Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: Shuhet përgjithmonë Aqi Golloshi, artisti fotograf surealist

Një koincidencë e trishtë në shpurën e fotografëve të shquar dardharë.

Pas përcjelljes në banesën e fundit të fotografit dhe piktorit të njohur Leon Çika, drita e një tjetër “ylli”  e  këtij konstelacioni artistësh, Alqi Golloshi,  është  shuar dje, më 11 Janar 2025 nga një sëmundje e rëndë...

Alqi Golloshi u lind në Tiranë në vitin  1959 në një familje me tradita në fushën e fotografisë. Babai i tij Ilo Vero Golloshi, i cili e ka mësuar profesionin e fotografit në studion e mjeshtrit të njohur korçar Maku (Mandi Koçi),  ka qenë një nga fotografët prominentë në Tiranë, koleg i ngushtë me profesionistë të tjerë si Kallfa, Pici, Veseli, etj. Për shumë vite ai ka drejtuar laboratorin fotografik të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ku  la përvojat e tij fotografike dhe kontribuoi për evidencimin e një brezi tjetër fotografësh, më të rinj, që do të dilnin në skenën e fotografisë me tendenca të reja mjeshtërore e artistike e që do t’i jepnin fotografisë tipare më të çliruara, më demokratike, më abstraguese e më figurative, duke kombinuar traditën e fotografëve më të zëshëm, por edhe individualitetin e tyre dhe duke shfrytëzuar njëheresh progresin e madh teknologjik global.

 Ndërkaq, nëna e Alqit, është nga fshati Dardhë i Korçës, pra nga një fis i madh e  njohur  i komunitetit të këtij fshati të bukur turistik, i famshëm e me tradita të veçanta edhe në lëvrimin e ikonografisë e fotografisë. Ndoshta në këtë traditë shekullore e ka një shkëndijë prirjeje e trashëgimie edhe krijimtaria artistike e djalit të saj Alqi, i cili, sa herë e sjell rasti nuk rri pa u krenuar se është po aq dardhar sa nëna e tij dhe është i lidhur fort shpirtërisht  me traditën e fotografëve të vjetër dardharë e realisht ndjehet njëri prej tyre.

 Alqi ka filluar të merret me fotografinë qysh në moshën adoleshente nga kurioziteti, pasioni, por, pra,  edhe nga një “sinjal” shpirtëror gjenetik familjar. Duke patur në dispozicion përvojën dhe pajisjet e babait të vet, atij iu krijua mundësia të shpërfaqë ambicjen e tij për të hapur shtegun ku do të vijonte të përqëndrohej e evoluonte jeta e tij profesionale e artistike. “Babai më injektoi dashurinë për këtë formë arti.” (Bisedë me Alqi Golloshin, Qershor 2016)

 Pasi mbaroi studimet, i përgatitur tashmë  si një fotograf i ri, në vitin 1982 ai filloi punën si fotograf profesionist në organet e shtypit “Luftëtari” dhe “10 Korriku”,  për të qëndruar aty 10 vjet rresht. Pas ndryshimeve historike, politike e shoqërore të vitit 1991, të cilat, krahas të tjerash u shoqëruan edhe me një hapje e liri demokratike  të të shprehurit profesionalisht e estetikisht,  ashtu si për shumë  intelektualë, krijues e artiste të rinj, u çelën mundësi të reja, të paprovuara më parë, por edhe të guximshme e sfiduese. Kjo ndodhi edhe me Alqin. Më 1992 ai vendosi të hapë studion e tij fotografike “Foto Algo Studio”, një nga studiot e para private në qendër të Tiranës, e cila në sajë të aktivitetit dhe menaxhimit të saj me nivel të lartë profesional, me prirje ndaj fotografisë artistike, jo vetëm që i rezistoi kohës (për më se 25 vjet), por funksionon edhe sot si një prej studiove më të preferuara, sidomos për  shërbime në evente brenda dhe sidomos jashtë studios.

 Veprimtaria fotografike e Alqi Golloshit brenda dhe jashtë studios ndërthur dy aspekte specifike. Nga njera anë shërbime imazherike komerciale   që përbëjnë bazën e qëndrueshmërisë së biznesit të tij dhe nga ana tjetër krijimtaria artistike fotografike, ku ai ka krijuar një traditë origjinale dhe ka kontribute të admirueshme përballë opinionit artdashës dhe kritikës së specializuar të artit pamor. Madje fotografia e tij  artistike dhe promovimi i saj ka influencuar pozitivisht edhe në suksesin e plotë të “Foto Algo Studio”, ku fizionomia e saj mbetet gjithashtu aspekti estetik.

Krijimtaria artistike fotografike, veçanërisht e asaj artistike  e Alqi Golloshit është e njohur nëpërmjet ekspozitave të shumta vetiake e kolektive,  si dhe vlerësimeve e çmimeve që atij i janë akorduar, apo pjesëmarrjes në juri të ndryshme vlerësimi dhe në ekipet e organizimit dhe kurimit të ekspozitave.

 Kështu, ndër ekspozitat e tij përmendim:

 Viti 1986: Ekspozitë vetiake, Pallati i Kulturës, Tiranë.

 Viti 1991: Ekspozitë vetiake “Ringjallja e Fesë në Shqipëri”, Muzeu Historik Kombëtar,Tiranë.

 Viti 1996: Ekspozitë vetiake në Bratislavë, Sllovaki. I ftuar në muajin e fotografisë artistike.

 Viti 1997: Ekspozitë vetjake në Pragë, Çeki.

 Viti 1998: Ekspzitë vetjake “Miss Shqipëria” Pallati i Kongreseve, Tiranë.

 Viti 1999: Ekspozita “10 Fotografë Shqiptarë”, Galeria e Arteve, Tiranë, etj.

 Viti 2016: Ekspozita kolektive “Ditët e Fotografisë”, Tiranë, Korçë, Pogradec.

 Viti 2016: Ekspozitë kolektive, Art Kafe Restorant, Dhjetor

 Ai ka merituar, gjithashtu këto çmime:

 1987: Çmimi II në Konkursin vjetor të revistës “Ylli” Tiranë.

 1988: Çmimi i parë në  Konkursin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.

 1996- Cmim i parë. Konkurs i revistës “Fotografia Art”.

 2000: Çmimi  i parë në Konkursin Ndërkombëtar “Marubi 2000”, GKA, Tiranë me veprën “Eklips 99”

Si artist fotograf, Alqi Golloshi i përket më së shumti atij brezi të rinjsh që pasi e kishin konsliduar fillimisht veten si fotografë profesionistë me një prodhimtari fotografish të porositura që duhej t’i qëndronin rigorozisht strikt kornizave politike e ideologjike të propagandës totalitariste e butaforike të sistemit të dekompozuar socialist, veçanërisht në fushën e mbrojtjes nga rreziku kapitalist, pas rrëzimit të atij sistemi dhe “vërshimit” të lirive dhe të drejtave  të shumëfishta, e gjetën veten të përgatitur dhe, në sajë edhe të prirjeve e talentit të tyre, por edhe të kontaktit e afinitetit me zhvillimet e Historisë Botërore të Fotografisë, në vorbullën e dëshirës dhe pathosit të tyre për t’iu bashkëngjitur noviteteve për artistizimin e fotografisë dhe aplikimin e rrymave e zhanreve të reja që “kamera obskura” gjithsesi i kishte të konservuara  brenda,  patën aftësinë të gjenin çelsin e misterit të saj dhe mundësive që të krijonte ajo, ashtu sikundër syri e mendja prej artisti.

Kijimtaria në fotografinë artistike të këtij autori tentoi kah studimit e  abstragimit imazherik dhe estetizimit të subjekteve duke integruar kryesisht dy elementë, kompozimin si shprehje e përmbajtjes dhe graficizmin si formë e paraqitjes vizuale të fotos apo kolazhit fotografik. Trupi i njeriut, kryesisht i femrës në pozicione të sudiuara me kujdes (shpesh pjesërsht,apo plotësisht nudo) i plotësuar me objekte apo elementë të tjerë dhe nën efektin e dritave dhe kundërdritave që krijojnë kontraste të forta, apo kalime të buta e graduale blur në teknikën bardhezi,  përbëjnë konceptin e veprave të tij, sigurisht me mesazhin e bukurisë fizike e shpirtërore, si dhe të brishtësisë e erotizmin dhe dinjitetit human të një bote feministe universale që nuk “thërret”, por ndihet emocionalisht në tërësinë e kuadrit.

“Pas kthimit nga Bratislava, Golloshi bëhet më i qartë në rëndësinë e cikleve fotografikë në shërbim të idesë. Të kësaj periudhe janë ciklet: “Feja” (4 vepra), “Njollat” (7 – 8 vepra), “Trupi dhe drita” (10-12 vepra), “Duart” (10-12 vepra) që i marrin disa vjet punë këmbëngulëse. Veçanërisht te ciklet “Njollat” dhe “Duart” Golloshi krijon efekte të fuqishme grafike, që japin njolla formale dekorative e forma herë-herë fluide. Magjia e punës krijuese me plastelinë, apo e fotografimit të personazheve për fëmijë e kombinuar me përvojën dhe mjeshtërinë e fotografimit ka arritur të na japë disa vepra fotografike krejt origjinale, të bukura e të magjishme”, (Monitor,27.03.2012).

(Nxjerrë nga katalogu “ALBUM I FOTOGRAFËVE DARDHARË”, 2020. K. Balli, f. 359 -382).

Please follow and like us: