PRESIDENTI XHIMI KARTER NË KUJTIMET DHE FOTOT E SHQIPTARO-AMERIKANIT GEORGE TAMES
Kristaq Balli
Para pak kohësh (29 Dhjetor 2024) u nda nga jeta në moshën 100-vjeçare presidenti i SHBA-ve Xhimi Karter (Jimmy Carter Jr.).
Xhimi Karter (1924-2024) shërbeu si si president i ShBA-ve gjatë viteve 1977-1981.
Ai ishte ishte i njohur i vjetër i George Tames, fotografit shqiptaro-amerikan, që, si asnjë fotoreporter tjetër, ka fotografuar dhe ka shkruar për dhjetë presidentë amerikanë rresht, që nga Rusvelti e deri tek George W. Bush, madje ka shkruar për ta edhe një vepër të ilustruar me foto – “An Eye on Washington” (Një Sy Mbi Uashington).
Midis të tjerash ai kujton një pasdite vizite në shtëpinë e nënës së kandidatit për president në shtetin Georgia, “ku piqej peshk i sapogjuajtur në liqenin e vogël të shtëpisë së saj e ku u realizua një seri lirike fotografish familjare”.
Përshtypjet e Tames-it për këtë kandidat e president ishin të mira dhe mbetën po ashtu. Një njeri i kthjellët, i matur, i ndershëm dhe konsiderues ndaj të tjerëve, ai dukej edhe me influencë besimi fetar. Por, mes të tjerash, Karteri e konsideronte fotografinë si një gjë të tepërt, të tejkaluar. Dukej se nuk ishte i dashuruar pas pamjes fizike, pas imazhit fotografik, por më tepër pas fjalëve të shkruara rreth karierës së tij politike.
“Pak kohë pasi Karteri fitoi zgjedhjet, një anëtar i ekipit të tij më kërkoi nëse isha i interesuar të drejtoja departamentin fotografik të Shtëpisë së Bardhë. I thashë se isha, por dëshiroja titullin “Fotograf personal të Presidentit”. U informova se presidenti Karter mendonte se kjo mund të përbënte një jehonë të një presidence imperiale, një imazh që ai donte ta shmangte.
Kisha ëndërruar gjithmonë të isha fotograf personal i një presidenti të Shteteve të Bashkuara, të qenurit në një pozicion të regjistrimit të historisë nga brenda, gjë që nuk mund ta bëja pa këtë titull, të njëjtën gjë që i pari fotograf zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, Okamoto, mundi ta bënte me Lindon Xhonson-in.”80)
Kështu që George Tames, mbeti deri në fund në revistën “The New York Times”, e cila i dha atij një mori detyrash e funksionesh, në vend që të shkonte për të fotografuar presidencën e Karterit, ku ai e dinte që do të ishte edhe i kufizuar. Pra, ai nuk u interesua dhe, në fakt, Karteri nuk pati ndonjë fotograf zyrtar.81)
Nga ana tjetër Senatori Humphrey thosh se nëse mund të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, George Tames do të jetë fotograf i Shtëpisë së Bardhë.82)
Kështu, ilustrimi pamor i Karterit në momente të veçanta psikologjikisht të bukura, të natyrës së tij të dashur, të thellësisë në mendime, të besimit të tij, por sidomos të momenteve të rënda e të vështira gjatë detyrës së tij, sidomos gjatë dështimeve të tij, si ajo e lirimit të pengjeve në Iran, nuk u realizua plotësisht. Ai trishtohej privatisht, kur i nevojitej simpati publike.
Fotot më të mira, më të paanshme, më të çiltra ishin ato që iu bënë nga ekipi i fotografëve të Shtëpisë së Bardhë dhe tregonin Karterin dhe stafin e tij në Zyrën Ovale gjatë javës së fundit si president. Edhe fotot e një prej ngjarjeve më të suksesshme të tij, ajo e firmosjes së marrëveshjes së Camp David, nuk u bë nga stafi i tij por nga publiku gjatë ceremonisë.
George Tames ka qenë dëshmitar okular dhe fotograf shoqërues i natës së shpalljes së fitores së Karterit kundër Fordit, e cila është shoqëruar me një festë të vërtetë dhe në një festival fotosh, ashtu si kundër ka qenë edhe dëshmitar i ditës së humbjes së tij për mandatin e dytë më 1980, kur perëndoi edhe dielli i karierës presidenciale të Xhimi Karterit.
George Tames, sidoqoftë, ka realizuar për këtë personalitet të madh amerikan një album të madh fotosh zyrtare, mediatike e familiare, disa prej të cilave po i paraqitim më poshtë për herë të parë .
Ekspozita e Bibliotekës “Henderson” u çel (1-28 Shkurt 2013) për nder të fjalimit të fundit të ish presidentit Xhimi Karter dhe zonjës së parë Rozalin Karter, si dhe në respektim të Ditës së Presidentëve që celebrohet çdo vit të Hënën e tretë të muajit shkurt. Eksponatet e Artikujve e Letrave të presidentëve, kujtimet presidenciale, fotot presidenciale nga fotografi i famshëm presidencial George Tames (përfshirë edhe fotografinë shumë të njohur “Puna më e Vetmuar” me personazh Xhon Kenedin), një përzgjedhje të librave të Xhimi Karterit dhe botimet e Xhorxhias Jugore, që dokumentonin vizitat e mëparshme të Karterit aty, si dhe puna e rëndësishme ndaj drejtësisë sociale ishin një pjesë e konsiderueshme e objekteve të kësaj ekspozite.83)
Shkëputur nga libri monografik e katalog fotografik “George Tames – Fotografi Presidencial”, në proces botimi.
Fotot janë realizuar të gjitha nga George Tames.