Albspirit

Media/News/Publishing

Mobeen Vaid: Martesa, LGBT dhe humbja e kuptimi

Romani i John Steinbeck Vilet e zemërimit, na tregon për Xhoudët, një familje fermerësh që kishin marrë me qira një fermë dhe banonin në Oklahomën e goditur nga thatësira dhe erozioni në mesin e periudhës së Depresionit të Madh. Të pamundur për të prodhuar një sasi të mjaftueshme drithërash që do t’u mundësonte mbijetesën (një sprovë e zakonshme kjo në epokën e stuhive të rërës), familja në fjalë dëbohet nga shtëpia prej çifligarit që zotëronte pronën. Të pastrehë dhe të varfër, familja emigron në Kaliforni, me shpresën e gjetjes së një punësimi dhe një të ardhmeje më të bardhë.

Në përshkrimin e dëshpërimit dhe shembjes së ekonomisë agrare, Steinbeck flet për konfliktin midis fermerëve qiraxhinj dhe çifligarëve: këta të fundit, në nevojë për fitim dhe të rënduar nga kërkesat e bankave të cilave u detyrohen financiarisht, i njoftojnë familjet qiramarrëse se duhet të largohen nga prona. Fermerëve dhe familjeve të tyre u kërkohet që t’i braktisin shtëpitë në të cilat kanë jetuar prej brezash të tërë, pa qenë askush i interesuar se cili do të jetë fati i tyre pas shpërnguljes dhe si do t’ia dalin në të ardhmen. Por tek e fundit, ky nuk është një problem i çifligarit. Kur vjen dita që duhet të largohen, një “traktorist” vjen të rrafshojë shtëpinë dhe fushat, duke qenë edhe ai asgjë më shumë sesa një tjetër hallkë e zinxhirit të ekonomisë së gjerë shfrytëzuese dhe kapitaliste mbështetur mbi fajden, brenda së cilës ai thjesht zbaton kërkesat e të zotit. “Traktoristit” i vjen turp nga puna që bën dhe nuk përjeton kurrfarë gëzimi në atë që bën. Por në thelb nuk ka rëndësi nëse heq dorë prej saj apo refuzon ta bëjë, sepse nëse nuk pranon, “traktoristi” tjetër do t’ia zërë vendin menjëherë, duke kryer atë që nuk e bëri ai.

Personazhet e ndryshëm këtu nuk nxjerrin në pah vetëm mjerimin, por edhe humbjen e shpirtit, të qëllimit dhe të jetës, në një vend kur dikur lulëzonin bashkësia, puna dhe kuptimi. Lidhur me këtë, Steinbeck shkruan:

“Traktorët i mbanin dritat ndezur, sepse traktori s’di se ç’është natë e ç’është ditë; ngase disqet e tij, duke u përshkënditur në diell, e presin dheun si natën ashtu edhe ditën. Kur kali kthehet nga arat në haurin e tij, jeta e haurit nuk ka të shuar, atje është akoma afshi dhe dihatja e tij,  fëshfëritja e thundrave të tij mbi kashtë dhe nofullat që bluajnë me krakitje barin e thatë, veshët që ngrihen përpjetë dhe sytë që vështrojnë. Dhe në haur ndihet afshi, zjarri, era e jetës. Por kur motorri i traktorit pushon së punuari, ai ka marrë fund, ai është tanimë i vdekur, ashtu si edhe metali se nga ka dalë. Zjarri i jetës arratiset nga ai, ashtu siç arratiset nga një kufomë. Atëherë dyert me hekur mbyllen dhe njeriu që e nget niset e shkon në shtëpinë e tij në qytet, ndoshta edhe njëzet milje larg që andej e s’është nevoja të kthehet më aty javë e muaj me radhë, sepse traktori tanimë është i vdekur. Kjo e thjeshton punën dhe e rrit rendimentin. Kaq shumë e thjeshton punën sa magjia e punës zhduket, kaq shumë e ngre rendimentin saqë toka e humbet misterin e saj, por edhe puna e humbet misterin e saj, e humbasin kështu lidhjet me tokën dhe të kuptuarit e thellë të saj. Ndaj dhe traktoristi sillet me të me përbuzje, si një i huaj që fare pak e kupton dhe që asgjë s’e lidh me të. Sepse toka s’janë nitratet dhe as fosfatet, sepse toka s’është gjatësia e fijes së pambukut. Karboni s’është njeriu, as kripa, as uji s’janë njeriu. Ai i ka të gjitha këto, por ua kalon atyre, ua kalon shumë atyre. Ashtu edhe toka është diç më tepër, shumë më tepër sesa analizat e veta. Njeriu është diç më tepër sesa kimia e tij. Njeriu që shkel mbi tokë, që e drejton plugun që plori të mos përplaset pas ndonjë guri e të thyhet, që e ul dorën për të shkarë në një vend të shogur, që gjunjëzohet mbi brazdë për të ngrënë bukë, ky njeri, që është diç më tepër nga elementet e tij, e di që toka është diç më tepër nga përbërja e saj. Por njeriu i makinës që i heq udhë një traktori të vdekur mbi tokë të cilën s’e njeh dhe nuk e do, ai kupton vetëm kiminë, ndaj dhe e përbuz tokën dhe veten e tij. Kur dyert e hekurta mbyllen, ai shkon në shtëpinë e tij dhe shtëpia e tij nuk është toka”.

Si një metaforë e asaj që ka goditur pjesën më të madhe të shoqërisë moderne, Vilet e zemërimit në të njëjtën kohë vlen si një metaforë udhëzuese e momentit tonë. Ndryshimet shoqërore, kulturore dhe ekonomike vazhdojnë të ndodhin me shpejtësi, të racionalizuara menjëherë kundër përkushtimeve të sapolindura kulturore, lëvizjeve shoqërore dhe rrymave intelektuale. Këto zhvillime na çorientojnë, duke na tërhequr në një shpërqëndrim që e errëson tërësinë e plotë të asaj që është humbur, teksa na socializon me “normalen e re”. Dhe është në rithemelimin e organizimit njerëzor dhe shkëputjes së ndërlidhshmërisë së familjes njerëzore që ortodoksitë e vjetra të shoqërisë janë duke u braktisur me shpejtësi, në mbështetje të të rejave. Ky “përparim” realizohet duke na reduktuar në analizën tonë, me jetët tona që na janë reduktuar në formalitetin që mund të shërbejnë për të justifikuar një shoqëri të ftohtë dhe gjithnjë e më të vdekur.

Është ndoshta në këtë pikë që ne na del në fokus boshllëku ynë më i shndritshëm, teksa flasim për çështjen përjetësisht urgjente të martesës, përkufizimit të saj dhe vendndodhjes sociologjike që ajo gëzon në shoqërinë njerëzore. Një pjesë e mirë e debatit publik sa i përket përkufizimit të martesës mbështetet në një paketë krejtësisht radikale supozimesh, të cilat lidhen me antropologjinë njerëzore, natyrën e detyrës morale dhe mbi të gjitha, me institucionin e qëllimshëm të familjes dhe çfarë e shndërron atë në të rëndësishme në kuptimin shoqëror dhe politik. Në mungesë të një konceptimi të fortë dhe koherent të një familjeje të tillë, diskutimet rreth asaj se ç’qëndrim duhet të mbajnë sa i përket martesave të homoseksualëve apo lëvizjes LGBT në një kuptim më të gjerë, shpejt reduktohen në kompromise të detyruara ligjore, teksa lihet në harresë të plotë çështja themelore nëse këto diskutime gëzojnë apo jo ndonjë vlerë shoqërore apo politike dhe nëse po, përse.

Lidhur me këtë, debatet e momentit tonë janë ndalur në sipërfaqe. Ne jemi të paaftë të ngremë për diskutim çështje metafizike apo të vëmë në pikëpyetje supozimet e pathëna morale, të nënkuptuara në pohimet e progresit shoqëror që përkrahësit e LGBT-ve premtojnë, sepse kjo sipërfaqe mund të gërvishtet vetëm pak. Në përshkrimin e këtij kufizimi të diskursit publik, në veprën me titull Disenchantment of Secular Discourse, Steven Smith vrojton se korniza diskursive sekulare është një “kafaz i hekurt” i konceptuar për të përzënë nga konsideratat publike pikëpamjet e papranueshme. Brenda një mjedisi të tillë dialogjik, suksesi i njërës apo tjetrës pikëpamjeje nuk ndodh si pasojë e një shqyrtimi të mirëfilltë të vlerave, besimeve dhe meritës relative të çështjes në fjalë, por përmes “kontrabandimit” (shpesh në përmasa të mëdha) të supozimeve të dyshimta, në një mënyrë që për syrin e qytetarit të thjeshtë, i lë ato në të padukshme. Padukshmëria e këtyre bindjeve për debatin publik bën të mundur përparimin e disa gjërave të diskutueshme, që shpesh përhapen falë konsideratave të bazuara në besime, në një mënyrë që i ruan nga çdo kritikë e mundshme. Për rrjedhojë, ata në krahun tjetër të debatit publik – në krahun humbës – pas njëfarë kohe kuptojnë se zotërojnë mjete vërtet të pakta rezistence, gjithmonë për aq kohë sa nuk fillojnë edhe ata “t’i kontrabandojnë” përkushtimet e tyre morale përmes përkushtimeve që janë në modë në momentin kulturor.

Brenda një mjedisi të tillë, është jashtëzakonisht e vështirë të vësh në pikëpyetje supozimet morale të brendashkruara lidhur me martesën, duke pasur parasysh se në ç’mënyrë bindëse ia ka dalë narrativa mbizotëruese sekulare të ofrojë një shpjegim të asaj se çfarë martesa është (dhe kësisoj se si ajo duhet kuptuar). Në botën moderne martesa përgjithësisht përkufizohet mbi bazën e interesit të përbashkët seksual, pajtueshmërisë së personaliteteve dhe fillimin e një jetese në të cilën bashkohen qëllimet erogjene dhe shoqërore të dy individëve, të cilët përfshihen në një marrëdhënie martesore të shpallur vullnetarisht si e rëndësishme. Me një kuptim të tillë të martesës e marrë si një ungjill, njohja politike e një marrëveshjeje martesore në kurriz të një tjetre nuk është asgjë më shumë sesa një paragjykim (sepse si mund të mos jetë?), teksa shumë marrëdhënie seksuale bashkëndajnë karakteristikat dhe tiparet e besuara si thelbësore për përkufizimin e martesës.

Sipas kësaj qasjeje, preferenca gjasme heteronormative e shtetit materializohet në dobitë financiare që i gëzon shumica heteroseksuale, superiore me ato që gëzojnë pakicat e margjinalizuara të LGBT-ve, partneriteti i të cilave është iracionalisht i stigmatizuar. Veç kësaj, diskriminimi i hapur i një pakice të margjinalizuar shndërrohet në një burim shqetësimi dhe forca morale e barazisë mbështet ata që hasin vështirësi në artikulimin e objeksioneve të tyre më të thella ndaj çdo aspekti që nuk tingëllon fëminor, anakronik apo haptazi fanatik. Në këtë pikë, institucionalizimi i qëllimshëm i martesës, nga i cili martesa përfton përkufizimin e saj, mungon plotësisht. Dhe është pikërisht për shkak të këtij keqkuptimi kaq gjithëpërfshirës të martesës, një institucion qëllimi i të cilit është rikonceptuar radikalisht në vitet e fundit, që qëllimi tradicionalisht i ruajtur institucional i saj duhet të rikthehet në zemër të diskutimeve tona, me shpresën e meremetimit të saj në një kuptim politik (apo së paku, në një kuptim sociologjik në kufijtë tanë shoqërorë).

Përsa u përket institucioneve, ata që të gjithë ekzistojnë të udhëhequr nga qëllime të veçanta, në përputhje me të cilët janë organizuar. Xhamitë si institucione, për shembull, orientohen të mundësojnë afërsinë midis adhuruesve dhe Zotit, duke shërbyer si vende adhurimi dhe kryerje ritualesh, përmes të cilave përmbushen detyrimet fetare. Edhe pse individi adhurues që shkon në xhami mund të ketë qëllimet e tij, të cilat mund të jenë disi të ndryshme nga qëllimi i institucionit (si për shembull takimi i shokëve apo kalimi i kohës, etj.), dallime të tilla nuk e dëmtojnë integritetin institucional të xhamisë apo arsyen se përse ajo ekziston. Nëse xhamitë do të ishin organizuar për qëllimet fetare të disa adhuruesve dhe më pas do të rithemeloheshin duke u rikonceptualizuar si vende që shërbejnë ekskluzivisht apo kryesisht për të kaluar kohën apo takuar shokët, do të ishim në të drejtën tonë të shtronim pyetjen nëse duhet të vazhdonim t’i quanim më xhami apo jo dhe jo të shpreheshim se janë qendra komunitare apo kreacionale, apo duke përdorur ndonjë term tjetër. Disa organizata myslimane mund të përpiqen institucionalisht për të promovuar kultivimin e një bashkësie të fortë myslimane, duke shkrirë dhe bërë bashkë nëninstitucione të shumta brenda sferës teologjike (siç janë për shembull qendrat që përfshijnë një xhami, një klinikë shëndetësore, një shkollë, etj.). Shumë individë që i frekuentojnë këto qendra kanë qëllimet e tyre personale, të cilat premisën e kanë pikërisht te qëllimet e një organizimi të tillë, e paçka se disa nga këto qëllime mund të përmbushen, qëllimi institucional nis të formulohet sipas qëllimeve të posaçme të pjesëmarrësve.

Duke e shtrirë këtë mënyrë të menduari tek institucionet e tjera si shkollat, spitalet, ushtria dhe më tej, kemi mundësinë ta sqarojmë edhe më shumë këtë degëzim të të posaçmes kundrejt institucionales. Qëllimi institucional i spitalit ekziston mbi dhe përtej qëllimit për të cilin mjeku individual punon në të: këta dy qëllime sigurisht që mund të bashkohen, por nuk përjashtohet që edhe të largohen dramatikisht nga njëri-tjetri. Edhe ushtria si një institucion operon gjithashtu në përputhje me obligime specifike që burojnë nga qëllimet për të cilat ekziston, edhe pse shërbimi individual i ushtarit mund të udhëhiqet nga qëllime dhe interesa që ekzistojnë pavarësisht atyre të institucionit të cilit ai i shërben. Nëse ushtria, spitali, universiteti apo institucione të tjera të ngjashme me to do të rithemeloheshin duke u rikonceptualizuar në përputhje me qëllimet e larmishme të atyre që punojnë apo marrin pjesë në to, me shumë gjasa do të karakterizoheshin nga mungesa e efikasitetit dhe do ta rrezikonin të gjithë qëllimin në përputhje me të cilin janë krijuar që në krye të herës.

Qëllimi i institucionit duhet pra ta tejkalojë atë të individit të veçantë që ekziston e vërtitet diku brenda tij. Dhe qëllimi i martesës gjithmonë ka qenë t’i tejkalojë motivacionet e veçanta të atyre që përfshihen ne të. E thënë akoma dhe më drejtëpërsëdrejti, qëllimi rreth të cilit martesa gjen kuptim shoqëror është aftësia e saj për të mundësuar një kontekst brenda të cilit riprodhimi mund të sigurohet dhe kultivohet, në një marrëdhënie të karakterizuar nga një përkushtim reciprok e i përbashkët, nga e cila jeta e re, organikisht e përftuar nga akti intim midis një mashkulli dhe një femre, mund të mbështetet, ushqehet dhe rritet derisa të arrijë moshën madhore.

Ky qëllim institucional mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar dhe kjo për një numër arsyesh. Disa me të drejtë mund të përmendin shumë çifte përgjithësisht të lumtur që njohin, të cilët nuk kanë qëllim që të riprodhohen duke lënë pasardhës. Edhe pse çifte të tillë padyshim ekzistojnë, prania e martesës që nuk gëzon motivim riprodhues, në këtë pikë na korrespondon me mjekun që nuk bashkëndan qëllimet e spitalit në të cilin punon. Motivet dhe vendimet personale të çifteve nuk janë të qëllimshme për qëllimin institucional për hir të të cilit martesa ekziston, njësoj siç motivimi i mjekut është i parëndësishëm për spitalin ku ai shërben. Për aq kohë sa mjeku nuk i shkel detyrimet që i përcaktohen nga marrëveshja e punës, ai do të vazhdojë të punojë edhe në pastë motivime të ndryshme, njësoj si çiftet që mund të jetojnë fare mirë në besnikëri të plotë pa pasur fëmijë, të udhëhequr nga motivime personale të ndryshme nga ato të institucionit martesor që i ka bashkuar. Një objeksion i ngjashëm shfaqet kur infertiliteti rritet, me kritikë që akuzojnë se qëllimi riprodhues i martesës shërben për të dëmtuar apo zhvlerësuar martesat në të cilat riprodhimi nuk është i mundur. Nuk është e nevojshme të thuhet se një numër martesash do të lidhen midis bashkëshortësh që e kanë të pamundur të kenë fëmijë, pa pasur kurrfarë faji apo vullneti për të mbetur të tillë. Mungesa e pasardhësve nuk e dëmton rëndësinë paradigmatikisht riprodhuese të martesës si një institucion; madje kjo jo vetëm që nuk është kështu, por ajo e nderon atë duke i ruajtur një domethënie të veçantë. Krahasimisht, marrëdhëniet brenda të njëjtit seks e çnderojnë në kuptimin më të drejtëpërdrejtë këtë paradigmë dhe e shkelin rendin teleologjik që mundëson marrëdhënien intime natyrore.

Të tjerë mund të kundërshtojnë duke thënë se kjo është një pikëpamje disi reduktuese e martesës, teksa ajo bart konotacione që nuk mund të lihen lehtësisht mënjanë – siç janë ato të intimitetit, dashurisë për tjetrin dhe bashkëjetesës së përjetshme. Edhe pse këta janë tipare padyshim thelbësore të një martese të shëndetshme, qëllimi institucional falë të cilit ajo përfton rëndësinë shoqërore, është karakteri specifikisht riprodhues dhe jo ai dashuror. Qeveritë dhe shoqëritë në përgjithësi kanë qenë shumë indiferente ndaj karakterit specifik të marrëdhënieve, apo nëse ato po funksionojnë mirë apo keq. Përftimi i martesave të qëndrueshme shndërrohet në diçka shoqërisht të rëndësishme vetëm nëse pakësimi i tyre fillon të ndikojë strukturën e shoqërisë, veçanërisht përmes përhapjes së divorcit dhe impaktit të drejtëpërdrejtë që ai ka te fëmijët apo te të tjerët, që janë të varur nga qëndrueshmëria e vatrës familjare.

Potenciali riprodhues ekskluziv për marrëdhëniet heteroseksuale, shpjegon gjithashtu se përse shoqëritë kanë qenë në padurim të vazhdueshëm për të promovuar kontekstin e qëndrueshëm të martesës, i vlefshëm për dy persona të interesuar në veprimtarinë seksuale, duke e stigmatizuar në të njëjtën kohë jashtë mase veprimtarinë seksuale që ndodh jashtë martese. Fëmijët e lindur jashtë saj hasin pengesa të konsiderueshme në jetë dhe prodhojnë rezultate më të dobta sesa fëmijët e lindur brenda martese. Një burrë apo një grua në një telash të tillë riprodhues mund të zgjedhin që ta ndalojnë ardhjen e fëmijës në botë, ose duke e abortuar, ose duke e braktisur. Paqëndrueshmëria e një marrëdhënieje së cilës i mungon një përkushtim i qartë moral, bart pasoja morale që për shoqërinë në tërësi janë të padëshirueshme dhe moralisht katastrofike, e paçka se dy njerëz të përfshirë në një marrëdhënie seksuale mund të zgjedhin të sjellin në botë një fëmijë të lindur përpara martese apo jashtë saj, situata të tilla përjashtimore nuk e zhvlerësojnë normën e martesës që shoqëria gjithmonë ka promovuar dhe është e prirur ta mbrojë.

Mbi këtë premisë, marrëdhëniet homoseksuale kanë pasoja të pakta shoqërore dhe asnjë pasojë institucionale, duke i shndërruar ato në të pamundura për t’iu mbivendosur martesës. Format e veprimtarisë erotike të praktikuara në marrëdhëniet homoseksuale, nuk janë marrëdhënie seksuale në kuptimin e plotë të fjalës. Sodomia në veçanti, në vende dhe kohë të ndryshme është kriminalizuar për shkak të pasojave mjekësore (dhe ç’është më e rëndësishmja, morale), por përveç kësaj, është injoruar në masë nga shumë shoqëri, të painteresuara për të depërtuar në sferën e marrëdhënieve seksuale private. Si një çështje e politikës publike, shoqëria ka pak apo aspak interes në njohjen e marrëdhënieve seksuale që ndodhin në privatësinë e shtëpive, edhe pse ka shumë arsye për ta njohur dhe mbrojtur me xhelozi formimin e familjeve që formësohen nga bashkimi i burrit dhe gruas në martesë.

Një nga pasojat thellësisht dëmtuese të zgjerimit të martesës për të pranuar në gjirin e saj marrëdhënie të të njëjtit seks, është rithemelimi i teleologjisë së saj institucionale, duke kaluar nga mbrojtëse të pasojave organikisht riprodhuese, te një institucion që përqafohet si një zgjedhje personale, e cila krijohet nga dy persona që te njëri-tjetri gjejnë pajtueshmëri, miqësi dhe deri në njëfarë mase interes erotik. Kjo përparësi që i jepet vendit të zgjedhjes e përmbys themelin e familjes, nga diçka që mundëson ndërlidhje përmes lidhjeve specifikisht të pazgjedhura të mitrës, tek ajo e personave miratues që në mënyrë të kushtëzuar përftojnë titullin e familjes, por e braktisin atë kur papërshtatshmëritë shndërrohen në papërballueshmërisht të tepërta. Pandryshueshmëria e lidhjeve familjare të themeluara përmes lindjes (pra lidhjet që kemi me prindërit, vëllezërit e motrat, hallat, tezet, dajat dhe xhaxhallarët, gjyshërit, etj.) është diçka që njerëzimi e ka përshëndetur, pavarësisht natyrës specifike që ato kanë pasur në një kontekst të caktuar, nga të cilët ka të atillë ku ato e kanë të vështirë të realizohen. Këtu, qëllimit institucional të ruajtjes së lidhjeve të familjes, i jepet një përparësi që i tejkalon përvojat e individit të veçantë. Edhe në mjediset jashtëzakonisht të vështira familjare, njerëzit mbeten kuptimisht të detyruar për t’i respektuar lidhjet e përcaktuara nga gjaku.

Supozimi i detyrimeve të pazgjedhura morale bie ndesh me paradigmën tonë shoqërore të pëlqimit, lirisë dhe agjencisë personale si përkufizuese të kuptimit tonë të të qenit. Duke e braktisur natyrën pashmangshëm të nënkuptuar të familjes (fëmijët që sjellim në botë, prindërit, vëllezërit dhe motrat tona, etj.) dhe duke e riorganizuar martesën dhe familjen bazuar vetëm mbi konsiderata me premisë zgjedhjen, ne e dobësojmë thellësisht aftësinë e familjeve për t’i absorbuar me vështirësi të mëdha barrët e zakonshme, me të cilat ato thuajse përherë janë të destinuara të përballen në një mjedis të fortë familjar. Braktisja e të moshuarve, për shembull, dhe dërgimi i tyre në masë nëpër azile, shndërrohet në diçka jo vetëm të pranueshme në kuptimin shoqëror të fjalës, por edhe racionalisht e negociueshme nga ata që janë në padurim për të ndjekur aspiratat e tyre të lira, që përndryshe do të pengoheshin nga prania e të moshuarve, përkujdesja e të cilëve me kalimin e kohës është bërë edhe tmerrësisht e kushtueshme.

Pasojat shihen gjithashtu edhe në rastin e fëmijëve, përkujdesja dhe karakteristikat individuale të të cilëve i shndërron në të padëshirueshëm. Përhapja e abortit është një sferë e shoqërisë moderne në të cilin ky problem haset rregullisht dhe studimet rreth tij në Shtetet e Bashkuara vazhdimisht raportojnë për rreth 600.000 deri në një milion aborte çdo vit. Eliminimi parandalues i fetuseve që rezultojnë me sindromën down është gjithashtu në përputhje me këtë paradigmë socio-familjare, në të cilën detyrimet morale që lidhen me shtatzaninë zotërohen plotësisht nga persona vendosmëritë subjektive të rehatisë së të cilëve prevalojnë mbi çështjet e vetëkuptueshme etike që lidhen me eliminimin e foshnjeve me aftësi të kufizuara pa dalë ende në këtë jetë. Regjistrimi i fëmijëve nëpër institucione dhe sistemimi i përkujdesjes së tyre është një tjetër dukuri përmasat gjithnjë e më të mëdha të së cilës lidhen drejtëpërsëdrejti me një vlerësim të përmbushjes personale përmes zbavitjes, përvojave epshore dhe parave të shpenzuara shpengueshmërisht, në përputhje të plotë me konsumerizmin që e drejton këtë përmbushje.

Përkrahësit e martesës brenda të njëjtit seks me raste e kundërshtojnë këtë qasje, duke e përmbysur arsyetimin dhe duke i dhënë rëndësi natyrës drejtëpërsëdrejti të zgjedhur të marrëdhënieve të tyre, duke i konsideruar superiorë edhe fëmijët që bëhen pjesë e vatrës së tyre familjare, për të cilët arsyetojnë se janë produkt i një zgjedhjeje dhe jo si ata të martesave heteroseksuale që në përgjithësi janë të pazgjedhur. Por ky riinstitucionalizim i familjes, edhe pse mund të funksionojë fare mirë në rastet e fëmijëve individualë që gëzojnë një përkushtim dhe përkujdesje të kënaqshme nga çiftet e homoseksualëve apo lesbikeve, si një realitet shoqëror përsëri nuk ka dyshim se mirëqenien e fëmijëve si një klasë e vendosin përballë një rreziku të madh. Duke pasur parasysh diferencat cilësore që janë të brendashkruara në martesat e të njëjtit seks, ne nuk duhet të habitemi që sjellja e çifteve të të njëjtit seks dhe ndërlikueshmëria e martesave të tyre ndryshon radikalisht nga ajo e martesave heteroseksuale. Këto diferenca përfshijnë faktin se çiftet brenda të njëjtit seks janë shumë më të prirur të bashkëjetojnë krahasuar me heteroseksualët, janë akoma dhe më të prirur të divorcohen (gjë që është e vërtetë edhe në ato vende ku martesat e të njëjtit seks janë njohur ligjërisht prej shumë kohësh dhe gëzojnë një nivel të lartë të ardhurash, arsimimi, etj.) dhe janë gjithashtu shumë më të prirur të kenë martesa “të hapura.” Kjo paqëndrueshmëri e përgjithshme e marrëdhënieve brenda të njëjtit seks mund të konsiderohej tejet e parëndësishme nëse do të materializohej në jetët e tyre private, por si një marrëdhënie që bart domethënien institucionale të martesës dhe përfshirjen e mundshme të një fëmije, rezultate të tilla janë jo pak problematike dhe aspak të qëndrueshme e të sigurta për fëmijët si një klasë, krahasuar me lidhjet organike të prindërimit biologjik që ndodh brenda hapësirës së përkushtimit martesor.

Një program i njohur për konstruktionizmin e gjinisë e mjegullon akoma dhe më shumë idenë se tabloja e familjes dhe përbërja e natyrshme e saj të ketë ndonjë domethënie të veçantë. Të pasurit e “dy baballarëve” apo “dy nënave” shihet si diçka virtualisht e ndërshkëmbyeshme me të pasurit e një babai dhe nëne. Sado bindëse që të jetë narrativa e neutralitetit të gjinive, pjesëmarrja unike dhe plotësuese e nënës dhe babait nuk mund të zhvendoset, zëvendësohet apo t’i caktohet një neutraliteti gjinor, pa kostot domethënëse që do të duhet t’i paguajnë të gjitha palët. Lidhur me këtë, sociologu David Popenoe, akademik i Universitetit Rutgers, shprehet: “Ne duhet ta refuzojmë konceptin se ‘nënat mund të jenë baballarë të mrekullueshëm,’ njësoj siç duhet të refuzojmë edhe konceptin se ‘baballarët mund të jenë mama të mrekullueshme…’ Dy gjinitë janë thelbësisht të ndryshme nga njëra-tjetra dhe secila është e domosdoshme – kulturalisht dhe biologjikisht – për zhvillimin optimal të një qenieje njerëzore.”

Martesa e rikonceptualizuar si zgjedhje e një mënyre jetese, ka gjithashtu efektin e zmadhimit të vendit të veprimtarisë erogjene brenda saj. Shumëkujt mund t’i vijë si surprizë se vitaliteti seksual i një martese, në fakt nuk është vlera kryesore përmes së cilës ajo merr kuptim. Ç’është e vërteta, nëse njohja dhe pranimi i martesës do të ishte një çështje drejtëpërsëdrejti e lidhur me përcaktimin e dallimit ndarës të marrëdhënieve me veprimtari seksuale aktive nga ato joaktive, atëherë shumë marrëdhënie seksuale aktive që ekzistojnë jashtë saj duhet të përfshiheshin brenda konceptit të martesës, njësoj siç shumë martesa nuk mund të quhen më të tilla, për shkak të mungesës së aktivitetit seksual. Në fakt, martesat që shtrihen përtej marrëdhënies seksuale – ku përfshihet përkushtimi, empatia, përkujdesja dhe përmbushja e përgjegjësive prindërore – priret të jenë më të shëndetshme për një marrëdhënie afatgjatë bashkëshortore, sesa thjesht përmbushja e dëshirave erotike. Për më tepër, një pjesë e mirë e intimitetit martesor, veçanërisht kur çifti fillon të plaket, ndodh në forma platonike, të cilat nga burri dhe gruaja ndihen dhe vlerësohen në mënyrë të veçantë. Ky shqetësim pas natyrës drejtëpërsëdrejti erotike të marrëdhënieve martesore ka kontribuar në fushën gjithnjë e më të përhapur të terapisë seksuale si pika themelore e pajtimit martesor, gjë që ndodh duke promovuar rikonfigurimin e mësimeve tradicionale teologjike rreth martesës, për t’u fokusuar më shumë mbi intimitetin martesor dhe gabimet e akteve të lejuara seksuale, sesa te të drejtat e individëve të përfshirë, rëndësinë e përkushtimit dhe familjen si një institucion që shfaqet natyrshëm pas martesës.

Çështja e dinjitetit njerëzor paraqet një tjetër faktor ndërlikues në diskutimin që kemi rreth martesës. Në një përgjigje të përshkruar si “shkatërrimi i shtëpisë” nga gazetarja e Business Insider Grace Panetta, përgjigjja e Elizabeth Warren lidhur me martesat e homoseksualëve dhe besimin në Town Hall-in e fundit demokratik të LGBT-ve, është me vlerë për të vënë në pah këtë ngatërresë lidhur me qëllimin martesor: “Për mua vlen ajo që kam mësuar në kishë kur kam qenë e vogël… e që është vlera e madhe e çdo jete njerëzore. Dhe urrejtja gjithmonë më ka shokuar, veçanërisht kur shprehet nga njerëzit e besimit, sepse unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është vlera e çdo qenieje njerëzore.” Njësoj si Warren, shumë njerëz përqafojnë idenë se martesa brenda të njëjtit seks para së gjithash lidhet me dinjitetin dhe vlerën njerëzore dhe se marrëdhënia e dy partnerëve të të njëjtit seks është një ndër llojet më të këqija të urrejtjes, marrëdhënie këto iracionalisht të justifikuara mbi bazën e keqleximeve të skripturës apo traditave fetare, të cilat thjesht kanë nevojë të përshtaten me kohën. Por sidoqoftë, institucioni i martesës asnjëherë nuk ka qenë para së gjithash përcaktues i invidëve me dinjitet dhe as nuk ka shërbyer për t’u veshur disa njerëzve një vlerë më të madhe morale sesa disa të tjerëve. Nëse dikush është beqar nuk do të thotë se atij i mungon kuptimi apo vlera morale, njësoj siç marrëdhënie të tjera siç janë miqësia apo solidaritete të tjera njerëzore nuk është se karakterizohen nga ndonjë mungesë e rëndësishme e vlerës morale. Konceptimi i martesës si një institucion që para së gjithash e pajis njeriun me dinjitet njerëzor, është një ndër keqkuptimet që lidhen me të, gjë që haset shpesh në një mjedis që e ka deinstitucionalizuar teologjinë tradicionale të martesës dhe e ka rikonceptuar si një aventurë terapeutike që synon të përmbushë kënaqësitë e individëve që përfshihen në të.

Për të qenë sa më të qartë, një numër i ndryshimeve të mësipërme i paraprijnë qartazi shfaqjes së martesës brenda të njëjtit seks si një dukuri e njohur dhe e pranuar shoqërore. Martesat në Perëndim tashmë kanë kohë që shërbejnë kryesisht si përmbushëse të dëshirave erotike dhe nevojave emocionale të bashkëshortëve. Në fakt, martesa brenda të njëjtit seks as që do të ishte konceptuar, nëse martesa heteroseksuale në dy shekujt e fundit nuk do të ishte shndërruar në një institucion të mbështetur para së gjithash te dashuria dhe romanca. Sipas një kuptimi, martesat e të njëjtit seks janë rrjedhojë e këtij koncepti, paçka se duke e shtrirë logjikën etike në fjalë, ngase çimentimi i kësaj paradigme të re martesore ndodh përmes nxjerrjes së aspektit riprodhues natyror jashtë përkufizimit thelbësor rreth asaj se çfarë martesa është në vetvete. Ideja e kësaj martese të rikonceptualizuar u përhap gjithashtu pasi seksi në Perëndim, falë revolucionit seksual, ishte shkëputur nga martesa. Promovimi i pavarësisë seksuale dhe vlerësimi i vetes seksuale në një mënyrë tërësisht të shpenguar (që të gjithë llojet e seksit janë të legjitimuar ekskluzivisht përmes pëlqimit), mundësoi legjitimimin e seksit dhe marrëdhënieve homoseksuale, të cilat vendin e tyre e zunë krahas marrëdhënieve romantike heteroseksuale (duke ushqyer atë në të cilën tashmë martesa ishte reduktuar). Ndryshime të tilla e kanë dobësuar thellësisht institucionin e martesës, duke na shpënë kështu drejt rritjes së numrit të divorceve, lindjeve jashtëmartesore, abortimit masiv dhe eventualisht, zgjerimit të vetë përkufizimit të martesës, duke përfshirë në të edhe marrëdhëniet brenda të njëjtit seks.

Prandaj, ruajtja e institucionit qëllimplotë të martesës si një nismë riprodhuese i shërben shumë funksioneve themelore, të cilat zhduken nga rikonceptualizimi i saj, teksa ajo para së gjithash nis t’i shërbejë përkushtimit romantik. Kështu ajo përkrah një normë të veçantë dhe konceptin tonë të familjes e organizon përreth modelit normativ të ngjizjes së fëmijëve që më pas rriten nga dy prindërit biologjikë. Ajo ruan natyrën specifikisht të pazgjedhur të strukturës familjare që shfaqet përmes riprodhimit dhe shenjtëron lidhjet që formohen brenda saj. Mbron fëmijët dhe vatrën familjare në të cilën ata jetojnë, duke u siguruar një kontekst që ushqehet posaçërisht në të mirë të interesit dhe rritjes së tyre. I jep rëndësi integritetit të paraardhësve dhe cilët ata janë, duke u dhënë kështu kuptim dhe duke krijuar një kontekst më të gjerë shoqëror të përkujdesjes, përkushtimit dhe bashkësisë, përmes lidhjeve dhe solidaritetit që këto lidhje gjaku diktojnë. Që të gjitha këto por edhe të tjera, për çdo shoqëri janë të një rëndësie të patjetërsueshme, e veçanërisht për martesën si një përpjekje ekskluzivisht e ndërmarrë midis një mashkulli dhe një femre.

Edhe pse deri më tani çështjen e kam trajtuar duke e vënë theksin te rëndësia institucionale e martesës pa përdorur ndonjë referencë fetare, që të gjitha arsyet që kam përmendur janë në përputhje të plotë me etikën socio-familjare të shpalljes, siç ajo mishërohet në Kur’an dhe Sunet. Në më shumë sesa një rast, Zoti përmend sjelljen e mirë ndaj prindërve, urdhëresë që vjen menjëherë pas bindjes ndaj Tij dhe adhurimit të Tij si Një Zot i Vetëm. I Lartmadhëruari gjithashtu në mënyrë të përsëritur përmend aktin e riprodhimit dhe etapat e ndryshme të zhvillimit të fetusit në mitër, si një akt hyjnor i veshur me një domethënie të veçantë dhe fuqi frikë-inspiruese. Veç kësaj, këshillat e vazhdueshme të Profetit paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për të ruajtur lidhjet e gjakut (silat al-rahim), shoqëruar dhe me paralajmërimet e shkeljes së rëndë që përbën shkëputja e këtyre lidhjeve, hedh akoma dhe më shumë dritë mbi rëndësinë e familjes dhe ruajtjes së saj, si një pjesë thelbësore e zbatimit të vetë fesë. Qëllimet e larta të së drejtës islame (maqasid al-shari’a), që konsistojnë në pesë qëllime parësore të cilat përfshijnë synimet e së Drejtës së Shenjtë, si një kategori të veçantë përfshijnë ruajtjen e nasab-it apo nasl-it, terma që përafërsisht përkthehen se diktojnë ruajtjen e integritetit gjenealogjik, atë të pasardhësve dhe bërthamës familjare.

Si një çështje e solidaritetit abrahamik, dy lejesat që myslimanët gëzojnë lidhur me Popujt e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët) janë ato të ngrënies së ushqimit të tyre dhe martesës me ta, kurse koncepti i lidhjes së marrëveshjes me traditat e Librit është diçka që ka ekzistuar që në zanafillën e Islamit. Ndërtimi i bashkësisë abrahamike predikohet mbështetur mbi mundësinë që tre traditat kanë për të mbërritur në një marrëveshje të negociuar që do të ruante moralet dhe vlerat e tyre përkatëse. Tradicionalisht, kjo nuk ka qenë shumë e vështirë (edhe pse nuk ka dyshim që përplasjet fetare janë nxitur nga faktorë të tjerë), teksa koncepti i familjes ka pasur ngjashmëri të madhe në traditat abrahamike, përfshirë këtu nderimin e prindërve, ruajtjen e lidhjeve familjare dhe vlerësimin e integritetit të prejardhjes si diçka të rëndësishme, duke mos lejuar në të njëjtën kohë veprimtaritë seksuale që shkelin parametrat e përcaktuara në mënyrë specifike. Një shoqëri që i shpërfill haptazi vlera të tilla duke i trajtuar armiqësisht, e dobëson mjedisin e larmishëm fetar që traditat abrahamike e kanë parë si thelbësor për vitalitetin e tyre të përbashkët. Nuk duhet të habitemi se përcjellja e besimit nga brezi në brez, për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë bëhet gjithnjë e më e vështirë, kur këto vlera themelore çrrënjosen nga zemrat e njerëzve.

Nëse kjo inerci nuk ndërpritet, degradimi i shfrenuar i familjes mundet fare mirë që për myslimanët dhe të tjerët që janë detyruar të bëjnë shumë kompromise fetare në Perëndim, të jetë goditja përfundimtare. Pa familje dhe bashkësi të shëndosha, myslimanët nuk do të mbijetojnë si besimtarë të përkushtuar dhe vetë besimi islam i qëndron fort ruajtjes së familjes, si një themel i fortë i vetë dëshmimit të fesë (shahada). Nëse myslimanët kanë për qëllim që në Perëndim të vazhdojnë të banojnë në bashkësi që lejojnë një shprehje të moderuar të Islamit (shprehje tashmë e kompromentuar nga një mjedis ekonomik i mbështetur mbi interesin, kompleksi industrial ushtarak, klima seksuale libertine, etj.), atëherë do t’u duhet të zgjedhin midis braktisjes së jetës publike dhe rikthimit në enklavat e izoluara, apo të përftojnë petkun e nevojshëm për t’u shndërruar në heretikë kulturorë dhe për t’i shpallur bindjet e tyre si publikisht kuptimplota dhe të dobishme për ata që i rrethojnë.

Negociatat që u kërkojnë myslimanëve të konfirmojnë mbrojtjet ligjore për grupet LGBT shtrihen përtej thjesht njohjes së martesës (gjë që është njohur ligjërisht që prej vendimit Obergefell dhënë nga Gjykata e Lartë në vitin 2015) dhe varen nga aftësia e tyre për të bashkëjetuar me një mospërputhje politike që i ndan qartazi pozicionet që ata mbrojnë publikisht, nga ndërgjegjja e tyre morale. Efekti demoralizues i mbështetjes konfirmuese për zgjerimin e imoralitetit nuk mund të nënvlerësohet dhe me kalimin e kohës mesazhi i nënkuptuar shndërrohet në një bindje të drejtëpërdrejtë: ajo që ka rëndësi vërtet është ajo çfarë unë them në publik. Të kuptosh se çfarë është në rrezik është thelbësore për çdo diskutim serioz, nëse duam të kuptojmë nëse një kompromis i caktuar politik është një vendim i matur apo jo. Në gjendjen që ndodhemi, domethënia riprodhuese e martesës mbetet e pakuptueshme dhe gjerësisht e refuzuar në debatin publik, madje edhe kur diskutohet midis vetë myslimanëve. Institucioni i martesës siç është kuptuar tradicionalisht, do të dështojë që t’u bëjë ballë këtyre trysnive dhe kapitullimi i saj do ta shkretojë në zemër familjen dhe gjithë çfarë vjen prej saj.

Disa mendime të tjera: “Anshmëritë e nënkuptuara” – një studim i titulluar “Reactions to Male-Favoring vs. Female-Favoring Sex Differences: A Preregistered Experiment” ka zbuluar se pjesëmarrësve që u janë treguar kërkime të rreme mbi diferencat seksuale janë më të prirur që të besojnë se burrat në diçka janë superiorë në raport me gratë, edhe pse studimet janë identike, me përjashtim të përfundimeve. Një tjetër gjë interesante nga studimi është se pjesëmarrëset femra parashikuan se burri mesatar do të kishte një reagim më pozitiv ndaj studimeve që parapëlqejnë burrat dhe përgjithësisht një reagim negativ ndaj studimeve që parapëlqejnë gratë, edhe pse asnjëra nga të dyja nuk është e vërtetë.

Në një numër gjithnjë e më të madh shtetesh, pothuajse një e treta e njerëzve jetojnë vetëm. Një arsyetim që Branko Milanovic bën në veprën e tij Capitalism, Alone, është se një pjesë e madhe e komodifikimit të shumë veprimtarive që dikur kryheshin brenda familjes, kanë prirjen të rezultojnë në më shumë njerëz që tashmë jetojnë vetëm. Për më shumë, mund të shihni tweet-in e tij me shifrat përkatëse.

Kështu Nats fitoi flamurin triumfues dhe njerëzit nuk reshtin së foluri rreth Bryce Harper. The Ringer ka një copëz interesante rreth tij dhe panteonit të “Teorisë Ewing”. Dhe Allahu e di më së miri.

Përktheu: Klajd Bylyku.

Please follow and like us: