Llukan Saqellari: Për një rikthim të Zagories si një bashki më vete
Për një rikthim të Zagories si një bashki më vete. Qysh ka pas qenë qëmoti.
Zagoria ka qenë njësi administrimi më vete e cila përfshin gjithë luginën nga Pogoni deri në Peshtan.
Një dhe e pandarë. Si e ka pas krijuar “Nëna Natyrë”. Dhe më vonë si e bekoi Zoti! Me vendbanime të lashta, mbështetur në prehërin e malit të Lunxhërisë e Dhëmbelit. Me hapësirë luginore të kufizuar, sa, kur thërret në majëmal oshëtima shpërndahet në Luginë. Edhe thëllëzat e Maleshovës , Limarit e Peshtanit nuk njohin kufij po kullosin majezën e barit në mal të Hoshtevës e tutje në Nivan e Sheper. Nëpër këtë Luginë ka shkuar njëra degë e rrugës “Egnatia” ku në Manastirin e Shënsotirit takohej me rrugën Delvinë – Çajup – Përmet dhe karvanet pushonin një natë.
Po sot si është?
Mjerisht e ndarë, e sakatepsur. Në tri copa. Zagoria me Libohovën. Hane shan, hane Bagdat! Pa asnjë kufi gjeografik. Që e përdor si lope, për “t’i mjelur” kullotat malore, drutë e zjarrit, taksat e shumta… Malëshova me rrethin e Përmetit dhe Peshtani me Tepelenën. Që kur dolën partitë politike e parceluan Luginën! Sa të këqija kemi parë në këtë të ashtuquajtur “demokraci”!
Përpjekjet për ta bërë bashkë
Qeveria e Nolit bëri plan për bashkimin e Zagories me Malëshovën. Hoshtevën e caktoi si qendër të Luginës.
Ideja e bashkimit u hodh prej Sejfulla Malëshovës kur në Byronë Politike, në vitin 1947 u miratuan tri rrugët e para, midis të cilave ishte dhe rruga automobilistike Peshtan – Zagorie. Në gazetën “Zagoria” Guri Baze shkroi kujtime për projektimin nga një Ing. italian dhe fillimin e punimeve nga brigatat vullnetare të Rinisë. Edhe unë mbaj mend prerjen e pyllit Doshnicë – Hoshtevë. Por siç dihet S. Malëshova u dënua. Bashkë me të dhe rruga e filluar u çregjistrua!
Në fillesën e shoqërisë pluraliste Kryeministri Aleksandër Meksi refuzoi Qeverinë Greke për rrugën automobilistike të asfaltuar Sopik – Zagori – Peshtan për Manastirin e Grykës së Këlcyrës ku prehen ushtarët e vrarë grekë. Edhe ky një rast i humbur, pa komentuar arsyet politike.
Pse duhet bashkuar?
Arsye e parë është vazhdimësia gjeografike dhe gjeomorfologjike e Luginës. Dy vargmale që ndërpriten nga lumi Vjosa dhe afluenti saj lumi i Zagories.
Arsye e dytë se Lugina historikisht është këputur në mes. Kalaja e Limarit nuk ka kuptim pa vendbanimin e lashtë të Dermazit në Zagorie. Dy qendra të lashta të qytetërimit prehistorik. Ende të paeksploruara prej çekiçit të Arkeologut. Erozioni ka bërë punën e tij sidomos në pjerrësinë e Dermazit. Pa përmendur vendbanimet e lashta të Lukajt (Nivan) të Pleshës, të Vërrisë, Zhejit… Këto vendbanime, të lidhura me vendbanimet e Vjosës së sipërme flasin për shtrirjen e fisi Ilir të Parauejve.
Po dhe ngjarje të reja historike si lufta trup më trup në malin e Golikut ndërmjet ushtarëve grekë e atyre italianë. Edhe sivjet, pas afër 80 vjet, familjarë të ushtarëve italianë identifikuan ushtarë të vrarë.
Arësye e tretë janë kërkesat turistike që veprojnë jo më “parcelat politike të partive”, por me ligjësitë moderne turistike, me vazhdimësinë historike të Luginës. Kam parë grupe turistësh këmbësorë ose të hipur në kuaj që duan të shohin Urat e Ali Pashait, vendbanime të lashta, Parqet Natyrore…
Arsye tjetër për ne banorët moshatarë të kësaj Lugine, për studjuesit është lidhja shpirtërore e Luginës. Zakonet e njëjta, të kënduarit labçe, krushqitë sidomos me Zhejin, Hoshtevën gjer në Sheper… traditat kulturore e historike të njëjta e tij mbeten dëshmia më domethënëse se edhe në tridhjetë copa ta ndajë politika luginën, ajo mbetet një dhe e pandarë në kujtesën e fshatrave e të banorëve të saj.
Qëndresa e pakuptimtë e deputeteve të Qarkut të Gjirokastrës që edhe në zgjedhjet e ardhshme ta kenë këtë zonë unike për nga natyra, të parceluar nga politika, i mallkoftë Nëna Natyrë dhe Lugina si një e tërë dhe e pandarë.
Përfundimi: Një bashki e re në këtë Luginë plakë e të virgjër do sjellë zhvillim, nxitje të qeverive për të ruajtur Monumentet e Kulturës. Do të rishënojë të tjera monumente lokale që do rrisin interesin e Turizmit. Fjala vjen: Rema e Doshnicës , ujëvara 22 metra e lartë që shërben si portë natyrore për “syrin” e peshqe… Ose Tuneli i Rakanje në Sheper, pjesërisht i mbuluar… Dhe Vrima e Peshturisë në malin e Hoshtevës, honet e thepisura dhe masivet shkëmbore që varen thikë përgjatë segmentit Doshnicë – Limar – Peshtan – Kalanë e tij… Çdo fshat i Luginës ka monumente të “fshehura” të paregjistruara e të pa shkelura prej zyrtarëve dembelë!
https://www.gazetatema.net/2018/10/09/per-nje-rikthim-te-zagories-si-nje-bashki-me-vete