Energjia Elektrike? Avantazhi konkurrues përmes qasjes parimore dhe kreative!
Edmond Vlashaj
Problemi:
Ca bolshevikë të vegjël dhe bolshevikë të mëdhenj, po i ndajnë dhe po i përçajnë njerëzit në Shqipëri, në të varfër dhe të pasur:
– Duke i shpërblyer të varfërit me premtime elektorale.
– Duke i ndëshkuar të pasurit me ndëshkime elektorale.
Zgjidhja:
– Disa parime sqaruese pikësëpari:
Miq, të jesh i varfër nuk është fundi i botës, as fundi i jetës.
Varfëria mund të jetë një rrethanë apo një situatë, ku ndoshta jo gjithçka varet prej teje, por kur përfundon në një “gjendje”, atëhere domethënë se edhe ti vetë je duke kontribuar më së shumti në rënien në këtë gjendje.
Sidoqoftë i varfëri nuk ka nevojë as për lëmoshë, as për premtime dhe as për ngushëllime elektorale për t’ia shfryrë pezmin duke ia ndëshkuar të gjithë shkaktarët imagjinarë të “gjendjes” së vet në varfëri, duke ia ndëshkuar ata, pra, të pasurit.
– Të pasurit, investitorët, sipërmarrësit, biznesmenët janë bekim për vendin tonë.
– Të pasurit, investitorët, sipërmarrësit, janë lokomotivat që tërheqin vagonet e zhvillimit social-ekonomik të çdo vendi, mjafton që shinat e hekurudhës së zhvillimit social-ekonomik të jenë adekuatë në përputhje me parimet e lëvizjes dhe terrenin përkatës.
Çdo lloj favorizimi apo përfitimi të padrejtë nga një qeveri e caktuar ndaj një biznesmeni të caktuar nuk mund t’i përgjigjet apo ta zgjidhë qeveria pasardhëse përmes vendosjes së “Tatimit të jashtëzakonshëm bolshevik” apo përmes vendosjes në “listën e zezë të kulakëve”.
Vetëm puna e Pushtetit të Pavarur të Drejtësisë, nga njëra anë, si dhe puna e përditshme e Qeverisë pasardhëse në Garantimin e Mundësive dhe Shanseve të Barabarta mund të korrigjojë çdo pabarazi social-ekonomike të paligjshme.
Tani le të kthehemi te zgjidhja:
– Konsumi i Energjisë Elektrike për njerëzit ka lidhje me ushtrimin e Lirive dhe të Drejtave Bazike Jetësore dhe Kushtetuese, pra ka lidhje me të Drejtën e Jetës, e drejtë bazike për garantimin e së cilës ekziston vetë Kushtetuta dhe Shteti.
Përndryshe, për çfarë do të na duhej Shteti dhe Kushtetuta?
Porse, kjo e drejtë e garantuar natyrisht duhet të jetë në përputhje me mundësitë dhe rrethanat vendase.
Për bizneset konsumi i energjisë elektrike mund të jetë një avantazh konkurrues, apo një dizavantazh varësisht prej cilësisë së shërbimit dhe çmimit përkatës.
Kushdo e di se, produktet dalin me çmime më të lira në treg nëse do të kishte një çmim më të ulët të energjisë elektrike, duke filluar nga buka e përditshme, ushqimi, etj.
Kushdo e merr vesh se produktet shqiptare do të shiteshin më shpejt dhe më kollaj edhe në tregjet e huaja nëse fabrikat, serat, stallat, punishtet, do të kishin një çmim më të ulët të energjisë elektrike.
E të tjera arsyetime logjike që pasojnë njera-tjetrën.
Investitorët e huaj çmimin më të ulët të energjisë elektrike e vlerësojnë si avantazh konkurrues.
Me çmimin më të ulët të energjisë elektrike i kemi mundësitë për të tërhequr investitorë nga e gjithë bota, sepse në librat e tyre të llogarive, çmimi më i ulët i energjisë elektrike përbën një avantazh konkurrues të fortë krahasimisht me vendet e tjera.
Qasja për të rritur investimet në shfrytëzimin e burimeve të energjisë së rinovueshme brenda vendit tonë, duhet të jetë një qasje kreative, për të rritur avantazhet tona konkurruese, në mënyrë që të fuqizojmë prodhuesit vendas, por edhe të tërheqim investitorët e huaj, duke ju garantuar furnizim të bollshem me çmimin më të ulët të mundshëm të energjisë elektrike, në kontinentin tonë.
Qasja për të pasur një çmim unik si për banorët ashtu edhe për bizneset, si dhe qasja për të mbajtur çmimin më të ulët të mundshëm në kontinetin tonë, do të bënte të mundur uljen e nivelit të korrupsionit, si dhe lulëzimin e turizmit, rikthimin e popullsisë së shpërngulur këto vitet e fundit, si dhe ardhjen e qindra-mijëra pensionistëve nga vende të pasura si Italia, Gjermania, vendet e ftohta Nordike, etj.
A është e mundur?
Po! I kemi mundësitë.