Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Që të gjithë ju ishit trima…

Në malet e Sanxhakut

Sami Rrapo Pashaj, lindi në vitin 1928 në Kocul të Vlorës. Gjyshi i tij Pasho Selman Koculi ishte komandant i çetës dhe anëtar i shtabit të kryengritësve të Jugut në vitin 1847 kundër reformave të Tanzimatit dhe pjesëmarrës në shumë luftime kundër Turqisë. Ndërsa babai Rrapo, ishte luftëtar kundër italianëve në Luftën e Vlorës 1920. Shkollën fillore e mbaroi në fshat me rezultate shumë të mira. Përgatitej për të vazhduar studimet, por fillimi i luftës kundër fashizmit e ndërpreu. U lidh me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare në fillim të saj. Familja e tij u bë bazë e luftës. Me formimin e BrVS u rreshtua më 28 nëntor 1943 në Gumenicë. U dallua për trimëri, thjeshtësi, dashuri për shokët, sinqeritet dhe besë, ngarkohet me detyrën e sekretarit të rinisë të kompanisë. Në Tropojë Samiu ndahet me kushëririn e tij Fejziun i cili emërohet komisar kompanie në BrXXIVS. Megjithatë, të dy në ballë të luftës, por tani të ndarë nga njëri-tjetri. Fejziu me BrXXIVS, luftoi për çlirimin e kryeqytetit Tiranë, ndërsa Samiu mbas çlirimit të Tropojës luftoi për çlirimin e Kosovës martire. Sami Pashaj përjetoi luftimet e ashpra në Sanxhak e në Bosnje, luftë e pabarabartë dhe në një luftim me gjermanët më 1 shkurt 1945 në qytetin Novivarosh të krahinës së Sanxhakut, bie trimi Sami Pashaj.

Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës.

Nga Vunoi në Sanxhak e lave tokën me gjak

Irakli Kalo Thani lindi në vitin 1915 në Vuno të Vlorës. Lufta kërkonte trima, i duheshin dhe djemtë e vetëm, prandaj u aktivizua në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare në dhjetorin e vitit 1941. E nisi jetën e partizanit në çetën e Bregdetit më 1 gusht 1943 në Vuno. Më pasë, u inkuadruar në BrVS, luftoi me trimëri duke përmbushur me nder të gjitha detyrat që ju ngarkuan si partizan i thjeshtë, komandant kompanie. Tri herë u plagos në luftimet që zhvilloi brigada me armiqtë dhe tradhtarët e popullit: herën e parë në janar të vitit 1944, në Operacionin armik të Dimrit, duke luftuar me gjermanët dhe ballistët në afërsitë e fshatit Vërmik të Kurveleshit, ku nga dëbora e madhe i ranë dhe gishtat nga këmbët e ngrira, herën e dytë në shtator të vitit 1944, duke luftuar me gjermanët dhe bashibozukët në Kolesjan të Kukësit dhe herën e tretë në nëntor të vitit 1944, duke luftuar me gjermanët dhe reaksionarët në një nga të 12 sulmet që bëri batalioni i dytë i BrVS në luftën për çlirimin e qytetit të Gjakovës. Në janar 1945, duke u ndodhur me brigadën në Sanxhak (Jugosllavi), për të përmbushur me nder detyrën, iu desh të përleshej me sëmundjen e tifos, e cila po bënte kërdinë te luftëtarët.

Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës.

Komandanti i kompanisë

Xhafer Mustafa Rexhepi lindur në vitin 1915, ishte njeri nga djemtë e parë të Tragjasit, që hodhi pushkën në krah. Shtëpia e tij, një nga shtëpitë e para të Tragjasit u dogj nga pushtuesit. Si shumë të rinj të fshatit, u ngrit në luftë për çlirimin kombëtar e shoqëror. Xhaferi ishte midis të rinjve të fshatit që e ndihmuan qysh në fillim Luftën Nacionalçlirimtare. Bashkë edhe me fshatarë të tjerë, ai mori pjesë në luftën e Gjormit, në atë të Drashovicës, si edhe në luftime të tjera, të zhvilluara në krahinën e Tragjas-Dukatit kundër fashistëve italianë e gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, i rreshtuar në fillim në çetën partizane “Hodo Zeqiri”. Në muajin dhjetor të vitit 1943, ai u rreshtua si partizan në batalionin e tretë të BrVS. Xhaferi përjetoi ditët e vështira të Operacionit armik të Dimrit. Xhafer Rexhepi me shokë i bënë ballë armikut, i bënë ballë dimrit. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga batalioni i tretë i BrVS dhe u shqua për trimëri e urtësi. Ishte nga ata njerëz, që në çdo situatë, nuk e humbiste toruan, i dashur me shokët dhe i gatshëm kurdoherë për vetëmohim. Për bindjen e tij të patundur, për meritat luftarake dhe vetitë e karakterit të tij, dhe për aftësitë që kishte, se kishte mbaruar edhe shërbimin ushtarak, në muajin nëntor 1944 iu besua detyra e komandantit të kompanisë. Gjurmët e Xhafer Rexhepit shkuan gjer në malin Pashtrik në Kosovë. Ai është pjesëmarrës në luftimet për çlirimin e qytetit të Gjakovës dhe në ditën e fundit të javës së dytë të nëntorit, Xhaferi i prin kompanisë, kapërcejnë Drinin e Bardhë dhe fytyra e luftëtarëve dhe armët vështrojnë Prizrenin.

Forcat e BrVS, po kryenin rrethimin e qytetit të Prizrenit, batalioni i tretë mbyllte rrugën automobilistike Prizren-Kukës. Kompania që komandonte Xhaferi ndodhej në kufi me forcat e batalionit të pestë të brigadës, i cili vepronte në drejtimin e rrugës automobilistike Prizren-Gjakovë. Aty, një repart armik i përforcuar me artileri dhe një autoblindë tentoi të krahëmarrë forcat e batalionit të pestë. Duke vlerësuar situatën, komnada e batalionit të tretë dha menjëherë urdhrin që të ndalen forcat armike dhe t’u jepej mundësia reparteve të batalionit të pestë për të manovruar. Në krye të kompanisë Xhaferi dhe shokët e tjerë të komandës u hodhën në sulm duke thirrë: “Para partizanë”. Nazistët të hutuar nga ky sulm i befasishëm u detyruan të tërhiqen andej nga qenë nisur. Ndërkaq, plumbi i armikut e kishte shpuar tejpërtej trupin e Xhaferit. Por, megjithëse i plagosur rëndë, ai e duronte dhëmbjen, e ndrydhte përbrenda, nuk e dha veten. Mos u shqetësoni, u tha shokëve, jam gërvishtur pak. Ai kishte humbur mjaft gjak dhe fuqitë, pothuaj, i qenë prerë. Shokët ia lidhën plagën që të mos i rridhte gjaku dhe e bartën me shpejtësi për në spitalin partizan. Por, me gjithë kujdesin e madh të treguar për mjekimin e tij, në muajin shkurt të vitit 1945, Xhaferi, trim midis trimave, vdiq për të mbetur “yll i pashuar”.

Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës.

Përgjegjësi i rinisë që ra në Kosovë

Azem Rexhep Troqe lindi në vitin 1929 në katundin Tragjas të Vlorës në një familje me tradita patriotike. Babai Rexhep nuk e pushoi kurrë luftën kundër pushtuesit të huaj, ishte në radhët e para të luftëtarëve në Luftën e Vlorës 1920, mori pjesë në Revolucionin Demokratiko-Borgjez 1924 e në Kryengritjen e Fierit më 1935 dhe më vonë përkrahu Luftën Nacionalçlirimtare. Azemi në pranverën e vitit 1942, ndiqte shkollën tregtare në Vlorë merr pjesë në grupet edukative të rinisë antifashiste. Më 28 qershor 1943 Azemi doli në mal e u radhit në rreshtat e çetës së Rinisë, e cila bënte pjesë në batalionin partizan “Halim Xhelo” të rrethit të Vlorës. Me organizimin e BrVS u inkuadrua në radhët e saj. Qysh në fillim dhe gjatë rrugës luftarake të çetës e të reparteve partizane ku ai bëri pjesë dha prova trimërie, dhe, me gjithë moshën e re, u dallua kudo si luftëtar që nuk i trembej syri. Ja nje rast: Nga mesi i shtatorit të vitit 1944 kompanisë ku bënte pjesë iu ngarkua detyra që, sapo të errej të godiste në befasi forcat gjermane në periferi të Kukësit, të dislokuara në drejtim të rrugës Kukës-Bicaj. Ato duhej të angazhoheshin në luftë dhe të mos u lihej mundësia për t’u shkuar në ndihmë forcave që ndodheshin të rrethuara në Shtiqën. Sulmi filloi i furishëm dhe Azemi së bashku me dy luftëtarë të tjerë, Refikun e Avdulin, u futën në mes të formacionit luftarak të armikut, i goditën në shpinë me bomba dore dhe breshëri automatikësh, duke vrarë mjaft prej tyre dhe duke u shkaktuar panik. Në këtë kohë komandanti i skuadrës, Avduli, plagoset rëndë dhe bie pa ndjenja. Azemi lëshohet me vrap drejt tij. E ngre shokun dhe i vështron plagët. Plumbi e kishte prekur rëndë. Atëherë nxjerr këmishën e vet, e gris, dhe ia lidh plagën. Azemi e hodhi Avdulin në shpinë dhe duke u zvaritur lëvizi për më se katërqind metra. Herë pas here i duhej të shtinte kundër armikut me qëllim që të siguronte edhe tërheqjen e Refikut. Shoku shpëtoi nga rreziku dhe, pasi u mjekua, u kthye sërish në repart. Ata vazhduan luftën përkrah njëri-tjetrit. Azemi u ngarkua pastaj me detyrën e përgjegjësit të rinisë të kompanisë së shtabit të brigadës, detyrë të cilën e kreu me nder deri në ditën kur ra dëshmor, në tokat e Jugosllavisë.

Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës.

Nga Fushëbardha u plogos rëndë në Kosovë

Tajar Shemsi Proda lindi më 2 qershor 1924 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Në Tiranë mundi të arsimohej në arsimimin fillestar, më pas dhe në shkollën amerikane të njohur “Harry Fultz”. Pas shkolle kreu një kurs për radiotelegrafist dhe shërbeu në qytetin e Kukësit. U bashkua vulletarisht me forcat e BrVS dhe pas çlirimit të qyteteve dhe fshatrave shqiptare bashkë me forcat e tjera të UNÇSH, me urdhër të Komandantit suprem të Luftës Nacionalçlirimtare kapërceu kufijtë për çlirimin e tokës shqiptare të Kosovës. Më 1 tetor deri në fund të muajit nëntor 1944, BrVS, në bashkëveprim me BrIIIS të UNÇSH dhe Brigadës së 4-t kosovare, duke krijuar një shtab të përbashkët me komandat Shefqet Peçin, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së i zhvendosi veprimet luftarake jashtë kufirit shtetëror, duke çliruar nga pushtuesit nazistë Kosovën Perëndimore. Gjatë veprimeve luftarake në Kosovë brigada shtoi efektivin e saj me luftëtarë kosovarë, duke arritur në mbi 2.000 partizanë. Më 25 nëntor 1944, ajo hyri në përbërje të Divizionit të 5-të Sulmues të UNÇSH-së dhe vijoi luftimet në ndjekje të forcave gjermane për çlirimin e krahinës së Sanxhakut dhe të qyteteve të saj, Senicë, Priepolje e Priboj. Gjatë luftimeve në jugperëndim të Kosovës u plagos rëndë më 5.12.1944, gjashtë ditë pasi ishte çliruar Shqipëria dhe u dërgua për mjekim në spitalin partizan të Geghysenit në Tropojë, por në ditët e para të janarit 1945 ndërroi jetë.

Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 27 datë 30.05.1985, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Gjirokastrës.

Please follow and like us: