Mimoza Bici: A e din ti se kush jam?
A e din ti se kush jam?
Sigurisht e din
Nëse shikon një grua hije fytyrvrarë,
kalimtare zakonshme,
e përbrenda ndjen trazir’:
Kush dreqin bie dashuri me këtë!
ke prekur tokën, po fle joshjeve të dritës,
vajzës peri,
lakmisë së parasë,
pushtetit
dhe gjithçka që afron ky gjumë sa i rendomtë
aq lajkatar.
Je fitimtar
nëse arrin gjithçka që mund të arrihet përgjumjes…
Kushdo do dëshironte një fund të tillë.
*
Tani jam po unë,
këtë herë kuruar sharmit të bukurisë
Disa syre nuk ngurruan komplimentat se do falnin gjithë sa kishin, edhe pse nuk kishin, vetëm për një natë
E dija se e humbur do dilja
Ndaj u jepem përzgjedhjes së atyre kënaqësive që ngrohin shpirtin me diell të ftohtë.
*
Toka është një arkivol riprodhues duke iu bërë shtrat kalbjes
Parajsa nuk ka shtrat të tillë,
Ligji universal: e përkryera s’ka riprodhim!
Udhëton frymës së ajrit
brenda çdo grimce nëntokësore
Lëvrin çdo molekule të ujt’ e të ajërt
E vetmja vizitore universale
përjeton përplasjet
rrymat,
lëviz çdo mekanizëm të mendjes njerëzore
duke e lënë të çalë zhvillimit të saj
A dashuron? Sigurisht, po!
Seksi frymor
mposht aktin më sublim mishtor të jetës
Dashuron kur don veç ajo të dashurojë
Zgjon,
afron në sekondë
atë element projektor elektrizues
në një të qindat e sekondit të saj
sado mijëra kilometra,
miliona vite drite larg
I vetmi nerv ku dridh përgjumjen
E pamundur t’i rezistosh kësaj madhështie.
E pas këtij zgjimi
Trupi im noton ujrash të qeta
Si krijesa më e përkryer shfaqur ndonjëherë.
Askush nuk e sheh
Veçse unë,
vetja ime dhe ti, kur je zgjuar.
*
A e din ti se kush jam?
Sigurisht, tani nuk e din… fli…
Janar 2025.