POLICIA E SHTETIT 112 VJEÇARE, INSTITUCIONI I PARË I SHTETIT
(Me rastin e 112 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar (13.1.1913–13.1.2025), të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës të drejtuar nga Ismail Qemal Vlora. Policia e Shtetit me moshë e trajektore përtejshekullore, me pikënisje idealet kombëtare, mëkuar me gjakun e 226 dëshmorëve, e 422 të rënëve, ka qenë, është dhe mbetet përjetësisht, garancia e sigurisë publike shqiptare. Rrugëtimi i Policisë së Shtetit ka kaluar përmes suksesesh, sfidash, arritjesh ndonjëherë dhe dështimesh, përmes gjakut dhe sakrificash, megjithëse sot Policia është e aftë të përmbush misionin e saj ligjor “Për Policinë e Shtetit”: “ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, parandalimin dhe luftën ndaj kriminalitetit, garantimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e jetës e të pronës dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në përputhje me Kushtetutën e aktet ndërkombëtare”.
Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Akademia e Sigurisë
Në rrugëtimin e ngritjes së institucioneve të shtetit shqiptar, pas krijimit të Ministrive të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ngritja e Policisë së Shtetit ishte “institucioni i parë pas Pavarësisë shqiptare” më 13 janar 1913 në Vlorë. Rendi dhe qetësia publike në Shqipëri ishte meraku i Ismail Qemalit që më 2 nëntorin e vitit 1912, kur u nis nga hoteli “Pera Palace” të Stambollit drejt Shqipërisë, për shpalljen e pavarësisë së shtetit të fundit të Ballkanit. Pavarësia e Shqipërisë, zgjedhja e organeve ekzekutive e legjislative të shtetit më 1912-ën ishin aktet sublime dhe domosdoshmëri jetike në katraurën ballkanike e europiane të fillimshekullit të XX-të. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, për këtë akt madhor dhe vendimtar të shqiptarëve. Diplomatikisht u njoftuan edhe shtetet ballkanike si: Rumani, Mali i Zi, Serbi, Bullgari, Greqi e Turqi, duke ju kërkuar njohjen e pavarësisë, që ishte vullneti i gjithë shqiptarëve. Më 28.11.1912, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare. Ministrat u përzgjodhën nga të gjitha trevat shqiptare. Pavarësia përbënte aktin madhor dhe ngjarje kulmore në historinë e shqiptarëve, fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të gjithë shqiptarëve, për tërësinë tokësore dhe krijimin e shtetit të pavarur. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës. Vetëm një javë më vonë u formatua qeveria, ndërkohë që nevojë imediate ishte rendi, qetësia dhe siguria e brendshme. Rendi dhe qetësia ishte një prej obligimeve themelore të qeverisë së Vlorës. Ndjenja patriotike ishte pishtari i ndezur i atdhetarisë për tu mbrojtur nga rreziqet e brendshme dhe të jashtme. Policia e Shtetit është struktura që e kërkon koha në të gjitha epokat. Krijimi i policisë së shtetit për herë të parë u bë bazuar në vizionin e themeluesit të shtetit, i cili në ditët e para të 1913-ës thoshte: “..siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”, porosiste Kryeministri Ismail Qemali prefekturat dhe bashkitë e vendit. Në funksionin administrativ policor, drejtor i parë ishte Halim bej Gostivari. Për herë të parë në një qeveri shqiptare nisi të funksiononte Zyra e Sigurimit Publik, që thënë ndryshe ishte Drejtoria e Policisë Shqiptare, me detyra administrative dhe gjurmuese, ndërkohë që shkollimi ngeli një ide në letër. Më 13 janar 1913 Qeveria e Përkohshme e Vlorës mori vendimin për krijimin e Forcave të Rendit, të Policisë dhe Xhandarmerisë, (AQSH, Fondi dokumentar nr. 245/II, viti 1913, dosja 69, f,1,2.). Detyrat e Kryeministrit të parë dhe Kuvendit të Vlorës, për rend e qetësi publike do kryheshin nga xhandarmëria që kryente funksione të policimit dhe drejtohej nga Sali Vranishti, Alem Tragjasi, Hysni Toska, Hajredin Hekali. Katër muaj më vonhë, më 4.5.1913 u krijua Shtabi madhnuer, që varej xhandarmëria me tre batalione: të Vlorës, Beratit e Elbasanit. Më 3.6.1913 u miratua “Rregullorja e Milicisë shqiptare të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës”, një dokument i rëndësishëm për kohën. Më 20.12.1913, doli dekreti i Qeverisë së Vlorës mbi Formimin e Xhandarmerisë shqiptare në krahinat e jugut, ku për organizimin e xhandarmerisë shqiptare një ndihmese të konsiderueshme ka dhënë edhe Misioni holandez i kryesuar nga De Weer që erdhi në fund të tetorit 1913 në Shqipëri. Shqiptarët bazuar dhe te rekomandimet e xhandarmërisë hollandeze krijuan 4 reparte xhandarmërie me 300 xhandarë secili. Në një periudhë prej një shekulli dhe dymbëdhjetë vjet Policia e Shtetit ka pasur historikun e zhvillimit, në përputhje me politikat shtetërore të disa rregjimeve republikane, monarkike, socialiste e demokratike, në periudha edhe nga më komplekset. Policia ka qenë domosdoshmëri jetike e shtetit, kërkesë e publikut, për misionin themelor në shërbim të rendit, qetësisë, sigurisë, komunitetit, zbatueshmërinë ligjore. Organizimi i parë i Policisë u bë në bazë drejtorie ishte me qendër në Vlorë. Drejtuesi i parë i policisë shqiptare në shtetin e Ismail Vlorës ishte Halim bej Gostivari nga Gjakova, më tej Fehmi Mezhgorani nga Tepelena. Identifikimi i mbiemrave të drejtorëve fillimisht flet për gjeografinë e hapësirës gjithëshqiptare nga vinin drejtuesit e institucioneve në fillim të shekullit të kaluar, edhe përtej hapësirës administrative të “Shqipërisë londineze”. Fakt është se, Policia Shqiptare është ngritur nga vetë shqiptarët dhe më vonë edhe është mbështetur e këshilluar nga ekspertë e specialistë hollandezë e më tej britanikë, edhe pse është ruajtur tiparet, identiteti i misionit civil të Policisë, formati i evropian, por dhe me norma juridike për gjurmimin, hetimin, arrestimin, mbrojtjen e të drejtave e të lirive të individit, ndalimet e hyrjeve me forcë në shtëpitë e qytetarëve, grumbullimet pa armë etj.
Përvojat botërore të policimit dhe xhandarmërisë dhe fryma e policimit shqiptar
Detyra emergjente e sigurisë së brendshme të shtetit, strukturimi mbi bazën e eksperiencave botërore të policimit ishte parësore për kohën. Ndërkohë që europianët, ballkanasit dhe më gjerë kishin dekada që ecnin në “shinat” e sigurisë së brendshme të shteteve. Europianët e njihnin anglezin Robert Peel, nismëtarin për miratimin mbretëror britanik të Aktit të Policisë Londineze të 19 qershorit 1829. Ai vendosi policinë e Londrës nën kontrollin si një zgjidhje për shkak të frikës së publikut në lidhje me vendosjen e forcave të ushtrisë në çështjet e brendshme. Sekretar i Brendshëm Robert Peel ishte i pari në botë që organizoi forcën policore përgjatë linjave civile, në vend se forcave paramilitare. Për tu dukur neutrale, uniforma ishte porositur e prodhuar qëllimisht në ngjyrë blu, sesa e kuqe, e cila ishte atëherë një ngjyrë ushtarake. Bashkë me oficerët të armatosur vetëm me një shkop druri dhe një raketë sinjalizuese për nevojën për ndihmë në rast rreziku. Radhët e policisë për kohën nuk përfshinin tituj ushtarakë, me përjashtim të gradës së rreshterit. Forca policore prej 1000 djemsh, ose “Bobsat”, për nder të krijuesit të tyre, Robertit, nuk mbante armë zjarri, edhe pse Robert Peel autorizoi Komisionerin të blinte pesëdhjetë pistoleta xhepi, për t’u përdorur në rrethana të jashtëzakonshme, që lidhet për rastët e përdorimit të armëve të zjarrit. Karakteristikat e bobsave ne sytë e publikut ishin “helmeta, shkopinj, bilbili”. Në Londër dhe jo vetëm vjedhjet ose thyerjet e shtëpive, ishte një problem i zakonshëm për policinë. “Shkelësit e shtëpive” ishin zakonisht të armatosur. Atëherë ishte gjithashtu e ligjshme, sipas projektligjit të të drejtave, për anëtarët e publikut që ishin protestantë, siç ishin shumica, të zotëronin dhe të përdorin armët e zjarrit. Pas vdekjes së oficerëve me armë zjarri në rrethet e jashtme të metropolit dhe debatit publik për armatosjen e forcës, Komisioneri i kërkoi Robert Peel për autorizim për të furnizuar oficerët në rrethet e jashtme me revolverë. Autorizimi u dha me kushtin që revolverët të lëshoheshin vetëm nëse, sipas mendimit të oficerit të lartë, oficerit mund t’i besohej ta përdorte me siguri dhe me përgjegjshmëri të lartë. Britaniku Robert Peel në mendjen e njerëzimit ka ngelur si “babai” i policisë së botës. Eksperienca britanike u përhap në mbarë botën, edhe në Shqipëri, që kishte aspirata të mëdha të shtetformimit. Tiparet e policimit në vendin tonë i përhapi edhe grupi i xhandarmërisë hollandeze me De Veerin në krye. Pas viteve ’20-të vështrimi u hodh edhe përtej kufirit administrativ shqiptar dhe në maj 1923 Kolonel Sterling mbriti në Shqipëri. Më 29.9.1926, vendin e inspektorit të përgjithshëm, që mbante gjenerali anglez Frank W. Sterling e zuri gjenerali anglez Perssi. Më 1933, në krye të Xhandarmërisë ishte nënkolonel Shefki Shatku, oficer i përgatitur dhe i arsimuar në kohën e mbretërisë së brishtë shqiptare në ndihmë të Xhandarëmrisë, kishte në dispozicion gjeneralin anglez në pension Perssi. Policimi në Shqipëri kishte kaluar në rrugë “të pashkelura”. Misionin e policimit e kryente Garda dhe Xhandarmëria shqiptare, si elemente të sigurisë së brendshme deri në prill 1939, kur pushoi funksionin me pushtimin e vendit. Misioni i policimit i Xhandarmërisë më 1936 kishte një kolonel, katër nën/kolonelë, 8 majorë, 16 kapitena të I-rë, 32 kapitena të II-të, 40 togera, 43 nëntogera, 144 oficerë gjithësej me buxhet të përgjithshëm 3.250.000 franga ari, që për kohën dhe forcën institucionale të shtetit të brishtë shqiptar ishte një shumë e konsiderueshme.
Policimi në periudhën e ringritjes së institucioneve të paluftës së Parë Botërore
Vitet ’20-të janë vitet ku vendosej ardhmëria e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, Lufta e Vlorës dhe pas konferenca e Versajës, ishin ngjarjet ku shqiptarët kaluan momentet më të rëndësishme historike të shtetformimit. Më 1919-1920, qeveria rivlerësoi rëndësinë e Policisë. Ajo organizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Botore dhe u dha kompetenca nënprefekturave e prefekturave që të organizojnë zyrat e Policisë dhe të caktojnë policët në detyrë. Strukturat e Policisë u shtrinë në 14 nënprefektura, me efektiv prej 5 komisarë, 8 nënkomisarë, 43 policë, që ishin emërtuar “komiseri”. Ishte hera e parë në historikun e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pati buxhet financiar, që në Nëntor 1919, buxheti u rrit 30% më 1920. Paga e punonjësve të policisë shënoi rritje me argumentin e përmirësimit të gjendjes dhe rritjen ndërgjegjësimin e policëve të shtetit të rilindur shqiptar. Viti 1920-të ishte viti i riorganizimit të Policisë shqiptare me drejtori policie në prefektura dhe shtimin e limitit organik të saj. Drejtorë të rinj të policisë dhe komisarë policie të rinj ishin sikurse administratorët vendorë e drejtuesit në strukturat e xhandarmërisë, ushtrisë e milicisë. Më 1921 roli i Policisë u fuqizua dhe iu kushtua kujdes i posaçëm i aftësimit për kryerjen e veprimeve proceduriale që në çastin e njoftimit për ngjarjen, ndjekjen me shumë përgjegjësi të ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin rigoroz në një raport në çdo dy javë. Kontrolli i territorit ishte detyrë bazale. Në metodën e policimit u kufizua e drejta e veprimit arbitrarisht ndaj individëve.
Policia e Xhandarmëria shqiptare nga vitet ’20-të të fillimshekullit të kaluar deri në pasluftën e Dytë Botërore në Shqipëri
Policimi shqiptar në gjysëm shekulli (1920-1990) eci në tre rregjime. Në vitet 1927, 1928 u bënë përpjekje për organizimin e Policisë Shqiptare sipas modelit italian, për zbatim të ligjit për Administratën Civile, duke synuar dhënien e të gjithë kompetencave prefektit për kontrollin e policisë. Në dhjetëvjeçarin 1928-1938 policia dhe xhandarmëria ka pasur zhvillime pozitive, ku futën elementë modernë perëndimor ne fushën e strukturave dhe legjislacionit te policisë e xhandarmerisë; krijohen për herë të parë, policia bashkiake më 1928, policia rurale më 1929, policia kufitare më 1930, policia e sigurimit publik më 1938, roja mbretërore e kufirit më 1939, xhandarmëria qytetase me atributet e policisë urbane, etj. Periudha e viteve 1939-1944 ishte në peshën e LIIB, ndërsa Policia në më të shumtën ishte strukturë e qetësisë e rendit në rrethana specifike të luftës. Fillimisht ajo ishte pjesë e trupës së armatosur e Policisë në Shqipëri, në varësi të kryesisë së Këshillit të Ministrave, por e inkuadruar në trupën policore të Mbretërisë së Italisë. Në strukturën organizatave spikatin Drejtoria Qendrore e Sigurimit Publik, zyrat e prefekturave, zyrat në nënprefektura dhe zyrat e kufirit dhe të post-porteve tokësore e detare. Gjatë LIIB strukturat e policisë e xhandarmërisë në pjesën me të madhe u asimiluan dhe u profilizuan sipas interesave të shteteve pushtuese. Gjatë pushtimeve italiane dhe gjermane, policia u integrua në strukturat ushtarake me emërtimin “Trupa e Armatosur e Policisë”. Për periudhën e pushtimit Italian policia ishte në mbikëqyrjen e këshilltarit të përhershëm të policisë italiane dhe shumë funksionarëve të tjerë italianë. Kjo periudhë pati fuqizim të policisë, rritje të përgjegjësive. Më 1943, në zonat e çliruara, u krijuan strukturat partizane për ruajtjen e rendit e qetësisë publike: Komandat e Qarkut, Komandat e Vendit dhe rojet vullnetare. Pas LANÇ-it organizimi e strukturimi i policisë është bërë sipas modeleve lindore. Çlirimi nga pushtimi nazifashit i vendit solli politika të reja në misionin dhe funksionin e policisë. Bërthamat e njësive policore të krijuara në zonat e çliruara gjatë luftës ishin të gatshme të merrnin përgjegjësinë e mbajtjes së qetësisë. Më 14.5.1945 u bë riorganizimi i policisë, për gjithë strukturat ushtarake të komandave të qarqeve dhe njihet si “krijimi i Policisë Popullore”, si strukturë e MPB, që varej nga Drejtoria e Policisë dhe në periudhën 1946-1948 limiti organik ka variuar nga 2286 deri në 3766 vetë. Deri më 1982 limiti organik i Policisë së Shtetit ka qenë i pandryshueshëm, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme ndikuan në rritjen e limit organik të Policisë. Më 1991 shifra e punonjësve të rendit arriti në 21 mijë punonjës. Në fillimin e këtyre viteve kanë zanafillën krijimin e strukturave të forcave speciale, shtimi i masave të sigurisë për VIP-at dhe rritja e numrit të policisë kufitare.
Arsimimi policor garant i ardhmërisë së rendit dhe sigurisë publike shqiptare
Arsimimi është fytyra e së ardhmes së një kombi, prandaj edhe për formimin policor shqiptar është menduar që në fillim të shekullit të shkuar. Përgatitja është bërë me kurse, ndërkohë që shkolla e lartë e MPB është ngritur më 20.12.1971 me VKM dhe që kishte tre degë, një prej të cilave ishte edhe “Dega e Policisë”. Vendosja e demokracisë në Shqipëri u shoqërua me reformim, ristrukturim për personelin, standartet e policimit dhe përmirësimin e infrastrukturës policore. Rrugëtimi përtej shekullor i Policisë Shqiptare, lidhet me obligimin moral e shpirtëror të përulemi në shenjë të thellë nderimi e respekti para punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës në emër të sakrificës sublime në përmbushje të misionit ligjor për të garantuar rendin e qetësinë publike në Shqipëri. Gjithë piramida shtetërore duhet të kuptojë dhe mirëkuptojë, por dhe nderojë gjithë ata që mbrojtën jetën e njerëzve me jetët e tyre. Prandaj mirënjohja për “gjakun e policisë që është gjak i shtetit” duhet të jetë në themelin e veprimtarisë zhvilluese në sigurinë publike në vend. Në një shekull e njëmbëdhjetë vite të ekzistencës së Policisë shqiptare vlen nderimi dhe vlerësimi i pjesëmarrësve të ndershëm të Policisë, të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan në përballje me elementët kriminalë, në çdo skaj të atdheut, larg familjeve, në kushte jo të favorshme pune e jetese por me bindjen e brendshme dhe pasionin e lartë për t’i shërbyer me rigorozitet ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve me jetën e tyre dhe garantimit e të ardhmes së qetë e të sigurtë në Shqipëri. Policia Shqiptare është në krah të policive moderne evropiane, e barabartë në frontin kundër krimit. Policia sot ka potencialet intelektuale e profesionale që janë të nivelit dhe standarteve që sigurojnë efikasitet të lartë në përmbushjen e misionit të saj, në përmbushje të kryerjes së detyrimeve ligjore e profesionale të përgjegjësive, si në fushën e krimit të organizuar ashtu edhe në atë të policimit në tërësi. Policia e Shtetit sot ka një bazë të sigurt të arsimimit modern, të kualifikimit dhe trajnimeve që është Akademia e Sigurisë tashmë edhe e akredituar zyrtarisht në pikëpamje institucionale dhe programore, për FSH dhe KPFP. AS-ja ka rreth 40 marrëveshje bashkëpunimi me jashtë dhe brenda vendit. Në ligjin për Policinë e Shtetit, nr. 82/2024, parashikohet që Policia e Shtetit të ketë institucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ e menaxherial. “Akademia e Sigurisë” është institucion i lartë arsimor i profilizuar në fushën e sigurisë publike. Ndërkohë që VKM nr. 185 datë 25.2.2015, është datëkrijimi i Akademinë e Sigurisë, përgjegjëse edhe për edukimin dhe trajnimin e punonjësve të strukturave të tjera të sigurisë në vend. Për herë të parë ka Rektor të dekretuar nga Presidenti i RSH-së. AS-ja ka në dispozicion Qendrën Kërkimore Shkencore dhe të Projekteve, që ka realizuar disa projekte kërkimore shkencore, konferenca shkencore ndërkombëtare e kombëtare, që publikohen në revistën e njohur shkencore “Policimi dhe Siguria”. Akademia e Sigurisë është institucioni unik që punon fort për përmbushjen e misionit dhe të vizionit, ku veprimtaria në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor është vlerësuar në vijimësi nga publiku dhe autoritetet më të larta të ekzekutivit, MB-ja dhe DPPSH-së. Misioni i Akademisë së Sigurisë është zhvillimi dhe transmetimi i dijeve me anën e mësimdhënjes dhe kërkimit shkencor, në fushën e rendit dhe sigurisë për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese. Përgatitja dhe edukimi policor është përparësi e programit politik të qeverisë dhe MB-së dhe e PSH si aset i pazvendësueshëm për ardhmërinë në luftë ndaj krimit, rendit e sigurisë publike. Akademia e Sigurisë ka bërë hapa të sigurtë vitet e fundit për akreditim institucional 5 vjeçar, akriditim të programeve, përthithjen e kontigjenteve për Bachelor direkt nga shkollat e mesme. AS-ja, me “Vendim të Bordit të akreditimit (IADLEST-USA) u certifikua me një rezultat prej 93,7 pikë, ku ndër 72 Akademitë policore, në kategorinë “Shkëlqyer”, një ndër 4 Akademitë më të vlerësuara për periudhën 2024-2027, ndërkohë që po aplikohen në organizimet programore modelet e universiteteve më të përparuara në Evropë dhe Qendrave Federale të Trajnimeve për Zbatimin e Ligjit (FLETC) në ShBA. Rritja e standardeve akademike të mësimdhënies, përmirësimi i programeve mësimore që zhvillohen në AS-së janë reflektuar në trajnimin e 8670 specialistësh nga fusha të ndryshme pjesëmarrës në 344 trajnime. Në akademi administrohen aktualisht 110 programe, për specialist të hetimit të krimeve, funksione të veçanta, fitimin e gradave në rolet e mesme dhe të larta, për strukturat e tjera si AMP, BKH, zjarrfikësin, policinë ushtarake, policinë e burgjeve, për punonjësit me status “Nëpunës civilë” dhe “Punonjës administrativë”. Arsimimi policor është në përputhje me ligjin e arsimit të lartë dhe ligjit për Policinë e Shtetit, mirëkuptues e institucional, ku “sfida ngelet ndryshimi”.Rrugëtimi nga kursi i parë policor i 21.5.1938 i drejtuar nga Major Viktor Shantoja, vijon sot me Rektorin Prof. Mandro që është drejtuesi aktual i 19-të i AS-së. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, që janë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ligjzbatuese dhe ka standarte e kapacitete për të realizuar metodat bashkëkohore të hetimit; kanë në dispozicion teknologjinë e informacionit e aplikon sistemet bashkëkohore në strukturat e policimit. Policia e Shtetit meriton nderim e mirënjohje në këtë përvjetor të rrugëtimit të saj përmes flakëve të përzhitura të krimit dhe triumfeve mbi vështirësitë. Policia e Shtetit nga drejtori i parë Halim bej Gostivari e deri te drejtori aktual Drejtues Madhor Ilir Proda (drejtori i 45 në radhë që nga viti 1913 dhe që e ka marrë detyrën më datën 2.10.2024), ka pësuar një transformim të madh, ligjor strukturor dhe arsimor, që meriton respektimin e punonjësve që mbrojnë, ruajnë rendin e sigurisë, që përmbushin misionin ligjor garantues të qetësisë publike. Policia e Shtetit është profesionala, me vlera njerëzore që ka merituar dhe meriton mirënjohjen e publikut shqiptar. Policia përbëhet nga djem e vajza e popullit nga gjithë Shqipëria dhe janë mbrojtësit e jetëve njerëzore, në shërbim të qytetarit, të rendit e qetësisë publike.
Biografitë e drejtorit të parë dhe drejtorit aktual të Policisë së Shtetit shqiptar
Halim Bej Jakova – Gostivari ka qenë drejtori i parë i policisë së shtetit shqiptar. Halim Gostivari ishte lindur në qytetin e Gjakovës në vitin 1878, në vitin e themelimit të LSHP-së. Ai ka kryer arsimimin në vendlindje dhe më tej ka ndjekur studimet e larta në degën “Drejtësi”, në kolegjin amerikan “Robert Kolezh”, në Stamboll. Është kthyer në Vlorë me kërkesë të Ismail Qemalit dhe më 13 janar 1913 deri më 24 maj 1913, kur ka qenë në moshën 35 vjeçare. Ai ka qenë drejtori i parë i Policisë për ruajtjen e rendit e qetësisë në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Këtë detyrë e ka kryer edhe nga 28 gusht 1919-1 shkurt 1920; 1 shkurt 1920-17 dhjetor 1920; 22 prill 1922-1921, në gusht 1922 (3 vjet e një muaj). Ka kryer edhe funksione të tjera si: deputet (1922-1923); në funksione si drejtor më 1921 – 1922; prefekt (1923-1924). Ka qenë njohës shumë i mirë i gjuhëve të huaja: osmanisht, serbisht, frëngjisht, italisht dhe gjuhën e nënës, shqipen. Ai emigroi i përndjekur si mbështetës i lëvizjes së qershorit të vitit 1924 me Fan Nolin; u pensionua vetëm 40 ditë para vdekjes kur ishte “braktisur” nga shteti i parë republikan. Është shuar më 1.8.1927, në moshën 49 vjeçare. Vlerësimi i tij, si drejtori i parë i Policisë Shqiptare është bërë pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, tre dekada e gjysëm më parë.
Drejtues Madhor Ilir Proda është Drejtori i 45-të i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai është lindur në qytetin e Sarandës. Ilir Proda është oficer karriere i Policisë së Shtetit, i mirëshkolluar dhe i mirëtrajnuar. Ai është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me VKM nr.608, datë 2.10.2024 (Fl. Zyrtare e RSH-së nr. 168, Datë. 03/10/2024, faqe 19736), dhe ka marrë gradën policore Drejtues Madhor. Ka kryer studimet në Akademinë e Policisë në vitet 2002-2005, Tiranë duke e përfunduar Akademinë me rrezultate të shkëlqyera dhe më pas, ka kryer studimet e larta edhe në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkollën e Avokatisë në Tiranë. Ilir Proda ka kryer trajnime, kualifikime e specializime të shumta në fusha të ndryshme të edukimit policor, brenda dhe jashtë vendit. Në gusht vitin 2005, ka nisur karrierën si specialist i Policisë Kriminale; në gusht 2005-nëntor 2011 në Komisariatin e Policisë nr.3 në Tiranë; nga nëntori 2011 deri në mars 2012 në Komisariatin e Policisë nr.4 në Tiranë; në mars 2012 deri në qershor 2013 në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së shtetit, seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit; në qershor 2013 deri në tetor 2013 në Policinë e Lezhës; në tetor 2013 deri në dhjetor 2014 Shef Komisariati nr.2 në Tiranë; nga dhjetori 2014 deri në shkurt 2016 Shef Komisariati në Bulqizë, nga shkurt 2016 deri në maj 2017 në Seksionin për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga maji 2017 deri në korrik 2019 në Drejtorinë e Përgjithshme, Njësia për hetimin e krimeve kundër personit dhe pasurisë, nga korriku i vitit 2019 deri në tetor 2021 Zv/drejtor për hetimin e krimit në Korçë; nga tetori 2021 deri në mars 2023 Zv/drejtor për hetimin e krimeve në Elbasan; nga muaji mars 2023 deri më 2.10.2024 Drejtor i Drejtorisë Vendore i Policisë së Elbasanit; ndërsa aktualisht përmes një konkurimi të hapur për Drejtor të Përgjithshëm të PSH është emëruar me VKM të datës 2 tetor 2024. Ilir Proda e fitoi detyrën e lartë të Drejtorit të përgjithshëm të policisë së Shtetit përmes një gare të hapur me konkurtentë të tjerë potencialë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, është zgjedhur më datën 14 dhjetor të vitit të kaluar (2024) president i SEPCA-s, (Shoqata e Shefave të Policisë të Evropës Juglindore).