Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Ekonomia dhe shifrat-Gjermania sipas verdhushkave!


(ars poetica, janar 2025 – koment dhe infografikë, burimi Visual Capitalist, IMF – Fondi Monetar Ndërkombëtar)

Duke e parë ekonominë… i “sheh” pakashumë dhe arsimin, kulturën, mediet, institucionet, policinë, ushtrinë, industrinë, ndërtimin, tregtinë, transportin, bujqësinë.. etj. etj. gjithçka sa i përket një vendi të caktuar. Herën e kaluar thamë se ndonjëherë duhet “parë” botën dhe nga aspekti i verdhushkave, me “gjuhën” e shifrave ia hodhëm një shikim ekonomisë botërore, patëm folur për 115 trilionë $ të ekonomisë globale, ishte diç si pasqyrë “globi sipas verdhushkave”. E patëm përmendur që në v. 2024 Gjermania (me 4.6 trilionë $ PBB) e kapërceu Japoninë (4.4 trilionë $ PBB) si ekonomia e 3-të e botës.

Dhe kështu, dmth. nëse ekonomia e 3-të globalisht, atëherë dhe pa shifrat fare sikur mund ta marrim me mend se Gjermania do jetë ekonomia 1 e Evropës. Dhe kjo “marramendje” qëndron, është e saktë, ekonomia gjermane është seriozisht marramendëse : ) në fakt shifrat na e pasqyrojnë se me 4590 miliardë $ të PBB (~ 4.6 trilionë $) Gjermania është baraz me PBB-të e 22 shteteve tjera të Evropës. Pra siç vërtet dhe ia thuhet, nuk thuhet kot se Gjermania është “lokomotiva e ekonomisë evropiane”.

Harta ose infografika ngjitur është bërë enkas për këtë krahasim… shtetet janë zgjedhur qëllimisht ashtu për ta “barazuar” PBB-në gjermane me PBB-të e 22 shteteve tjera, pra Gjermania = 22 shtete të Evropës. E qartë se autori i infografikës @visualcapitalist padyshim i takon sferës së dollarëve (do jetë amerikan), andaj shifrat janë në dollarë amerikanë. Mund të konvertohen dhe në € mirëpo neve s’na duhej ndryshe përveç si pasqyrë e përafërsishme.

PBB-ja e Gjermanisë 4590 miliardë $
– – – – – – baraz me PBB-të e 22 shteteve – – – – –
Polonia 845 miliardë $ – Suedia 623 – Austria 541 – Norvegjia 527 – Rumania 370 – R. Çeke 326 – Finlanda 308 – Hungaria 223 – Sllovakia 141 – Bullgaria 108 – Kroacia 88 – Lituania 81 – Sllovenia 72 – Serbia 88 – Bjellorusia 69 – Letonia 45 – Estonia 43 – Bosnja H. 29 – Shqipëria 25 – Kosova 11 – Maqedonia V. 16 – Mali i Zi 8 miliardë $

***
Dihet që njëra nga mënyrat për ta matur zhvillimin e prosperitetit të në vendi është vlerësimi i aktivitetit ekonomik. Ndryshimi i PBB-së përgjatë kohës është treguesi më i rëndësishëm i rritjes dhe zhvillimit ekonomik (dhe / ose e kundërta, kuptohet dhe kjo, në të kundërtën pasqyrohet rënia e zhvillimit ekonomik).

Ekspertët thonë se mënyra më praktike për vlerësimin e fuqisë dhe performancës së një ekonomie është PBB-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto – siç thuhet në shqip, nga GDP – Gross Domestic Product). PBB-ja është vlera totale e gjithë mallrave dhe shërbimeve që janë prodhuar apo kryer, duke e zbritur ose duke e hequr vlerën e mallrave + shërbimeve (punën) të nevojshme për arritjen e PBB-së totale.

Edhe PBB-ja për frymë e një vendi është tregues i rëndësishëm i performancës ekonomike. Ky indikator lehtëson për t’bërë krahasime të standardeve mesatare të jetesës dhe të mirëqenies ekonomike së një shoqërie. PBB-ja për frymë nxirret si raport i PBB-së totale me numrin e popullsisë së një vendi.

Pra PBB-ja për frymë është diç si evolucion i metrikës së PBB-së totale, rezulton duke u pjesëtuar PBB-ja totale e një vendi me popullsinë komplete. Kuptohet se PBB-ja për frymë mund t’jetë e ndryshme, për vendet e ndryshme. PBB-ja e një vendi varet nga gjendja ekonomike e atij vendi, si dhe nga fitimet e përgjithshme krahasuar me shpenzimet.

Megjithëse shprehet si shumë, si shifër (me $, apo €, për banor), PBB-ja për frymë nuk është ndonjë masë e të ardhurave personale mesatare të njerëzve (të një vendi të caktuar). Më shumë është si metrikë e shëndetit relativ të ekonomisë dhe industrisë së përgjithshme të atij vendi.

Një familje (si mini-bashkësi themelore e një shoqërie) përbëhet nga disa persona ose frymorë – sa më shumë njerëz të një vendi të caktuar të punojnë (dmth. të kenë paga, të fitojnë para), aq më e lartë është kërkesa për mallra dhe shërbime nga familjet. Si rezultat, aktiviteti i kompanive pëson rritje, rritet prodhimi i tyre, sikur dhe shërbimet, sepse dhe fuqia blerëse si dhe konsumi i familjeve rritet. Kjo do t’thotë që PBB-ja e atij vendi do pësojë rritje.

Në rastin e kundërt, psh. në rastin e krizave, të ngërçeve e të tkurrjeve ekonomike, nëse përkeqësohet situata e fluksit monetar dhe njerëzit kanë më pak para në dispozicion për t’i shpenzuar, edhe kërkesa për mallra e shërbime do pësojë rënie. Si pasojë e gjendjes së përgjithshme ekonomike kompanitë duhet të përshtaten me situatën dhe prodhojnë më pak. Prodhimi bie, afërmendsh, qëkur gjithçka është e lidhur me kostot. Nëse prodhohet më pak, nëse nevoja për shërbime t’jetë zvogëluar (duke munguar fuqia blerëse, mjetet) atëherë e qartë se dhe PBB-ja s’do rritet, ngadalësohet rritja, apo dhe pëson rënie graduale.

***
PBB-ja për frymë e një vendi të caktuar zakonisht shprehet me njërën nga dy metodat: PBB-ja për frymë (Nominale), dhe PBB-ja për frymë (PFB) (me Paritetin e Fuqisë Blerëse). Ndryshimi thelbësor mes këtyre dy metodave është se e para është shifër e papërpunuar, që nuk i merr parasysh diferencat e kostos së jetesës (krahasuar një vend me tjetrin, si bazë reale e “shëndetit” ekonomik).

Në rastin tjetër, PBB për frymë (PFB) e faktorizon koston relative të jetesës dhe normën e inflacionit të secilit vend. Kjo e bën mbase më të saktë si llogaritje apo si metrikë, kur është fjala për krahasimet e “shëndetit ekonomik” të vendeve të ndryshme.

Shikuar sipas PBB-së për frymë, për v. 2024 thuhet se Luksemburgu ishte shteti më i pasur i botës. Vende të tjera me PBB të lartë për frymë përfshijnë Irlandën, Singaporin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicrën, San Marinon.. etj.

Nëse t’i merrnim këso shtete (me PBB-në e lartë për frymë, si Monako, Emiratet e Bashkuara Arabe, Lihtenshtajni, Luksemburgu, Norvegjia, Irlanda, Zvicra, Katari, Singapori… dhe nëse t’i krahasonim me shtetet si Afganistani, Korea Veriore, Sudani Jugor, Jemeni, e pse jo dhe me Kosovën, me Shipërinë etj. sikur s’do na mbetej tjetër por të ngelim gojëhapur. Del në pah pabarazia jashtëzakonisht e madhe e mirëqenies.

Pothuaj njësoj sikur ta krahasonim pasurinë e Elon Musk, apo të Mark Zuckerberg, apo të Bill Gates… me “pasurinë” time, mozomokeq, s’mbetet tjetër por habia e thellë… sa vetë humnera e oqeanit. Padyshim do i dhimbsesha secilit frymor të planetit, gjithkujt do i rridhnin lotët : )

E njëjta vlen dhe për vendet kur krahasohen njëri-me-tjetrin, për banorët e Luksemburgut, Katarit, Monakosë… etj. duhet thënë lum e lum si ata, thuase të zgjedhur me kokallë nga vetë perëndia, duke jetuar në parajsë. Dhe s’domend se është ashtu, patjetër lum e lum t’jetosh në Zvicër, në Irlandë, në Luksemburg, etj. anise ka dhe raste të “ndryshme”…

Sipas ekspertëve të ekonomisë, PBB-ja për frymë nuk është e pasaktë, është metrikë e vlefshme, mirëpo mund të shtrembërohet nga disa kushte dhe rrethana ekonomike. Psh. vendet me ligjet e tilla tatimore që mundësojnë t’bëhen diç si “parajsash fiskale” të korporatave, shpesh kanë shifra jashtëzakonisht të fryra të PBB-së, falë fluksit monetar të huaj që rrjedh ndër “venat ekonomike” të vendit.

Irlanda merret t’jetë kandidati më adekuat për t’i shembullizuar rastet e tilla, anise lista e “vendeve parajsore fiskale” përfshin bie fjala dhe Zvicrën, Luksemburgun, Hong Kongun, Singaporin… dhe mjaft vende të tjera.

Për ta kompenzuar sadopak “shtrembërimin” e PBB-së për frymë, ekonomistët e analizojnë gjithashtu PKB-në – Produktin Kombëtar Bruto (GNP – Gross National Product) të një vendi, apo dhe metrikën përkatëse, AKB – të Ardhurat Kombëtare Bruto (GNI – Gross National Income). Këto metrika ua mundësojnë ekonomistëve ta llogarisin më mirë aktivitetin ekonomik të vendeve parajsore fiskale.

Pra, ekspertët thonë se shqyrtimi i PBB-së për frymë (të një vendi), së bashku me një metrikë të tillë si PKB, AKB ofron një pasqyrë më të qartë rreth “shëndetit” të vërtetë ekonomik të ndonjë vendi në fjalë.

Organet që e drejtojnë politikën e brendshme të një vendi, qoftë në sektorin publik a privat, qoftë në nivel vendor, rajonal a bashkiak (komunal), kanë nevojë për të dhëna të sakta, për shifra të besueshme që lidhen me ekonominë, në mënyrë që t’jenë në gjendje t’i zhvillojnë politikat e tyre bazuar në fakte. S’ka asgjë më të rëndësishme se kjo, kur është fjala për zhvillimin dhe për politikat e shëndosha vendore.

Vizionet e njerëzve, sa u përket planeve dhe zhvillimit, varen në indikatorët real ekonomikë, e jo në “supozime”, në hamendësime, në shifra të falsifikuara. Nëse institucionet relevante të shtetit tek merren me përcaktimin e indikatorëve të ekonomikave, t’mos jenë në gjendje ta pasqyrojnë siç duhet indeksin statistikor, atëherë keq, kuptohet, s’ka si t’jetë mirë. Edhe nëse gjithçka të ngelej stabile (politikisht bie fjala, t’mos ketë trazira) në rastin më të “butë” gjithçka do zgjatej e do stërzgjatej, me zhvillim e me avancim – në vend të 10 viteve nevojiten 20, në vend të 20 nevojiten 40… e kështu me radhë.

Nëse ai indeks i indikatorëve ekonomikë t’mos jetë i shëndetshëm dhe 100% realistik, atëherë dmth. tepër keq. Meqë është e mundur, korrupsioni i sistemit s’është i pamundur, ata që i mbikqyrin vendet kyç… institucionale, thjesht mund t’jenë të korruptuar. Dmth. për ta shkurtuar, për t’mos e zgjatur, termi “korrupsion” është i gjerë dhe rrumbullakëson shumçka. Ndodhë gjithandej, psh. në Holandë pati ndodhur diç si “tërmet” katastrofal i sistemit të taksave të shtetit, gjoja shtylla kryesore e shtetit dhe u zbuluan lëshime kolosale.

Nëse ndodhka në Holandë atëherë ç’të thuhet, bie fjala gjithkush ka të drejtën t’jetë skeptik për institucionet analoge kosovare dhe të atyre shqiptare. Shpesh sikur them mëvete “uroj që BE-ja t’jetë ai faktori fatlum i momentit historik të Shqipërisë… dmth. që i kontrollon strikt shqiptarët, që ua fut këmbët në 1 këpucë nëse nevoja, meqë ashtu-kështu merren me negociatat rreth kyçjes së tyre në BE.

Përndryshe s’janë të “besueshëm”, e kanë humbur besimin, e qartë se nuk u beson as BE-ja (jo vetëm qeveriturave të Ramës, por të askujt), përndryshe s’do duhej t’i zgjaste Shipërisë 30 vjet, 35 vjet, e ndoshta do bëhen 40. Është për keqardhje sa tepër u zgjat rruga e Shipërisë drejt Evropës! Më gjatë s’pati zgjatur as diktatura, pothuaj ekzaktësisht 35-40 vite “hoxhizim”, rrënim e stagnim, dhe ja tani… nevojiten po aq, 35-40 vite mëkëmbje, për t’ia falur një buzëqeshje të denjë Evropës.

Ehuuu e “lehtësuan” atëherë madje dhe bankën kombëtare… e s’ditkan t’i shtrembërojnë ca shifra ekonomike për evropianët! Në fakt, vetëm sa t’futen në BE dhe do e shohin bota, shqiptarët do jenë ata që do e bëjnë rrëmujë e rrokopujë gjithë BE-në. Njësoj siç sot pseudo-historianët besojnë se dikur pikërisht shqiptarët e “zhbënë” Perandorinë Osmane… Jo se ishte ai shqiptaro-Pashai i Madh i Egjiptit (të cilit Sulltani ia kishte frikën, kishte sa të duash arsye që i frikësohej), edhe ai ishte shqiptar, e saktë, por perandoria qe rrëzuar – ngulin këmbë pseudo-historianët – duke e korruptuar, duke e “gërryer” vetë perandorinë nga brenda : )

Please follow and like us: