Romani i ri i Pol Milos: “Zbulesa e mrekullueshme e Vladimir Obradinit”
– Katër miqtë poetë dhe bunkeri i vogël me fasule dhe ide
Rifat Ismaili
Është e kotë që ruajmë akoma mentalitetin e vjetër, që duke lënë pas dore autorët vendas, preferojmë shkrimtarët e huaj, të cilët, në të shumtën e rasteve na vijnë edhe të përkthyer si mos më keq, apo ngjarjet e rrëfimet e tyre duket sikur i përkasin një planeti tjetër, për aq larg sa janë me menyrën e jetës sonë dhe shoqërinë ku frymojmë e veprojmë.
E pra, mendoj se ka ardhur koha t’i japim hapësirë edhe letërsisë shqipe, sidomos të rinjve, që të rritur dhe të shkolluar me një frymë lirie, besimi dhe vetëpërgjegjësie, eksperimentojnë një letërsi që të ndjell, ashtu sikurse aromat e borzilokut në një kopësht të pasur me bimësi të lulëzuar. Pas një letërsie të kondicionuar të realizmit realist, si dhe një letërsie në tranzicion , ashtu sikurse çdo gjë në vitet ’90 , tashmë autorët dhe jo vetëm të rinjtë , po sjellin prurje mjaft interesante dhe me peshë.
Një shije të mirë, që në faqet e para të librit, e provova me romanin e Pol Milos, me titullin simpatik ” Zbulesa e mrekullueshme e Vladimir Obradinit” . Personazhi kryesor, një poet i moshuar dhe i vetmuar që jeton në një dhomë ku të vogël me orendi të vjetra ku të merret fryma, përmes filozofisë së tij na jep momente të bukura e të veçanta reflektive. Në një kënd të dhomës së poetit Obradin zien një tenxhere me groshë dhe ai mendon se për të gjallët ushqimi është i domosdoshëm po aq sa dhe dija dhe poezia. Duke na përshkruar muzgjet e mahnitshme të Durrësit, Pol Milo na çon në një udhëtim filozofik e thelbësor nëpërmjet takimit të dy poetëve, Vladimir Obradinit dhe Mutanov Vitaminozit. Nëpër përsiatjet e tyre fjala e shkruar është si bima, ajo për të jetuar dhe bleruar, ashtu sikurse një fidan ka nevojë për një shi mendimesh, energji që përkthehet në poezi dhe mjaft përkushtim. Sepse aktin e të shkruarit Mutanovi e lidh gjithmonë me fotosintezën, me dritën, klorofilin dhe mënyrën si jeton një bimë.
Por në një nga tavernat e vjetra ku sejdiset ushqim i thjeshtë do vijnë shokë të tjerë të tyre, seicili me nga një dyzinë librash nēn sqetull, Sergej Tallashnikovi dhe Vasilijev Kokoshnikovi dhe nën afshin e zjarrit filozofik, të katërt do debatojnë mbi artin dhe filozofitë e jetës, seicili me pikpamjet e tij që i duken të pakundërshtueshme , qenësore dhe të vërteta, duke mohuar me bindje të patundura shijet dhe bindjet e të tjerëve.
Njëri prej tyre, shprehet se bota e ardhshme do zihet në kurth nga budallallëku njerëzor, të gjithë do të budallallepsen dhe bota do të drejtohet nga budallenjtë. Ndaj trumbeton me forcë se duke lexuar stivën e librave që ka sjellë, njerëzimi do ta ketë më të lehtë të përballojë situatën e krijuar. Filozofi tjetër predikon apokalipsin e afërt, hamendëson rënien e një meteori në Siberi, që do bëhet shkak për fundin e botës. Ai ngulmon se librat e tij janë ata të duhurit për të përballuar afrimin e katastrofës e midis shokëve shpërthen një debat i ndezur.
Pol Milo jep mjeshtërisht hap pas hapi që zhvillohen ngjarjet, edhe nëpërmjet parodisë e satirës , dhomat kështjellore të mendimeve ku janë ngërthyer don kishotët tanë. Një dukuri mjaft e njohur që disa prej letrarëve e të ashtuquajturve poetë, të fiksuar e të mbërthyer në të qena e të paqena , kthehen padashur në predikues dhe enciklopedistë të marrëzisē njerëzore. Ajo që tërheq , përveç temës, është edhe stili i autorit, i çliruar nga tepricat, me skicime të shpejta dhe thelbësore, nën një frymëzim floberian, përvijon më së miri karakteret njerëzore dhe i identifikon.
Në përkufizimet letraro- filozofike të katër miqve mbizotëron groteskja. Ata ngjajnë si katër kalorës sypatrembur që vijnë nga kohët e shkuara, me mesazhet e tyre te pakuptueshme për kohën ku jetojnë. Njerëz me botë të brishtë që sistemi i mënjanon, që e mbushin jetën me dramat e tyre fiktive, të qena apo të sajuara, në një qytet të mbuluar me beton, ku po i merret fryma jo vetëm artit e lashtësisë, por edhe vetë njerëzve.
Katër miq që nën zhurmën e tespijeve prej groshe të lëmuar predikojnë për jetën dhe përcaktojnë fate, që në njëfarë mënyre ashtu si orakujt e tempujve të lashtë apo aedët e verbër, midis absurditetit dhe tragji-komedisë, gjer diku na thonë edhe të vërtetën.
Ata të katërt bëhen të vetedijshëm që kanë mbetur jashtë jetës, ose duke qenë brenda jetës, por edhe brenda një bunkeri ku ishin mbyllur me mendimet e tyre, u kishte kaluar jeta para hundëve pa kuptuar. Ata ishin siç thotë edhe autori, si muzgu, mes ditës dhe natës, pa i përkitur as njërës e as tjetrës.
Ata nuk kishin qenë dhe mbase as nuk do të donin të ishin pjesë e Transformizmit. Një ide e re për të jetuar jetën ku gjithçka kishte humbur shkēlqimin duke u zvetënuar.
” Ata, do shprehet Vasilijevi nga fundi romanit, mendojnë se fati na ka bërë budallenj. Por ne , në të vërtetë, jemi të vetmit që kemi mbetur të kthjellët në një botë që nuk di më as çfarë është budallëllëku dhe çfarë është mençuria”.
Dhe zbulesa e mrekullueshme si ndodh? Ku gjendet ajo? Tek thënia e Obradinit se grosha nuk e tradhetonte kurrë? “Grosha është për të gjallët” do shprehej ai i zhgënjyer me atë që kishte ndodhur apo po ndodhte. Apo zbulesa ishte përtej groshëve të Obradinit? Mos vallë fshihej nē zbrazësinë e jetës, tek epoka e re postapokaliptike, ku gjithçka duket sikur ka ndodhur, por askush se ka vënë re.
Në fund të romanit autori do shkruajë përveç edhe shumë kritikave mbi botën që i vë në gojët e katër miqve, edhe sentencën përfundimtare:
“Njeriu njëdimensional postapokaliptik êshtë i dënuar me një verbëri të heshtur, një shurdhëri të pashpëtueshme dhe një etje të pashuar për fjalën që nuk arrin ta dëgjojë. Ai as nuk lexon më, as nuk sheh më dhe as që dëgjon ndonjë zë, përveç jehonës së vetmisë së tij. Të gjithë librat janë mbyllur, të gjitha dritaret e shpirtit të tij janë vulosur nga pluhuri i harresës”.
Pol Milo si një Arkimed i heshtur zbulon botën me teleskopin e mendimeve të tij. Ai na shpie në skutat më të thella të mendimit filozofik duke u përpjekur të përkthejë për shpirtrat e zhuritur diçka nga domethënia e saj, dhe vërteton ose pranon me dhimbje se ne jetojmë në një botë ku sundon marrëzia:
“Bota është e ndërtuar mbi një cikël të pafundmë marrëzish, ku çdo epokë mendon se është më e mençur se ajo e mëparshmja, por të gjitha përfundojnë në të njejtin vend. Në asgjë. Apokalipsi nuk është fundi, por vetëm një fillim i ri i një marrëzie tjetër të freskët”.
Pol Milo e ambjenton romanin e tij në një kohë të pakohë, duke i mbledhur të gjitha epokat sëbashku, duke evidentuar ngjashmërinë e përhershme midis tyre, edhe pse në dukje ndryshojnë. Por në fakt ndryshojnë termat, por ekzistenca është e njejtë. Ai e di mirë se ku po shkon ky vrap i çmendur i kohës, dhe ngjarjet e pafundme që rrokullisen nga shqelmat e saj si të një kali pa fre. Ai e di se njeriu nuk mund të jetë dhe nuk mund të bëhet kurrësesi protagonist dhe sundues i kohës apo i botës, por e vetmja që mund të bëje, nëpërmjet disa të përzgjedhurish, të reflektojë dhe të distancohet nga marrëzia. Do të ishin të pafundme hamendësimet apo pikëpyetjet që të shtron ky libër, sepse vetë libri është ndërtuar me qëllimin e mirë ti bëjë lexuesit të reflektojnë. Nëpërmjet reflektimit dhe ngasjeve ekzistenciale që të shtyn një libër, mund të themi se shkrimtari që e ideoi dhe e shkroi ia ka arritur qëllimit.
Ndaj kam të drejtë kur thashë që në fillim se ka ardhur koha që ti hedhim sytë nga letërsia jonë, nga ajo që shkruajnë më të rinjte, sepse autorë si Pol Milo s’duhet t’i lëmë kurrësesi pa lexuar.
Savona 10. 1. 2025.