Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: Udhë malli…

Ka rënë dëborë, më tha një lis,

Në ëndërr një natë dimri.

Dhe ëndrra shpejt u arratis

Prej zgjimit nga gëzimi.

….

Këtu, i lodhur në nxitim

Po tkurrem po venitem.

Shurdhojnë sirena papushim

Mbi rrugë që përpëliten.

*

Një re e murrme më ndjek pas

Përherë, qytetit tim.

Më derdh një shi dhe fut në palcë

Trishtim e dëshpërim.

*

Ky diell i fshehur që s’del kund

Tej qiellit që s’gjëmon,

Nuk di nga lind atje përfund

Dhe s’di ku perëndon.

….

Dhe mora udhën, një udhë malli

Si në një tjetër mot,

Atje ku dielli lind prej mali

Mes qiejve yjeplot.

*

Atje dhe zogjtë ia thonë në kor,

Dhe s’ulërijnë sirena.

Nën retë ngarkuar me dëborë

Vikasin fort… mëllenja.

Më pret atje me ngazëllim

Gjithçka, me dashuri.

Dhe si femijë, udhën në kthim

Ma heq një yll i ri.

*

Ndaj tjetër dimër më thërret,

M’i bardhë se bardhësitë.

Ku lisat janë lisa vërtetë

Dhe mbysin kaltërsitë.

Please follow and like us: