Fatmir Minguli: Shënime mbi librin “Qasja ndaj librit dhe leximit” të Rifat Ismailit
“Një libër është dialogu që nis me lexuesin e vet, intonacioni që i imponon zërit të tij si dhe imazhet e ndryshueshme dhe përzgjedhëse që le në kujtesën e tij”, Borges.
Kisha kohë që doja të shprehesha për krijimtarinë e studjuesit dhe shkrimtarit Rifat Ismaili që prej dekadash jeton në Savona në Itali. Fati e solli që të më binte në dorë e të ndalem në librin e tij më të fundit, “Qasja ndaj librit dhe leximit”. Eshtë një libër me ese i ndarë në katër kapituj që nisin nga “Studimi i letërsisë”, “Arti si formë njerëzore”, “Libri si urë mes shpirtrave” e që përfundojnë në kapitullin e fundit “Fenomene negative të letërsisë” duke qenë njeri më ndryshe nga tjetri por të lidhur me fillin magjik të krijuesit Rifat Ismaili.
Siç duket dhe nga titujt kemi të bëjmë me një libër të veçantë, ndryshe dhe menjëherë mbasi e mbaron së lexuari e studjuari i bën vetes pyetjen: A është një libër thjeshtë me ese? Një libër studimor mbi letërsinë? Një libër udhëzues për të hyrë në monopatet e vështira të bërjes letërsi? Janë të treja së bashku?
Për mendimin tim libri “Qasja ndaj librit dhe leximit” është një thirrje, një ofertë virtuale për këdo që ka dëshirë të shkruaje e për t’u bërë pjestar i denjë i “Republikës së pavarur së letërsisë”. Ka njerëz intelektualë apo jo që me një sinqeritet thonë se kanë shumë mendime në kokë për probleme të ndryshme sidomos në drejtim të prozës por që nuk janë në gjendje të shkruajnë duke formuluar ato mendime që u vërtiten në kokën e tyre.
Vetë Rifati e nis librin e tij me esenë që titullohet “Letërsia nuk është sfidë”, një ide brilante ku ai shpalos faqet e një traktati në teorinë e letërsisë. Dhe nuk vonon të thotë se “letërsia është një udhë që duhet ta përshkosh me vetflijim dhe zellin e asketit”. Më bukur nuk mund të thuhet.
Gjatë bisedës që bëmë në Durrës, nëntorin e kaluar mbi letërsinë e sotme, së bashku me autorin Pol Milo, ishim në mendim unison, veçanarisht për kritikat letrare.
Eseja “Letërsia nuk është sfidë”, është mesazh i plotë shpirtëror ç’ka e thotë vetë Rifati: “Të shkruash nuk është sfidë, por një peshë jomateriale, të cilën e shkund prej shpirtit tënd dhe i jep lirinë dhe fluturimin e zogut.”
Ai edhe për poezinë thotë se: “…poezia, shpesh është si antibiotik, kundërvepron duke shfarosur vrerin dhe mërzinë, kthehet në shiringë me magjinë për të të mbrojtur nga kotësia dhe si shërim i shpirtit.”
Shpirti është gjithçka për botën e krijuesve. Edhe për poezinë, Rifat Ismaili shkruan: “E keni parasysh një vorbull brenda ujit? Edhe poezia ngjan me vorbullën. Ajo e dalë nga shpirti është si gropë thithëse…” Ai edhe pse e trajton shpirtin konfliktual të artistit përsëri shkon te fiksimi kryesor i teorisë së tij mbi letërsinë, se libri është një urë mes shpirtrave. Ja pse ai është i veçantë me këtë libër sa të thjeshtë aq edhe të mistifikuar.
Në vitin 2011 shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Sulejman Mato botoi librin e tij “Arti i të shkruarit”, një libër tepër i nevojshëm apo siç e quajti Moikom Zeqo “një libër guidë në shtegtimin mes sekreteve të librave”, por libri i Rifat Ismailit ka tjetër natyrë, më bashkëkohore, më pak klasike e më shumë eseistike ku lejohen “fluturimet” e guximshme që mëtojnë të sjellin aspekte të reja në botën krijuese. Në librin “Qasja ndaj librit dhe leximit” ai është në rolin e eksploratorit mes sekreteve të krijimit letrar dhe kritikës letrare parë dhe duket si një vazhdim i ideve që Sulejman Mato ka dhënë kaq vite më parë. Këtu na ndihmon edhe shprehja e autorit Italian, Lorenzo Renzi, në librin e tij “Come leggere la poesia ( Si ta lexojmë poezinë); “Nuk ekzistojnë emocione të reja në këtë botë. Ekzistojnë mjete të reja për të provuar të njejtat emocione”.
Në okielon e Rifat Ismailit shfaqen ngjyra nga më të ndryshmet por pjesët më të bukura që sjellin këto emocione janë esetë apo proza poetike si “Një natë mes poetësh” apo “Shkrimtarja emergjente”. Tek kjo e fundit ka një pasazh tejet aktual për poezitë e ditëve të sotme:
“Atëhere, kur e shihte frymëzimin të këputur në mes dhe trurin në një qorrsokak pa rrugëdalje, një gjethe u shkëput e ra vetiu prej pemës në qilimin e gjelbër e të butë të kopshtit. Do shkruaj për gjethen – the me vete e lumturuar dhe e frymëzuar. Përse ra gjethja vallë? Kush e rrëzoi gjethen? Era? Apo u tha nga mungesa e dashurisë? Apo nga dashuria e tepërt u shter? Çfarë roli ka gjethja në evoluimin e jetës? Përse na duhen gjethet?Pasi shkruan shtatë poezi mbi gjethen, dhe gjysmë romani për historinë e jetës së saj, ndjehesh që ke realizuar detyren prej poeti e shkrimtari…”
Sarkazma është e thellë dhe e dhimbshme por Rifati e ka pa të keq këtë lloj kritike që shfaqet nga njëra faqe në tjetrën. Ai e ndjen se bota e tij shpirtërore tek shkruan këto ese e kritika, herë të hapta e herë të maskuara me vellon e satirës, është e lidhur me magjinë dhe misterin të cilat janë promotorë të krijimtarisë së vërtetë. Vetë Tolstoi njihet nga shumë njerëz si shkrimtar shumë i madh por pak e dinë se ai është ndër të parët mistikë të shquar të ortodoksisë ruse.
Eshtë kjo arsyeja që ai tregohet tejet i kthjellët në kapitullin e fundit të këtij libri të tij ku flet si asnjë tjetër për fenomenet negative të letërsisë. Ai dënon mlleftësinë, poezinë apo prozën inatçore ndaj individit e jo shoqërisë, për mëndjemëdhejtë apo “gjigandët” siç e quajnë ata veten e tyre. Ai sqaron fare bukur tiparet e hierarkisë letrare dhe botën e fshehur të artit, ajo botë që udhëheqin mediat dhe politikanët, një fenomen që ka marrë hov në panairet kombëtare të librit.
Si përgjigje për këto fakte të letërsisë së fshehur Rifati shkruan esenë e tij pamfletike “Njerëz e letërsi të dënuara”, ku shpalosen idetë e tij sa reale po aq edhe të përkrahura nga autorë të sinqertë të kritikës letrare, pa hyrë në zgjedhat e politikës. Rifati, me një stil konçiz, na tregon pjesë të letërsisë dhe autorë të saj të dënuar nga politikat e monizmit që nuk lejoheshin të botoheshin. Vetëm si shembull po përmend analizën që Rifati bën për Musine Kokalarin dhe veprën e saj. Apo për jetën dhe poezinë e Drita Çomos, për të cilën poeti ynë durrsak Agim Bajrami ka shkruar një lirikë.
Libri “Qasja ndaj librit dhe leximit” nuk është thjeshtë qasje. Eshtë një bisturi e mprehtë që operon mbi plagë të kohës së letërsisë së sotme, si durrsake, ashtu edhe mbarë kombëtare. Puna e tij nuk është vetëm një udhërrëfyes për ata që duan të shkruajnë, por edhe një thirrje për ata që duan të kuptojnë. Në botën e tij, çdo libër është një udhëtim i ri, një portë drejt mistereve të mendjes dhe zemrës njerëzore. Në analizat e tij, ai nuk e glorifikon autorin, por e vë atë në shërbim të lexuesit, duke e kthyer çdo vepër në një urë mes shpirtërave.
Rifat Ismaili mbetet një shembull i shkëlqyer i asaj se si një autor dhe studiues mund të ndërtojë një marrëdhënie të ndjeshme e të thellë me letërsinë, duke na kujtuar se libri nuk është vetëm një objekt, por një pjesë e gjallë e shpirtit njerëzor. Ai na fton të jetojmë me librin, të frymojmë me të dhe të mos harrojmë kurrë fuqinë e tij për të ndryshuar jetën tonë. Ai nuk ka rënë në grackat e maskuara me barin e verdhë të lavdërimeve të kohës, por ai e sheh letërsinë në sfonde të kthjellta, plot diell e plot ngjyra që janë të së ardhmes dhe që shfaqen herë pas here edhe në ditët e sotme.