Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Dritan Demiraj: Vota e diasporës me peshë të madhe në zgjedhjet shqiptare

Të nderuar bashkëkombas që jetoni në SHBA! Të nderuar vëllezër dhe motra!

Sot fillon dita e rregjistrimit të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë këtu për zgjedhjet e datës 11 maj 2025. Dita e votimeve është dita në të cilën secili prej nesh ka përgjegjësinë e madhe për të votuar për të ardhmen e Shqipërisë gjatë katër viteve të ardhshme. Si asnjëherë tjetër, diaspora në këto votime ka një rol dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme për të zgjedhur kandidatet e saj më të mirë.

Krejt ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, diaspora ka mundësi që të krijojë kushtet nëpërmjet votimit të kandidatëve të saj më të mirë, që në drejtim të vendit të zgjedhë një forcë politike të përgjegjshme, forcë e cila mbështet profesionistët, njerëzit që nuk kanë vjedhur, njerëzit që duan Kombin, flamurin, familjen, librat duke bashkëpunuar ngushtë me forcën politike e cila kërkon me sinqeritet partneritet dhe jo gallatë sa për të kaluar radhën me profesionistët e shumtë që jetojnë dhe punojnë në diasporën Shqiptaro-Amerikane.

Numri shumë i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë duhet të ndërgjegjësohet se forca dhe vota e saj nuk janë për shitje siç ka ndodhur këto 30 vite, por për ndryshimin e madh që kërkon koha.

Që nga dita e sotme personalisht do të angazhohem çdo ditë që të ndërgjegjësojmë dhjetëra mijëra shqiptarë që fillimisht të rregjistrohen dhe më pas të bashkohemi me një ofertë cilësore të maksimalizojmë peshën dhe rëndësine e votës sonë, të cilën askush nuk ka as para aq më tepër as moral ta blejë në Shqipëri.

Së fundi, ju ftoj që të gjithë së bashku të injorojmë me përbuzje plotësisht cdo ‘personalitet humorist’ që vjen nga politika e vjetër dhe ‘dordolecët’ e politikës së re, të cilët kujtojnë se kanë zgjuarsi të manipulojnë votën e diasporës me programet e tyre qesharake, pa dëgjuar ofertën e tyre për përfaqësuesit e diasporës në qeverinë e ardhshme.

Vota jonë ka peshë më shumë se asnjëherë dhe këtë peshë duhet ta shfrytëzojmë me zgjuarsi, njëlloj si orteku ‘Trump’ për të cilën në mënyrë të veçantë Detroit Diaspora ka një meritë të madhe gjë të cilën vetë presidenti Trump e ka deklaruar dhe vlerësuar në TV.

Të gjithë ata që kanë adresa në facebook dhe rrjete të tjera sociale ta ndajnë në sa më shumë shtete këtë mesazh, megjithëse do vijojmë intensivisht gjatë javëve në vazhdim me intervista politike në TV dhe portalet tona.

Please follow and like us: