Albspirit

Media/News/Publishing

100- vjetori i vrasjes së patriotit demokrat mbarëkombëtar shqiptar, Zija Dibra

Azi Gjergji, SHBA

Mbarё shqiptarёt kudo qё jetojnё perkujtojnё sot 100-vjetorin e vrasjes sё patriotit demokrat dibran Zija Dibra, i lindur nё vitin 1890 dhe i vrarё pas shpine mё 22 janar 1925. Zija Dibra kishte kryer Liceun Ushtarak të Manastirit dhe Akademinë Ushtarake në Stamboll. Gjatë Luftës së Parë Botërore kishte luftuar kundër forcave të Antantës në Dardanele, nën komandën e Mustafa Qemal Pashës (Ataturkut). Kur Mustafa Qemali filloi ngritjen e shtetit turk, i kishte këshilluar oficerët me origjinë shqiptare, ndër ta edhe kapiten Zija Dibrën, të ktheheshin në atdheun e tyre për të bërë të njëjtat reforma demokratike, të cilat ai kishte filluar t’i bënte në Turqinë e re.

Zija Dibra ishte kthyer në Shqipëri në mars të vitit 1921. Ideali i ndërtimit të një shteti demokratik mbarëkombëtar e kishte bashkuar shpejt kapitenin qemalist me krahun politik të Aqif Pashës dhe Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Ai kishte qenë ministër i Punëve Botore në Qeverinë Evangjeli dhe ministër i Luftës në Qeverinë Prishtina. Urdhri i parë i Zija Dibrës si ministër i Luftës më 1921 kishte qenë shkarkimi i Ahmet Zogut nga detyra e komandantit të forcave ushtarake në Mat e Mirditë. Pas grushtit të shtetit, trupat e Ahmet Zogut kishin arritur ta arrestonin ish-ministrin Dibra, por më 14 janar 1922, gazeta “Mbrojtja Kombëtare” kishte njoftuar arratisjen e tij së bashku me dy xhandarët që i qenë lënë ta ruanin.

I arratisuri Zija Dibra kishte marrë pjesë aktive në lëvizjen e armatosur për mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese më 1922, duke hyrë në Tiranë krah për krah me Elez Isufin. Ai e kishte këshilluar Elez Isufin të vazhdonin sulmin drejt kryeministrisë ku ishte ngujuar Ahmet Zogu me forcat e pakta të tij: por Elezi nuk veproi atë natë dhe të nesërmen u bë tepër vonë. Pas ndërhyrjes së ministrit fuqiplotë të Britanisë së Madhe në Shqipëri, Herri Ajris (Harry Eyres), Elez Isufi kishte pranuar të largohej nga Tirana, duke e lënë Zija Dibrën në besë të përfaqësuesit anglez. Ish- deputeti S. Vllamasi dëshmon:

“Zogu donte ta eliminonte Zija Dibrën, por nuk guxonte mbasi Eyersi, ministri britanik, ishte garant për zbatimin e përpiktë të marrëveshjes me Elezin. Atëherë Zogu më propozon mua të shkoj në Durrës për ta bindë Eyersin, duke i thënë se qeveria ndodhet në një situatë të vështirë, mbasi oficerët donin me insistim dënimin e Zija Dibrës, një aventurier i rrezikshëm dhe ambicioz që ka marrë pjesë në çdo komplot e kryengritje. Kështu që, qeveria ndodhet nën një presion të madh nga ana e oficerëve dhe kjo gjë mund të komprometonte disiplinën e ushtrisë. Shkova në Durrës dhe fola me Eyersin, por ai refuzoi të pranojë për sa i thashë dhe insistoi të respektohej marrëveshja nga qeveria.” (S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, f. 278-279).

Gjatë ditëve të Qeverisë Demokratike të Fan Nolit, major Zija Dibra kishte shërbyer në garnizonin e Shkodrës. Edhe aty, ai ishte ndjekur këmba- këmbës nga agjentura jugosllave si anëtar aktiv i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në ditën kur Ahmet Zogu hyri triumfalisht në Tiranë, Zija Dibra arriti në Vlorë; por, në vend që të merrte rrugën drejt Skelës, ku e priste anija që do t’i shpëtonte jetën, u kthye për të takuar prefektin e përkohshëm të Vlorës, Rauf Ficon. Në lidhje me këtë lajthitje të tij, Hysen Myshketa dëshmon: Prefektura ju dorëzu Rauf Bej Ficos, që u ndodhte si i internum në Vlonë. Zija Dibra i marrun vesht me Raufin dhe gjoja i garantumun telefonisht edhe prej Myfit Bej Libohovës, i ardhun në lëvizje nga ana e Gjirokastrës për favorin e Ahmet Zogut, vendosi të ngeli në Shqipni dhe, në qoftë nevoja të bashkëpunoj edhe me Zogun. Me ksisoj mendimi u përpoq t’u shoqnojshe edhe unë në atë pikëpamje. Por unë nuk pranova. Bile mjaft ju luta që sot për sot të ju largonte zjarrmit e të vinte me ne n’Itali, por i mjeri Zija u gabu premtimit të Myfidit me anën e Raufit dhe ra viktim e tradhtisë zogiste tu mbet dëshmor (i vrarë)”(H. Myshketa, Kujtime…, f. 173).

Vrasja e tij u njoftua me germa të mëdha në faqen e parë të gazetës “Indipendenca shqiptare”, më 25 janar1 925:

“Ish kapiten Zija Dibra, ministër tjetërherë në kabinetin e Pandeli Evangjelit, i akuzuar për çështje bolshevike, tek internohej në Berat, duke kaluar katundin Ariza [Harizaj] të qarkut të Kavajës, u mundua të arratiset e t’i hikë prej duarsh nji aspiranti, i cili e shoqnonte deri në Berat. Kështu, duke qenë i hipur në kalë, atë  e ngau me gjithë fuqinë përpara. Aspiranti i bërtiti nja dy herë të qëndronte, por mbasi s’e dëgjoi, e qëlloi në kokë dhe e rrëzoi të vrarë prej kalit”. Mbi këtë vrasje shkroi edhe “Gazetta di Puglia”, Bari, Itali:

“Vrasja me të pabesë e kapiten Zija Dibrës bëri një përshtypje shumë të thellë në të gjithë Shqipërinë. Zija Dibra ishte një kundërshtar i rreptë i Ahmet Zogut. Pas ikjes së Fan Nolit, Zija Dibra… nuk ndoqi pas shokët e tij që shkuan, po vendosi të qëndrojë në Vlorë, duke pasur edhe fjalën e Z. Myfit Bej Libohovës, ministër i Financave, për të qëndruar në Shqipëri, ku do të ish e sigurt jeta e tij. Kështu erdhi në Durrës, po një urdhër i ministrit të Punëve të Brendshme e internon në Berat dhe udhës, tek shkonte i shoqëruar nga një roje, u vra prej tij. S’ka dyshim se ky roje që e çonte në Berat do kish urdhër prej superiorëve të tij që e vrau… Zija Dibra la në kushte të këqija gruan me një djalë e një vajzë akoma të parritur…”. (Sipas gazetës “Indipendenca shqiptare”, Tiranë, nr. 6, dt. 5.2. 1925, f. 1).

Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Ahmet Zogu, nuk e besoi lajmin se kapiteni i “rrezikshëm” Zija Dibra ishte vrarë me të vërtetë. Ashtu si dikur sulltan Mahmudi II kishte kërkuar t’ia çonin në tepsi kokën e Ali pashë Tepelenës, edhe Ahmet Zogu kërkoi me çdo kusht kokën e Dibrës, për të cilin qarkullonin fjalë se ishte vrarë. (B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 88).

Please follow and like us: