Kristaq Balli: Leon Çika, piktori dhe fotografi modern
“Nëqoftëse ju nuk kapni momentet, ato do të zhduken përgjithmonë” Lailah Gifty Akita
Në dt. 9 Janar 2025 është ndarë papritur nga jeta piktori dhe fotografi i njohur modern shqiptar, si dhe miku e kolegu ynë i shtrenjtë, Leon Çika.
Duke shprehur dhimbjen për humbjen e tij, por edhe respektin e vlerësimet e larta për krijimtarinë artistike që la trashëgim, po hedh një fragment për jetën dhe veprimtarinë e tij nga katalogu “Albumi I Fotografëve rë Dardhës” (Dardha’s Photographers), f.327-357:
Leon Çika është një prej artistëve kontemporanë të spikatur, shumë aktiv e protagonist profesionist në fushën e artit pamor, edhe në pikturë edhe në fotografi.
U lind në Tiranë më 12 Korrik 1954 nga një familje dardhare shumë e njohur për traditat dhe kontributin e saj patriotik, sidomos në fushën e arsimit shqip. Gjyshit të tij me të njëjtin emër i atribuohet çelja e shkollës së parë shqipe në Dardhë si dhe hartimi në gjuhën shqipe i teksteve të shkencave natyrore për shkollat shqipe. Shtëpia e tyre në Dardhë është një nga pasuritë memoriale dhe një vendbanim i Leonit e familjes së tij gjatë udhëtimeve për shplodhje apo krijimtari.
Në vitin 1976 përfundon Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë i specializuar në degën “piktor i artit grafik”, pas së cilës punon në disa institucione e projekte artistike kryesisht në pikturë. Gjatë viteve 1979-81 është anëtar i grupit ekspozues dhe piktor i afreskeve dhe gravurave për Muzeun e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në fortesën e qytetit të Krujës. Ndërkohë ka filluar edhe lëvrimin e fotografisë dhe gjatë viteve 1980-85 e gjejmë si shef të departamentit të fotografisë dhe fotograf në Agjencinë Shqiptare të Lajmeve. Më tej, fotografia bëhet profesioni i tij bazë dhe në vitet 1985-1989 caktohet shef i fotografisë artistike dhe shef i departamentit të Fotografisë së përgjithshme të muzeut “Enver Hoxha””në Tiranë. Krijon dhe printon fotografi të përmasave të mëdha (16m x 4m të realizuara në dhomë të errët).
Prej vitit 1993 e në vazhdim e gjejmë si reporter, producent dhe kameraman për “Televizionin Reuters” në Shqipëri.
Si pedagog i fotografisë në fakultetin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, Shqipëri angazhohet gjatë periudhës midis viteve 1998-2000 dhe si profesor i fotografisë në Institutin Zvicerano-Shqiptar të fotografisë (Projekti 5.6) punon gjatë viteve 2007-2008.
Gjatë aktivitetit të tij të vazhdueshëm e të pasionuar artistik ai ka kontribute të veçanta e të dalluara në pikturë dhe fotografi. Disa prej paraqitjeve dhe ekspozitave kolektive apo vetiake janë edhe këto:
1997 – Ekspozitë personale pikturash në qytetin e Gramshit.
1986 – Ekspozita pikture në Qendrën Kulturore në Tiranë.
1986, 1987, 1988 – Ekspozitat e fotografisë organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë me pjesëmarrës ndërkombëtarë.
1981-1994 si fotograf profesionist merr pjesë në botime dhe ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare të Fotografisë Artistike në revista të ndryshme arti.
1998-1999: çel dy ekspozita me bashkautor Adnan Kastrati, në Hotel “Rogner”, Tiranë.
2005 – 2006 : çel dy fotoekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve, me temën e turizmit shqiptar.
Janar 2010 : merr pjesë në ekspozitën kolektive të pikturës në qytetin e Pogradecit .
2012 : Çelin ekspozitat e pikturës me bashkautorë, në Kledio Galeri, Tiranë, etj.
Veprimtaria në artet pamore të pikturës dhe fotografisë (kryesisht artistike), siç shihet ka qenë shumë e ngjeshur, e bollshme por edhe e mirëpritur dhe e vlerësuar nga opinioni, rrethet artistike dhe kritika e specializuar artistike. Leon Çika njihet sot kombëtarisht, edhe më gjerë për këmbënguljen, intensitetin dhe frutet e tij të punës në publik. Ai është kujdesur që, veçanërisht në fotografi, të punojë me synime të veçanta edhe në botime tematike e të kompozuara tepër serioz kryesisht në fushën e trashëgimisë urbano-arkitektonike e etnokulturore, apo turistike. Midis botimeve të tij veçohen:
“Icons of Berat” (Ikonat e Beratit) (bashkautor), Album i ilustruar me ikona shqiptare.
“Albanian Painters in Italian Academies” (Piktorë Shqiptarë në Akademi Italiane)(bashkautor), Album i ilustruar me vepra të autorëve shqiptarë.
“Berati”, Album i ilustruar vetiak me fotografi.
“Gjergj Kastriot Scanderbeg”, Album i ilustruar me foto nga Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, etj.
Gjithashtu, ai ka kontribuar në shumë raste si anëtar apo kryetar i jurive të konkurseve prestigjoze të fotografisë artistike në trevat shqiptare.
Veprimtaria e tij krijuese në artin pamor është vlerësuar me çmime e tituj nderi, ndër të cilat ai ka merituar dy çmime në dy ekspozita fotografike të organizuara nga Ministria e Kulturës të Shqipërisë më 2005 dhe 2006, është fitues I Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Marubi”, i çmimit Kombëtar për pllakatin më të mirë mbi përvjetorin e Çlirimit nga Nazizmi,etj.
Atij i janë akorduar, gjithashtu, medalja “Naim Frashëri” dhe “Urdhëri Naim Frashëri” i klasit të parë. Ai është vlerësuar, gjithashtu si një ndër 15 personazhet “Histori Suksesi” i vitit 2015, “si personalitete të cilët kanë ditur të japin impakt në shoqëri sikundër kanë arritur që përmes vullnetit të tyre intelektual të përçojnë më të mirën në komunitet.”
Biografia më e sukseshme artistike e Leon Çikës koincidon fatmirësisht, me periudhën pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur ai ishte ende një artist i ri dhe kur në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha pozitive edhe në fushat e lirisë dhe të drejtave të artistëve në mënyrat e shprehjes së tyre figurative.
Leon Çika përfaqëson atë elitë artistësh të çliruar nga barrierat dhe ideologjia e socrealizmit dhe që iu futën punës për të evidentuar tharmin e tyre artistik nëpërmjet një mendësie e gjuhe të re artistike, si dhe formash moderne të të shprehurit dhe transmetimit me mjete estetike individuale e origjinale të artit të tyre. Midis këtyre artistëve kontemporanë, ai veçohet si një piktor peizazhist impresionist, ashtu si edhe një fotograf profesionist e artistik modern .
Meqënëse kjo vepër ka të bëjë me fotografinë, Leon Çika i përket, padyshim, edhe plejadës së fotografëve dardharë fillimi i të cilëve koincidon me vitet kur, ashtu si në të gjithë Botën, edhe në Shqipëri sapo kishte filluar ky lloj i ri artizanati që do të fitonte tipare më artistike e rekreative me kalimin e kohës. Dardha cilësohet si një nga vendet djep të fotografisë tradicionale shqiptare dhe që e ka praktikuar atë në mënyrë të pandërprerë që prej viteve 1865 e përgjatë gjithë kohrave deri sot duke treguar edhe evolucionin e saj historik e artistik nga një “çast i ngrirë primitiv” (Jani Zengo), deri në konfrontime të karakterit eksperimentues estetizant, abstrakt, surrealist, formalist, duke luajtur me të gjitha mënyrat dhe mundësitë që të jep imagjinata prej një artisti krijues e deri në shfrytëzimin maksimal të teknologjisë së aparaturave dhe materialeve të kohëve moderne (tek Leon Çika). Në këtë këndvështrim fotografët dardharë, me siguri si në asnjë vend tjetër (edhe pse fshat si Dardha), mbeten autorë dhe personazhe të një historie krahinore të pandërprerë të fotografisë për më se 150 vjet, por me kontribute ballafaquese e referuese të vyera edhe brenda Historisë së Fotografisë Shqiptare në të gjitha etapat, madje deri në SHBA.
Në këtë shpurë Leon Çika, ky artist piktor e fotograf i kompletuar kontemporan, plotëson tablonë e tyre tradicionale me bashkëkohësinë e thuajse te gjitha tematikave, subjekteve, kromatikave, këndvështrimeve e përpunimeve teknologjike që nga fotoja nudo e deri në fotopeizazhet e fotopllakata të dimensioneve të thella e të gjera hapësinore të konceptuara artistikisht si vepra arti. Veçmas, katalogët e albumet e tij për Beratin, si edhe botimet e tjera përbëjnë prurje të rëndësishme të fotografisë artistike dhe të promovimit të bukurive të binomit harmonik që natyra dhe dora e njeriut kanë krijuar në shekuj dhe që kanë stimuluar improvizime artistike edhe në fotografitë e këtij autori. ”Çika operon i sigurt e me sukses në fotografi nëpërmjet gjetjes së këndmarrjes, kuadrimit dhe ndriçimit të imazhit, që përbëjnë mjetet kryesore shprehëse të artit të fotografisë…albumi përbën një vepër me vlerë në fotografinë shqiptare, nga e cila kanë ç’të mësojnë edhe ushtrues pasionantë të artit të fotografisë në vend.” (Q.Vrioni: Fotografi Leon Çika, një album drite për Beratin, Gazeta “Panorama”, 6.01. 2014)
Leoni ka fotografuar e pikturuar thuajse në gjithë Shqipërinë, madje edhe jashtë saj. Nuk mungojnë, sigurisht edhe peizazhet në pikturë e fotografitë magjpsëse nga Dardha, të cilat mbeten një fragment i veçantë dashurie e nostalgjie për origjinën e tij.
Burime referimi:
Wikipedia, the Free Encyclopedia.
Vangjo Ilo, Niko Stefani: Fotografë dardharë, kumtesë, Sesioni Shkencor, Dardhë, 1984.
Gazeta Panorama 6 Janar 2014: Q, Vrioni: Fotografi Leon Çika, një album drite për Beratin.
Q. Vrioni: Mbi albumin fotografik “Berati” të Leon Çikës. Gazeta ILLYRIA, 29.5.2017
Gazeta Monitor: Leon Çika.Fotografi i natyrës shqiptare
ATSH: Gjergji Mima: Albanian Excellence, Mbrëmje Gala për ndarjen e çmimeve “Histori Suksesi 2015”, 19 Dhjetor 2015.
QOFTË E PASHUAR FLAKA E KUJTIMIT TE JETËS DHE VEPRËS ARTISTIKE TË PIKTORIT DHE FOTOGRAFIT TË SHQUAR LEON ÇIKA!
PUSHO NË PAQE, MIK!