Albspirit

Media/News/Publishing

Intervistë me shkrimtarin dhe dekanin e Shkencave Sociale, prof. Ylli Pango

Çerçiz LoloçiTemA, 18.01.2004

Publicisti, shkrimtari dhe akademiku i njohur, prof. Ylli Pango, në një intervistë për gazetën, flet ndër të tjera se situata aktuale është kohë përmbysjesh, pasi populli ka një neveritje për partinë qeverisëse, ndërsa opozita gjendet gati për pushtet. Pango e sheh me shqetësim bojkotimin e zgjedhësve në kutitë e votimit dhe koalicionin e ri e cilëson si një grup klanesh kriminale që nuk sjellin asgjë te re jo më për shqiptarët, por edhe për socialistët e thjeshtë. Intelektuali i spikatur i radhëve akademike, i njohur për kritikat e tij konstante dhe publike ndaj strukturave abuzive të shoqërisë, duke qenë vetë pre e një krimi të shëmtuar dhe të paprecedent, thotë me trishtim se asgjë nuk është bërë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të shëmtuar dhe apelon për më shumë përgjegjësi të opozitës për të ndalur situatën kaotike në vend.

Zoti Pango, si do ta vlerësonit situatën politike në vend pas përfundimit të manipuluar të zgjedhjeve lokale dhe pas riformulimit të sforcuar të kabinetit Nano?
Jemi në fazën kur populli përjeton zhgënjimin më të madh, madje neveritjen ekstreme nga politika e partisë në pushtet, PS noton në krizën më të rëndë politike brenda saj, ndërsa opozita në situatën më të favorshme që mund të shfrytëzojë për ardhjen në pushtet.

Si edhe në zgjedhje të tjera, të përgjithshme ose vendore, vërehet një largim i shqiptarëve nga kutitë e votimit çka ka krijuar një realitet që mund të emërtohej “maxhoranca dhe minoranca e pakicës”…
Ky është dështim i politikës në përgjithësi, por sidomos i politikës së partisë në pushtet, zhgënjim nga premtimet e parealizuara, por pjesërisht edhe tregues i mungesës së edukimit qytetar demokratik të njerëzve. Unë nuk jam për bojkotin e votuesve. Sepse pa votuar për dikë, sado të deziluzionuar të jemi, nuk arrihet asgjë veç status quo-së së mjerimit, varfërisë, vuajtjeve. Duhet zgjedhur së paku e keqja më e vogël. Ndonëse njerëz për të cilët mund të votohet e që mund ta bëjnë këtë vend ka. Populli duhet të përpiqet ca t’i njohë më mirë, e t’i votojë këta njerëz që janë pjesa më e mirë e tij e dalë po prej tij.

A mendoni se me këtë kabinet gjysmë të ri është shuar përfundimisht çarja në PS dhe janë shtyrë zgjedhjet e parakohshme parlamentare?
Përkohësisht po. Por për shumë pak kohë. Rifillohet së shpejti. Përfundimisht. Grupet e grupimet janë të gërryera nga konflikte interesash të fëlliqura e korruptive, të cilat përbënin shkakun kryesor të çarjes së madhe të PS dhe do të vazhdojnë të përbëjnë shkakun kryesor edhe në të ardhmen të kacafytjes brenda grupeve në pushtet. Ka ndërmjet tyre të pakënaqur me aq sa u është dhënë, ka që synojnë hegjemoni, ka të rrëzuar që gjithashtu duan rimarrje të pozitave politike për të siguruar apo mos rrezikuar fitimet e panumërta e bizneset e pista e të paligjshme apo për t’i çuar ato më tej. Gjithsesi, prapa kuintave të skenës festive kongresuale e postkongresuale, lufta vazhdon e ashpër. Kështu grupi i PS në pushtet godet tani bizneset e sferat e influencës së të rrëzuarve duke dashur t’i dërrmojë përfundimisht ata, jo në emër të ligjit, por të hegjemonisë e interesave të veta. Luftëra e beteja të reja përgatiten. Pra, të gërryerjeve të mëtejshme. Është logjike. Është ligjësi. Pushtetet e kalbura e korruptive kudo e kurdoherë janë shembur nga opozitat apo lëvizjet e gjera popullore, por sidomos në momentet kur kalbësia e tyre nuk iu lejon të mbahen më në këmbë. Unë mendoj se ky moment ka ardhur. Ata që nuk e ndiejnë janë krerët në pushtet. Në psikologji kjo spjegohet. Vjen një fazë kur njeriu në pushtet i kalon të gjitha caqet e nuk llogarit më popuj të tërë. Kjo fazë kur gjithkush sheh e kupton se pushtetmbajtësi ka arritur aty ku nuk mban më, por ai vetë, shkaktari i gjithë kësaj, nuk e kupton apo nuk do ta kuptojë këtë ende, kjo fazë pra quhet faza e vetekzaltimit. Pas kësaj vinë shembjet. Është provuar qindra herë në historinë e njerëzimit.

Tragjedia më e fundit e Karaburunit mendohet si dëshmia më e pakundërshtueshme e papërgjegjësisë qeveritare…
Pa dyshim. Nuk mund të them më tepër se ç’kam thënë në shkrimin “Një vizë” që ju patët mirësinë ta ribotoni. Më ka dhembur, ashtu siç u dhëmbi qindramijëra qytetarëve shqiptarë, që edhe një herë si në rastin e luftës së Kosovës, treguan një shpirt të gjerë qytetar e human. Dihet tashmë se vetëm kujt nuk i ka dhembur. Gjithsesi ajo shumicë që e tregoi veten me mbledhjen e qindramilionë lekëve për të gjorët, më mbush me optimizëm e shpresë se do të bëhemi. Pa tjetër do të bëhemi. Në thelbin tonë si komb kemi një diçka të mrekullueshme, që kohërat e regjimet na i kanë fshehur, ndryshuar disi, që janë përpjekur të na i përçudnojnë, por që nuk kanë arritur. As vetë nuk e di se si ka mbetur pas gjithë atyre që kemi hequr si vend. Është një mrekulli.

Viti që shkoi u mbyll me një serial vrasjesh të tipit mafioz çka duket se e ka vënë në pozitë të vështirë edhe policinë, edhe pushtetin e drejtësisë…
Kam folur gjerë për fenomenin e krimit, në librin tim “Krim”. Mendoj se kjo politikë, ky shtet mafioz, gjithnjë do të pjellë e do të ripjellë monstrën e krimit. Krimi i parë i madh i këtij viti u regjistrua: tragjedia e gomoneve. Të tjerë vinë pas. Nuk ka polici, drejtësi, të pengojë këtë, kur vetë pushteti e pjell dhe e rrit, e ushqen dhe e lulëzon. Po vimë në ditët që kam parashikuar në 1997 në një shkrim në “Gazetën Shqiptare”: ditët kur krimi në një formë ose në një tjetër na ka përfshirë të gjithëve.

Ju vetë, si një prej zërave publikë më të spikatur nga bota akademike keni qenë gjithashtu pre e krimit mafioz; a ka ndonjë të re në zbardhjen e këtij akti tepër të rëndë?
Po, jam vetë një nga viktimat, por për fatin tim të mirë ende gjallë. Ndofta kjo i pengon disa krerë të drejtësisë a policisë, ta rendisin krimin karshi meje si krim të rëndë në analizat e tyre apo ta lënë fare pa përmendur. Mesa duket duhet të kisha vdekur. Ka të ngjarë që në një rast të tillë të më fusnin në “klasifikim”. Nuk e di se si mund të shpresohet për zbulim, kur një atentat i tillë i parashikuar për të sjellë vdekje makabre, qoftë edhe të një pedagogu të thjeshtë universiteti, do të kishte tronditur çdo vend të qytetëruar, ashtu siç tronditi mjaft miq të mi të huaj që m’u gjendën pranë, më ndihmuan, më shkruan, më dhanë forcë, madje edhe më siguruan vizitën mjekësore në vendet e tyre. A e dini që një anëtar i nderuar i Dhomës së Komuneve të Anglisë, mbajti një fjalim prej 15 minutash, për rastin tim, përpara një grupi politikanësh mesdhetarë, në Londër. Ndërkohë mua ende s’më është kërkuar falje publike nga askush nga ata që në momentet kur prisja të operohesha, fabrikonin shpifjet më të ulta në media. Madje ndonjëri ka edhe paturpësinë të kthejë kokën në rrugë të më shohë duke pritur t’i flas. Tani jepeni ju vetë përgjigjen për zbardhjen, pasi u fola ndofta pak ashpër për nxirjen.

Pavarësia e universitetit, megjithë deklarimet e bujshme, duket se nuk ka fituar aspak terren në zhvillimet e sotme…
Pas shumë përpjekjesh nga ana jonë pati një hap të vogël përpara, e ndërkohë disa hapa të tjerë pas. Taktikat leniniste mbeten aktuale e të suksesshme edhe sot. Natyrisht kur zbatohen nga pinjollë. Sidoqoftë kjo është një temë më vete që kërkon një intervistë apo shkrim më vete. Ne ndërkohë vazhdojmë luftën, si staf akademik, si grup dekanësh, madje tashmë të mbështetur fuqimisht edhe nga studentët tanë.

Please follow and like us: