Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: “Kësulkuqja fluturuese”, variant ndryshe i përrallës nga Moikom Zeqo

 

Libri i Moikom Zeqos siç e përshkruan dhe ai vetë “Tregime për pleq 10 vjeç dhe fëmijë 100 vjeç”, nuk zhgënjen. Nëpërmjet shumë rrëfimeve, përrallave, por edhe skicimesh të thjeshta portretesh, ai na jep një tabllo të pasur të jetës shqiptare nga koha e ilirëve, tek Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Marko Boçari, rilindasit e mjaft figura të rëndësishme. Rrëfimet janë të ndërlidhura drejtpërdrejtë me fakte historike, mite apo gojëdhëna, të cilat Moikomi si një rrobaqepës i zoti i ka veshur me petkun e artë artistik. Përralla “Kësulkuqja fluturuese” nga ku ka marrë titullin edhe kjo përmbledhje gjithëpërfshirëse, është një variant ndryshe i Kësulkuqes. Shumë interesant nga gjetja dhe përshkrimi midis reales dhe fantastikes. Gjithashtu, shumë tërheqëse është edhe rrëfenja që i atribuohet Shekspirit, i cili ambjenton në Shqipëri ngjarjet ku dy binjakë, vëlla e motër, Viola dhe Sebastiani, pas shumë aventurash e peripecish të rrezikshme, gjejnë dashurinë e tyre.

Shumë interesante është edhe rrëfenja “Filozofi dhe peshkatari”, ku jepet qarte që në një situatë të vështirë dhe vendimtare s’mjaftojnë vetëm librat që ke lexuar për të shpëtuar. Por duhet edhe prakticiteti thelbësor i jetës. 

Një prozë prekëse ishte edhe “Profesori i Kopernikut”. I shtjelluar bukur që nga adoleshenca e Leonikut e gjer në çastet e fundit të jetës. Njohja dhe miqësia e tij me nxënësin e ri premtues Nikolla Kopernikun, që iu kundërvu Kishës dhe hodhi dritë ndaj shkencës së astronomisë, duke shkelur me kēmbë rregullat e ngurta fetare, të gënjeshtërta dhe pa asnjë bazë shkencore.

Edhe mjaft rrëfime të tjera me personazhe të vërtetë nga lashtësia shqiptare, banues në Arbëri apo jashtë saj, në mërgim që me punën dhe veprat e tyre janë shënuar në rregjistrin e të lavdishmëve. 

Përmenden qindra emra, po s’kishte si të mungonte edhe emri i Marin Barletit që shkroi “Rrethimi i Shkodrës” dhe një monografi të rëndësishme mbi jetën e Skënderbeut.

Njē perlë e vërtetë është edhe rrëfenja që lidhet me emrin e kreshnikut Gjergj Elez Alia. Që nga fëmijëria ruaj në kujtesë bëmat e tij, si erdhi nga deti një baloz i zi dhe ai doli të luftojë përbindëshin për të mbrojtur nderin e njerezve dhe tokës së tij. Tek rrëfenja e Moikomit Gjergj Elez Alia sfidon arrogantin Krajleviq Marku që i kishte premtuar së shoqes t’i çonte një shqiptar si dhuratë në shtëpi që fëmijët të luanin me mustaqet e tij. Por nga frika e Gjergjit, ai u mbyll në një shpellë dhe s’doli më prej aty.

Por një nga tregimet më sugjestionues të këtij libri të mrekullueshëm eshtë edhe ajo me titullin “Kënga”, që shpreh forcën dhe heroizmin e të vegjëlve. Në një Shqipëri të pushtuar nga fashistët, një klasë fëmijësh ngre krye, pasi duan ti imponojnë të këndojnë këngë fashiste dhe me parulla “Viva Duce”. Ata mblidhen me njëri tjetrin dhe e sabotojnë këngën duke thërritur në vend të sloganit “Viva Duce”, “Via Duce”, që do të thote “ik prej ketu Duce”. Vertet një tekst emocionues, më kujtoi “Lulekuqet mbi mure” e mjaft tekste ku fëmijët padashur e papritmas kthehen në heronj e protagonistë të pashembullt, nëpër rrjedha ngjarjesh të pakontrollueshme.

Përfundimi, një libër me peshë, me shumë vlera historike, artistike dhe edukative për fëmijët e të rinjtë. Një libër i pa moshë.

Savona 29. 12. 2024.

Please follow and like us: