Albspirit

Media/News/Publishing

Shaip Kamberi: “Murali me gjakun e shqiptarëve”

Qupria, një qytet në brendi të Serbisë, ka shpallur konkurs për “punimin e muralit”, kriminelit Nebojsha Pavkoviq, ish komandant i Armatës së tretë të UJ, gjatë vitit 1999, të dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vite burgim, për krime lufte në Kosovë.

Ngjashëm si shumë qytete të tjera në Serbi, e si rezultat i politikës shoviniste të pushtetit të A.Vuçiqit, edhe Qupria, ka vazhduar glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Pas muraleve të Ratko Mlladiqit e Radovan Karaxhiqit, nëpër qendra të ndryshme në Serbi, Qendra Kulturore e këtij qyteti ka vendosur të shpallë konkurs për punimin e muralit të kriminelit Pavkoviq.

Përderisa Gjykata ndërkombëtare e Hagës, bota demokratike dhe properëndimore, e konsiderojnë Pavkoviqin si njeriun përgjegjës për vrasjen, dhunimin e dëbimin e mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe përderisa i njejti është i dënuar me 22 vite burgim, Serbia dhe udhëheqësia e sajë aktuale vazhdon të glorifikojë të njejtin, ngjashëm qysh po glorifikon kriminelët e tjerë serb, të dënuar nga tribunali ndërkombëtar.

Kujtojmë se Tribunali kishte konstatuar se Pavkoviq, kishte pasur ndikim përmbajtësorë në “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” sepse “kishte shfrytëzuar forcat e UJ, për terrorizimin e civilëve shqiptarë dhe dëbimin dhunshëm të tyre nga shtëpitë e veta”. Pavkoviq poashtu akuzohej se ka armatosur popullsinë civile serbe në Kosovë.

Dhe deri sa ky absurd po përsëritet vazdhimisht në Serbi, nuk ka asnjë reagim ndërkombëtar.

Deri më tani mbetet vetëm teksti autorial i gazetarit serb, Tomisllav Markoviq, “Nderimi për kriminelin e luftës me gjakun e shqiptarëve” reagimi i vetëm për iniciativën që Qendra kulturore e Quprisë ka marrë për të punuar mural për kriminelin e luftës Pavkoviq.

Këto veprime tregojnë qartë orientimin politik të kësaj klase shoviniste udhëheqësë dhe dëshmojnë se ata asnjëherë e në asnjë moment nuk janë penduar për të bëmat e tyre jo vetëm në Kosovë por në të gjithë ish-Jugosllavinë.

Dhe përderisa qeveria glorifikon kriminelët e dënuar për krime lufte, e njejta, punon në rritjen e tensioneve me fqinjët, përdorë gjuhë fyesë e linçuese ndaj kroatëve, boshnjakve dhe malazezve dhe shënjestron secilin që i kundërvihet politikës së sajë, ndërkohë që shqiptarët mbeten “armiqtë e përbetuar”.

“Serbia demokratike” e Vuçiqit, ka filluar edhe të dëbojë qytetarë të vendeve fqinje. Kroat kësaj radhe, vend ky në BE, të cilët, për arsye të ndryshme, vizitojnë Beogradin.

Rasti i para dy ditëve kur ishin dëbuar 5 qytetarë kroatë, përveq që ka lëkundur mardhëniet edhe ashtu të brishta të dy vendeve, ka bërë që Kroacia me notë proteste t’i drejtohet Qeverisë në Beograd dhe të njejtën kohë i ka bërë ftesë qytetarëve kroat që të mos udhëtojnë në Serbi, duke e shpallur kështu Serbinë si vend i rrezikshëm.

Serbia vazdhon në kthimin e viteve më të errëta. Në të 90’ta! Sepse në krye të saj janë bijtë politik të Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit.

Shohim sjelljen e regjimit edhe ndaj protestave gjithëpopullore në Serbi të cilat po i kryesojnë studentët e këtij vendi. Në pamundësi për t’u ballafaquar me mllefin gjithnjë e më të madh të qytetarëve, përfaqësuesit e qeverisë po mundohen që nëpërmjet shpifjeve të përditshme të ndalin hovin e revoltës, i cili tanimë është evident.

Fajsohet Kroacia, të nesërmën Kosova ose Mali Zi. Herë flasin për shërbime të huaja perëndimore e herë për armiq të brendshëm që po dëshirojnë rrënimin e Serbisë.

Flasin për gjithë e për gjithçka. Por jo për veten dhe politkën e tyre të keqmenaxhimit, bashkëpunimit me krimin e organizuar, revidimit të historisë e armiqësimit me gjithë përreth, e sidomos me politikën e glorifikimit të krimeve dhe kriminelëve të luftës.

Sërbia e Vuçiqit ka prekur fundin e pushtetit autoritar dhe si e tillë duhet të ndryshojë. Sepse ajo, e këtillë siç është është bërë pengesë jo vetëm për veten, por në radhë të parë për raportet me fqinjët dhe për paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimorë. Politika e saj hegjemoniste po rrezikon fqinjët.

Se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt, mbetet të shifet sepse kjo do të varet nga qëndrueshmëria e revoltës së përditshme, aftësia për të organizuar grevë gjenerale por edhe aftësia për të artikualuar të ardhmen e Serbisë drejtë BE-së pa alternativa tjera politike.

Kjo nënkupton në radhë të parë aftësinë e Serbisë për të hequr dorë nga politika hegjemoniste dhe aspiratat e projektit “Bota serbe”, në fakt aspiratave territoriale në BeH, Mal të Zi e Kosovë. Pa hequr këto dilema nuk mund të pritet as iniciativë serioze për demokratizimin e saj.

Një gjë është e sigurt, Serbia autoritare e Aleksander Vuqiqit, e këtillë çfarë është, ka hyrë në fazën e fundit.

Nëse arrinë ta shuaj revoltën ajo do të futet në fazën e diktaturës. Njeriu i Vuçiqit për tensione, Aleksandri tjetër, Vulin, veçse ka propozuar në parlament ligje të cilat do ta çojnë Serbinë drejt diktaturës dhe rritjes së spirales së dhunës.

Please follow and like us: