësh, por të gjithë shqiptarët e Çamërisë që jetonin në Shqipëri, që nga Konispoli dhe deri në Shkodër. Për këtë gjë është shkruar shumë dhe një kontribut të madh dha edhe gazeta “Çamëria – Vatra Amëtare”.
Për këto veprimtari një pjesë e vogël është dhënë edhe në vëllimin e I-rë dhe të II-të të ”Gjenocidi Grek kundër Çamërisë dhe helenizimi i Shqipërisë vazhdon”, por në mënyrë të përgjithëshme dhe koherente i ka dhënë gazeta jonë “Çamëria – Vatra Amëtare”.
***
Pas ndryshimit të sistemit në vitin 1991-1992 në pamje të parë u duk se çdo shenjë dhe mënyrë fuksionimi e shtetit dhe partive do të ndryshonte me rrënjë, por sistemi ndryshoi vetëm emërtimet e partive dhe të shtetit, dhe në thelb çdo gjë pothuajse mbeti e njëjtë, në përmbajtje dhe pjesërisht në formë për shqiptarët e ndershëm dhe veçanërisht për ne çamët.
“Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria”, ishte e para Shoqëri me karakter kombëtar që u krijua ishte “Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria”, në programin dhe statutin e së cilës u përcaktua gjithçka në rrafshin kombëtar për sensibilizimin dhe zgjidhjen e çështjes çame.
Momentet e para, para themelimit të SHPA ”Çamëria” ishin shumë shpresëdhënëse për çdo shqiptar të Çamërisë. Kjo gjë u shfaq në gjithë hapësirat ku jetonin çamët dhe jo vetëm. Intelektualët çamë, të përkrahur nga njerëzit e thjeshtë patriotë, filluan organizimin për krijimin e Shoqërisë Çamëria, qysh në dhjetor 1990, me biseda të veçanta me grupe. Biseda bëheshin pafund, por ende ishte e rëndë hija e diktaturës.
Patriotët çamë u organizuan vetë, pa i shtytur njeri, në familjen e tyre çame, për të kontribuar edhe në çështjen kombëtare. Organizimi, me synim krijimin e shoqatës, filloi nga mesi i dhjetorit 1990. Resul Taipi, ushtarak, nga Grikëhori, vendlindja ime, ishte një nga organizatorët e palodhur në ngritjen e seksioneve në lagjet e Tiranës dhe të Degëve nëpër Rrethe dhe bashkë me të tjerë, krijuan mundesinë në shtrirjen e Shoqërisë Camëria në gjithë Shqipërinë.
Takimet e para të koordinuara u bënë studion e skulptorit Ilmi Kasemi, në shtëpinë time, në shtëpinë e Ferhat Sejkos e Sali Bollatit, dhe dy herë në një dhomë të veçantë te pallati i Kulturës. Në lëvizjen për zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare u përfshinë shumë emra të spikatur të komunitetit si: Abaz Dojaka, etnograf, unë Hilmi Saqe, inxhinier, së bashku me tim vëlla, Lutfi Saqen, pedagog, Ilmi Kasemi skulptor, Ferhat Sejko, mjek, Sali Bollati, inxhinier, Petrit Kasemi pedagog, Emin Sejko, Arshin Rexha gazetar, Hasan Minga historian, Petrit Demi historian, Gazali Sejko, jurist, Hasan Musaj kaldaist, Jaho Saliu ushtarak, Martin Demi arsimtar, Rexhep Çami elektricist, Ramazan Banushi pensionist, Bejdo Mehmeti mjek, Daut Xhaferi oficer, dhe katër pesë – ditë më vonë iu bashkuan këtij grupi Nexhat Merxhushi, mësues dhe historian, Fatos Mero Rrapaj folklorist, Laurant Bici pedagog e historian, Ballkize Halili gazetare, Ibrahim Hoxha historian, Gjin Varfi piktor etj. Falë bashkimit të gjithë shqiptarëve të Çamërisë, më 10 Janar 1991 u njoftua themelimi i Shoqërisë Çamëria. Vendimi për miratimin nga Ministria e Drejtësisë, mbante firmën e ministrit Enver Halili dhe u transmetua në TVSH në lajmet e mbrëmjes. Selia e Shoqërisë u vendos fillimisht ku ka qenë deri vonë selia e ambasadës italiane dhe më pas u transferua në Rrugën e Kavajës. Logon e Shoqërsë e ideoi dhe e realizoi grafikisht piktori Gjin Varfi, i biri i shkrimtarit të njohur Andrea Varfi. Menjëhërë në Tiranë dhe në rrethe filloi organizimi. U krijuan 27 degë, gati në gjithë Shqipërinë.
Vijonte puna edhe për ngritjen e seksioneve në lagje. I pari seksion që u krijua ishte ai i lagjes Ali Demi. Dy herë te Varri i Bamit u bë mbledhja për ngritjen e komisioneve pranë Shoqërisë. Jo më pak kontribut kanë dhënë dhe rrethet. Në Vlorë: Fadil Zeqiri, Hajri Xhemali, Doktor Abdullai, Skënder Beqiri etj. Në Sarandë: Skënder Bajrami, Hekuran Halili, Nuredin Çapari, Nuredin Izeti, etj. Në Fier: Agush Veliu, Naim Dalipi, etj. Në Durrës: Masar Rushiti, Ismail Hamiti, Avdul Sulejmani, Adem Hyseni, Safet Cino etj. Në Delvinë: Fuat Omeri, Sami Maksuti, Vera Çeço. Në Konispol Ali Maliqi. Në Ksamil Luan Zeneli. Në Elbasan punoi me devotshmeri patrioti Daman Sinani, i cili u zgjodh edhe Nënkryetar i Shoqërisë, duke mos perjashtuar dhe Emine Sadikun dhe Hyqmet Zanen. Në Lushnje Xhelo Zeqiri dhe Zeneli. Në Kavajë Hasan Tahiri. Në Shijak Subi Dino etj.
Nga fundi i muajit janar 1991, në Pallatin e Madh të Kulturës në Tiranë u organizua një mbledhje me pjesëmarrje të gjerë, për të zgjedhur drejtuesit definitivë të shoqatës. Abaz Dojaka u zgjodh kryetar i Shoqërisë Çamëria, Daman Sinani Nënkryetar dhe Arshin Rexha Sekretar i Përgjithshëm. Procesi i zgjedhjes së drejtuesve u bë duke respektuar Statutin, me vota te fshehta dhe në mënyrën më demokratike.
Tubimi i parë i shoqatës u organizua me rastin e ardhjes së kryeministrit grek Micotaqis, më 31 janar 1991, ku patrioti ynë Tahir Dervishi, me një megafon në dorë, doli para benzit të kryeministrit Micotaqis, në bulavardin qendror para kryeministrisë, dhe i foli me një greqishte të kulluar, aq sa Kryeministri grek qëndroi i hutuar dhe e dëgjoi me vëmendje, kuptohet pa i dhënë përgjigje.
Delegacioni i nivelit të lartë grek erdhi për të testuar politikën shqiptare në adresë të saj në prag të ndryshimeve të mëdha. SHPA “Çamëria” e sapo krijuar reagoi me anë të një letre, duke ja prezantuar edhe ambasadës greke në Tiranë, në adresë të Kryeministrit Micotaqis, por dhe mikpritësit, presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë. Çamëria me këtë rast riformuloi dhe bëri prezente kërkesat e saj të pandryshuara, që nga kongresi i parë i Shalësit, fundi i shtatorit 1944 dhe ai i Dytë Çam në Vlorë, shtator 1945, nëpërmjet Komitetit Antifashist Çam, si përfaqësuese e vetme legjitime e popullatës çame në atë kohë. Rikthimin apo riatdhesimin, Ripronësimin dhe Gëzimin e të gjitha të Drejtave Njerëzore dhe qytetare në vatrën e tyre. Ramiz Alia, i pyetur nga një gazetar shqiptar para takimit, nëse parashihej një ngritje e Çështjes Çame, deklaroi për herë të fundit të karrierës së tij, se “Çështja Çame ekziston në një mënyrë të caktuar dhe do të zgjidhet në një kohë të caktuar”. Pritej qe Ramiz Alia ta ngrinte këtë çështje, por ai preferoi të heshtte përsëri gjate bisedimeve zyrtare, duke mos i dhënë me këtë rast një shkasë Kryeministrit grek të prononcohej zyrtarisht.
Kryeministri Micotaqis, i pyetur vetëm nga gazetarë shqiptarë, në kthim nga vizita e tij e parë në Shqipëri, deklaroi: “Problemi Çam nuk ekziston dhe për qeverinë greke konsiderohet i mbyllur”.
Si aktivitet me rëndësi duhet të përmendim daljen e numrit të parë të gazetës “Çamëria”, më 25 mars 1991, nën drejtimin e prof. Bashkim Kuçukut dhe Arshin Rexhës. Më kujtohet kur doli artikulli i parë i shkruar nga prof. Bashkim Kuçuku, me titull ”Çamëria, Palestinë e Harruar…”, pati jehonë të madhe te komuniteti çam dhe në mbarë opinionin shqiptar.
Veç aktivitetit politik, sensibilizues dhe njohës, vijoi puna dhe për krijimin e ansamblit Çamëria, me artistët Bashkim Braho, Qani Biraçi, Agush Meleqi etj. Ansambli dha shfaqje në gjithë Shqipërinë dhe në Turqi, Kroaci, Spanjë, duke marrë dhe çmime të para. Për të njohur të rinjtë me traditën e valleve karakteristike, si Vallja e Osman Takes etj. u thirrën veteranët çamë Ibrahim Hoxha dhe Xhemil Demi. Takimi i parë masiv i komunitetit çam u bë me rastin e 27 qershorit 1991, në Akademinë e Arteve, për të përkujtuar ditën e gjenocidit. Shoqëria Çamëria filloi të rivendosë kontaktet e mohuara me institucionet dhe figurat më të larta politike në Tiranë
Në periudhën e parë të krijimit të SHPA ”Çamëria” ka pasur relativisht shumë veprimtari brenda dhe jashtë Shqipërisë, për zgjidhjen e problemit të madh çam. Në takimet me personalitete të shteteve të ndryshme dhe ambasadat e tyre në Tiranë, shpesh pyetja e parë qe u vinte në mendje atyre ishte: Sa është numri i popullsisë së Çamërisë, që jeton sot në shtetin shqiptar? Ky veprim i SHPA ”Çamëria” në dokumentimin popullisë sonë ishte i domosdoshëm, dhe u krye nën drejtimin e Krytarit të parë të saj – Docent Abaz Dojaka.
Në përgjithësi se si ka punuar ShPA “Çamëria” që nga themelimi i saj, më 10 Janar 1991, deri në vitin 2000, është trajtuar pjesërisht në librin tim “Genocidi Grek Kundër Çamërisë vazhdon”, vëllimi i parë dhe i dytë, por këtu po trajtojmë disa probleme dhe takime të ndryshme gjatë rrugëtimit të SHPA “Çamëria” ndër vite, si edhe aktivitetit e kryesisë së Përgjithme dhe të degëve dhe luftën që është bërë kundër zërit të SHPA “Çamëria” nga elementë të ndryshëm, me ose pa pushtet shtetëror, si dhe lufta e shtetit grek për shuarjen dhe përçarjen tonë, luftë që e kemi pasur vazhdimisht që kur u dëbuam nga vatrat tona.
PD që ishte në pushtet dhe kishte shumicën në parlamentin shqiptar në vitet e para pas 1990, miratoi ligjin Nr.7839 Date 30.6.1994 mbi “Gjenocidin Grek kundër Çamërisë”, duke njohur 27 Qershorin si Ditën e Gjenocidit, gjë që për ne ishte një mbështetje domethënëse. Fillimi i PD-së u duk i mbarë, prandaj mbështetja e elektoratit çam ishte pothuajse i gjithë me PD-në.
Ndërsa PS nuk shfaqi asnjë interes ose mbështetje të zgjidhjes së çështjes çame. Elementët çamë që militonin ose simpatizonin PS-në ishin pothuajse të papërfillshëm. Me kalimin viteve kursi i dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së alternonte në varësi të interesave të tyre partiake dhe personale në raport me shtetin grek. Në vëllimin e parë “Gjenocidi grek kundër Çamërisë Vazhdon”, janë dhënë një pjesë e vogël e veprimtarisë së SHPA ”Çamëria” në raport me kancelaritë Euro-Atllantike, por veprimtaritë e organeve të zgjedhura gjatë asaj periudhe kanë qenë aktive dhe dinamike në përgjithësi nga gjithë popullsia e komunitetit çam në Shqipëri në të gjitha 27 degët.
Këtu do të trajtojmë vetëm disa momente të punës sonë, që ruhen në arkivin personal të Shoqatës. Më datë 27 Nëntor 1997 kërkuam takim me Ambasadoren e SHBA-ve Znj. Mariza Lino, por ata na kumunikuan se ambasadorja ishte e zënë dhe mund të na priste Sekretarja Politike e Ambasades, Znj. Lynn Gurion. Nga ana e SHPA ”Çamëria” morën pjesë Hilmi Saqe, Arshin Rexha dhe Agush Veliu. Nga ana jonë u trajtuan të gjitha problemet dhe shqetësimet tona dhe gjithë historia që nga 1913 dhe deri në vitin 1991, duke përfshirë gjenocidin grek, spastrimin e plotë etnik të Çamërisë nga shqiptarët myslimanë, si dhe trajtimin negativ ndaj çështjes çame nga diktatura moniste. Sekretarja Lynn pyeti:
– A i keni shtruar këto kërkesa ministrit të Jashtëm Milo?
– A keni marrë takim me Ambasadorin grek në Tiranë?
– Qeveria shqiptare a i ka shtruar këto probleme delegacioneve greke?
Dhe disa pyetje të tjera.
Ju përgjigjëm të gjitha pyetjeve të znj.Gurion.
As Milot, as ambasada greke dhe as qeveria shqiptare s’ishin me ne, në asnjë nga këto. Në fund i dorëzuam një material të plotë të Çështjes Çame, së bashku me kërkesat tona për qeverinë e SHBA-ve.
1-Në fund zonja Grion na premtoi se të gjitha kërkesat tona do ia bënte prezent ambasadores Mariza Lino.
2- Do të bëjmë prezent kërkesat tuaja në organet tona eprore.
Takimi kaloi në mirëkuptim të plotë.
Në fund i shprehëm bindjen, se tek SHBA-të ne kemi besim se problemet e shtruara do të mbështeten nga Departamenti Amerikan i Shtëtit për zgjidhje adekuate. Takimi zgjati 60 minuta.
Nga viti 1997 – 2000 kam drejtuar SHPA ”ÇAMERIA”. Forumet drejtuese të degëve dhe ajo qendrore punonin për Çamërine, natyrisht pa asnjë lloj shpërblimi. Por pavarësisht kësaj detyrat duhet të kryeheshin njëlloj, madje më mirë se i shërbenim një çështjeje tepër të rëndësishme. Një event që vlen të evidentohet është me rastin e 27 Qershorit 1998 të Genocidit grek kundër Çamërisë. Shtetarët shqiptarë dhe organet përkatëse të tyre kishin planifikuar dhe organizuar pikërisht në ditën gjenocidit grek ndaj nesh një koncert grek në Hotel Rogner të Tiranës, ku do të merrte pjesë dhe presidenti i Shqipërisë. Ndërsa ne, SHPA”Çamëria” kishim organizuar një mbledhje përkujtimore në Muzeun Historik Kombëtar dhe në mbrëmje në qendër të Tiranës te monumenti i Skënderbeut kishim planifikuar një homazh për të rënët e Çamërisë nga gjakësorët grekë duke ndezur qirinj të shumtë dhe me pjesëmarrje të gjerë.
Në të njëtën kohë nëpërmjet “Radio Kontakt-it”, njoftuam kundërshtimin tonë të drejtë dhe me forcë të zhvillimit të koncertit të provokuar nga grekët në Tiranë dhe organizatorët shqiptarë. Në Tiranë pati një reaksion jo të vogël atë mbrëmje të dhimbshme për ne nga qindra pjesëmarrësit e mitingut tonë dhe jo vetëm ata. Nga ana tjetër një grup të rinjsh kishin njoftuar Hotel Rongerin, se nëqoftëse do të jepej koncert grek atje do të kishte pasoja të mëdha për vet Hotel Rognerin, organizatorët e atij koncerti grek dhe pjesëmarrësit në atë koncert antishqiptar.
Vonë në mbrëmje morëm njoftim se grekët nuk dhanë asnjë koncert atë natë në Tiranë dhe presidenti i vendit nuk kishte vajtur.
Më datën 18 dhe 19 Nëntor 1999 u organizua “OSCE Istanbul Sumit”, ku merrnin pjesë gjithë personalitetet kryesore të shteteve përkatëse dhe më kryesori ishte presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton. Nga SHPA ”Çamëria” merrnin pjesë H. Saqe, H. Minga dhe G. Haxhiu. Falë organizatorëve, ne ishim të privilegjuar si SHPA “Çamëria”, mbasi na siguruan lidhje direkt me telefon dhe me fax me të gjithë delegacionet e OSBE-së që merrnin pjese në këtë Samit. Në fakt gjatë këtyre dy diteve u lidhëm direkt me personelin e delegacioneve të SHBA, Britanisë, Gjermanisë, Kanadasë, Austrisë, Italisë, Hollandës, Izraelit, Zvicrës, Francës etj. Problemin, shqetësimin dhe kërkesat tona ua transmentuam direkt përfaqësuesve zyrtarë të shteteve që merrnin pjesë me shkrim dhe me gojë. Numrat e telef onave dhe Fax të tyre disponohen edhe sot. Përfaqësuesit zyrtarë të kryetarëve të shteteve që merrnin pjesë në delegacionet përkatëse, na siguronin se çështjen tonë do t’a kalonin te eprorët e tyre. Po kështu patëm takime me ambasadat e huaja kryesore të akredituara në Tiranë. Kemi organizuar protesta relativisht të mëdha sa herë që delegaciont kryesore të shtetit grek bënin vizita zyrtare në Tiranë, ose me rastin e dites së 27 Qershorit 1944 të gjenocidit grek kundër Çamërisë. Natyrisht për realizimin e këtyre veprimtarive ka pasur edhe shumë shkopij nën rrota nga reaksioni antiçam dhe antishqiptar, nga lobet greke brenda vendit tonë, të organizuara dhe te paguara nga shtet-kisha greke, madje kohët e fundit këto janë shtuar shumë.
E keqja qëndron tek shteti dhe partitë politike shqiptare, që gjithmonë kanë luajtur dhe luajne politikën e Strucit.
Po ne a kemi pasur të meta? Patjetër, por për një gjë jemi të sigurtë: Disa vite përpara te SHPA ”ÇAMËRIA” nuk ka pasur ngecje në vend, aktiviteti dhe veprimtaria e saj kanë qenë jo të vogla, si brenda Shqipërise ashtu dhe jashtë saj.
Nëqoftëse kemi pasur ndonjë herë kënaqësi të madhe shpirtërore, ka qenë pikërisht koha kur gjithçka fizike, shpirtërore dhe ekonomike ia kemi kushtuar çështjes çame, jo vetëm gjatë drejtimit të Shoqërisë, por që para themelimit të saj, në dhjetor 1990, së bashku me shumë bashkëatdhetarë të tjerë.
Plagët tona rrjedhin gjak akoma, ndaj ne nuk mund të heshtim! Askush nuk e vë ujin në zjarr për ne. Shteti shqiptar, partitë politike shqiptare, me sa duket do të vazhdojnë të luajnë politikën e Strucit, si gjithmonë, duke injoruar problemin çam dhe të Çamërisë. Prandaj, si ish- themelues i Shoqatës “Çamëria” dhe Kryetar i saj në vitet 1997-2000, mendoj se del detyrë kryesore e SHA ”Çamëria” që të aktivizojë të gjitha degët, në Tiranë dhe në rrethe dhe të merren vendime të rëndësishme për forcimin e luftës sonë të drejtë për zgjidhjen e problemit çam. Çamëria është shpirti i gjithë çamëve. Ajo ka qenë dhe do të mbetet përjetë, derisa pasardhësit tanë ta gëzojnë atë. Me siguri dita e zgjidhjes së problemit tonë do të vijë, siç i erdhi Kosovës.