Zana Tako: Lehtë e pa fjalë
Lehtë e pa fjalë u ule në prehërin e mendimeve të mia.
Gjumi nuk më kishte zënë,
e pijen e mushtit ende s’e kisha mbaruar.
*
Ledhatoje vështrimin tim,
e nuk bëja naze si dikur,
kur faqet më ndizeshin prush,
e buza më dridhej nga flakërima e vështrimit tënd.
*
Rrezja e syve të tu qarkon frymën time.
Bëj të flas, por fjala nuk më bindet.
Vjedhurazi dua ta sfidoj.
Por ajo çapkëne e dëshirës,
të përqafon me pëshpërimë drithëruese.
*
Durimi të tradhton,
e sytë lëngëzohen nga malli,
që shtrin krahët e na rrëmben,
brenda magjisë krahëshkruar,
ku thuhen me mijra fjalë
e rrëmbehen me qindra puthje.
Por vetëm njera belbëzon pa u lodhur,
ajo fjalë që na lidhi
e nuk na ndan me dashurinë.
Please follow and like us: