Sabina Darova: Këtu lahen tapeta…
Ndërsa ndodhesha në një njësi tregëtare tapetash e rrugicash në një qytet të largët në Tunizi dhe vështroja me ëndje motivet dhe ngjyrat, mendja fluturoi në skutat e kujtesës e pa kontroll, për t‘u ndalur diku në një kthesë në malore, në qytetin tim, nga ku isha larguar prej vitesh.
M‘u shfaq në mendje hera e parë pas pesë vitesh emigrim, e më pas në vijim, kur vështrimi më ngulej mbi një pankartë të shkruar thjesht, por qartë: “Këtu lahen tapeta”, e ndjeja fytyrën që rudhej si gështenjë.
Një improvizim rrethanor i cili me sa dukej, prodhoi një aktivitet familjar rezistues në kohë. Vitet e para të tranzicionit, syri të rrihte shpesh pankarta që të çudisnin në mes të asgjëse. Nuk e kam harruar ende njërën prej tyre, e cila ndodhej në mes Durrësit dhe Vorës. Në një kasolle ishte vendosur një pankartë që njoftonte se aty shitej akull për dasma. Zgurdullova sytë se e gjeja të pamundur në ato kushte. Si mund të prodhosh akull në një kasolle të vogël? E aq më tepër për dasma? Po në Shqipëri, në vendin e çudirave, çfarë nuk mund të guxohet?!
Në kthesën e malores që merrej për t‘u ngjitur në qendrën e qytetit, pranë kësaj pankarte qëndronin të lidhura dy shylla që përshkoheshin nga dy fije të forta çeliku. Në dyshemenë e shtruar me çimento zinte vend një tub i trashë gome ( zorra), ngjyrë jeshile e ndezur, i rrotulluar rreth vetes. Siç dukej, gjendej në orën e tij të pushimit. Mbi tela lëkunden nga era e thertë e Krastës disa tapeta sintetike të dalë boje, një linenoum dhe dy rrugica të gjata korridoresh. Në sfond strehet e kuqe të çative dhe kështjella e qytetit, ngritur mbi shpat.
Vështrimi im ngulet mbi ftohtësirën e tapetave të varur si në gijotinë, që çuditërisht ngacmojnë trurin tim e fillojnë të më flasin.
Si nga asgjëja, në ajër fillojnë të vallëzojnë maja gjilpërash të përshkuara nga fije pambuku a leshrash shumë ngjyrshe, të cilat ulen dhe ngrihen me forcë mbi copa thasësh dhe krijojnë lulishte e kopshte të bukura gjithfarë lulesh. Lule të zbritura nga India në Amerikë apo Europë.
Shoh koka të përkulura mbi to, ulur në pragjet e dyerve teksa qëndisin me punë shkop, mbushje, punë bullgare a punë kryq, që përqëndrohen në punimin e motiveve që kanë zgjedhur. Sy të qeshur, sy të menduar e duar të forta që shtrengojnë fije e lidhin nyje mbas thesit, i cili si me magji do shnderrohet në një rrugicë ku do vendosin këmbën nusja dhe dhëndrri. Vjehrra, kunatat dhe gratë e lagjes, si kritike arti do vlerësojnë punën e të rejave.
Ndërsa taksia gjarpëron në rrugët me kthesa në ngjitje. në ajër fillojnë të lëvizin copëza druri të cilat lidhen mes tyre me gozhda e fije tek ndërtojnë tejzgjahe. Si fluturza lëvizin duar që ulen e ngrihen, e gishtrinj që thurrin.
Thurrin gjithë kohës forma me ngjyra pastel, me ngjyra të forta dhe me shumë të kuq. I përndezur flakë i kuqi. Ashtu si perëndimet e qytetit e që mendjet e dëshirat ndez në kraharoret e vajzave.
Të kërrusura kurrizet e grave, të cilave shpresat për një jetë më të mirë ju janë zvanitur e lëvizin duart mbi tejzgjah për hir të inercisë.
“Bukën e sotme falna o Zot”, pëshpërisin në heshtje, se fjala Zot nuk duhet të shqiptohet me zë, por të përtypet ndër dhëmbë.
“Duhet tejkaluar norma”- gjëmon zëri i përgjegjëses së repartit. “Urdhër nga lart”!
Gratë lëvizin duart mbi pushin e butë të luleve dhe imagjinojnë këmbët e bardha të grave kapitaliste që do shkelin mbi to. Të gjitha punimet e tyre janë të destinuara për eksport. Mendja vazhdon të imagjinojë dhomën e një gruaje të huaj. Mobilje druri që prodhohen dhe ato me dru arri për eksport. Dysheme me parket, tapet i butë, krevat i mbuluar me çarçafë të mëndafshtë e nënkresa të mbushura me pupla.
Loti rrëshqet si padashje ngadale mbi mollza. Ju vjen në mendje nata e kaluar. Janë duhma e rakisë dhe gërrhitja si sharrë që hedh perpjete tjegullat e çatisë të bashkëshortit në krah. Kundërshtimet për t‘ju dhënë nga lodhja dhe shenjat mavi të pickimeve të tij mbi krahë fshihen nën mëngë edhe pse është verë dhe bën vapë.
Më mirë të mos mendohet! Ndjekin ritmin e motiveve mbi tejzgjah e buzëqeshin me naivitetin e tyre mbi rrugicat e qendisura plot lule në shtëpi.
Zbres nga taxia dhe i afrohem pazarit. Gumëzhin nga turistët. Dyqanet rëndojnë si hoje kosheresh të ngarkuara me mallra.
Mbi dyer varen tapeta industrialë të ardhur nga tregjet e ballkanit.
Vetëm dy tejzgjahe ndjekin ritmin e vjetër të tyre. Përmallem tek i shoh dhe i njoh dy gratë me flokët e thinjura mbi krye. Aty kuptoj sa kohë ka rrjedhur dhe ndjej ankth kur e kap veten duke përllogaritur vitet.
Deri kur do punojnë dy tejzgjahet e vjetra në pazar? Po më pas, kush?