Dea Toçi: Kafe pa sheqer
Kafen e parë pa sheqer
dhe ngadalë përgatis veten
për të gjitha hidhësitë e ditës,
të cilat ngjeshur njëra pas tjetrës
përbri i rrinë çudisë, nervit, frikës.
*
Kafen e hidhur
doemos e dua, se vetëm ashtu
mendja kalitet dhe stoike qëndron,
përballë sheqerit që me dredhi shijen ia zbut,
përballë kujtdo fals emocion ditës t’i shton.
*
Dhe atë të fundit pa sheqer e dua,
as mos më thoni t’i hedh vetëm pak,
hidhësi e kafes do shmang për mua
dëmin që sjell sheqeri në gjak,
pafytyrësinë njerëzore që vret si farmak.
*
Ju që e pini me sheqer,
veten mos gënjeni
e më pas të tjerë.
Marrë nga libri poetik “33” i Dea Toçit.
Please follow and like us: