Kallas: BE-ja duhet të zgjohet dhe të kundërshtojë kërcënimin ushtarak të Rusisë
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian Kaja Kallas paralajmëroi sot për një sulm të mundshëm nga Rusia në vitet e ardhshme – ndërsa bëri thirrje për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
“Shumë nga agjencitë tona kombëtare të inteligjencës po na japin informacionin se Rusia mund të testojë gatishmërinë e BE-së për të mbrojtur veten brenda tre deri në pesë vjet”, tha ajo, duke iu drejtuar konferencës vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes në Bruksel.
“Rusia nuk është problem për disa, por për të gjithë ne. Evropianët duhet të zgjohen”, tha ajo.
“Moska aktualisht shpenzon pothuajse pesë herë më shumë për mbrojtjen sesa BE-ja”, tha Kallas duke bërë thirrje për një rritje të shpenzimeve.
“Dështimi i Evropës për të investuar në pajisjet ushtarake dërgon gjithashtu një sinjal të rrezikshëm për agresorin”, tha ajo.
“Ne duhet të përgatitemi. Nuk ka asgjë që nuk mund të përdoret kundër nesh sot”, tha Kallas, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi informacionin e inteligjencës.
Kryeministri polak Donald Tusk bëri thirrje gjithashtu për shpenzime më të larta të mbrojtjes në BE në një fjalim në Parlamentin Evropian.
“Nëse Europa do të mbijetojë, ajo duhet të armatoset”, u tha ai ligjvënësve të BE-së të mbledhur sot në Strasburg, Francë.
Ai u bëri thirrje vendeve të BE-së të shpenzojnë 5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen.
Sipas Tusk, Polonia tashmë shpenzon rreth 5% të PBB-së për mbrojtjen.
Nuk ka një objektiv të caktuar për shpenzimet e mbrojtjes në BE. Nga 27 vendet e BE-së, 23 janë gjithashtu anëtarë të aleancës perëndimore të mbrojtjes NATO.
Aleatët e NATO-s janë zotuar të shpenzojnë të paktën 2% të prodhimit ekonomik për mbrojtjen, një objektiv i cili mund të rritet në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor.
Presidenti i SHBA Donald Trump po kërkon nga aleatët e NATO-s të shpenzojnë 5% për mbrojtjen. Gjermania ka rritur shpenzimet e saj në më shumë se 2%./atsh