Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Një rilexim i librit “Shekulli im” të Ismail Kadaresë

Në çdo moshë ka libra që u kthehemi e u rikthehemi jo një herë. Rileximi e mban gjallë kujtesën mbi librat më të mëdhenj të njerëzimit ndër kohëra.

Ndonjëherë rikthehemi dhe për nostalgji, a për një çudi që mund të kemi provuar dikur në leximin e një libri.

Më poshtë do të flas për rileximin e librit “Shekulli im”, poezi dhe poema të vitit 1961 nga Ismail Kadare.

Në një kohë kur nga të gjithë flitet për prozën e tij, po i rikthehem një libri që mbase nuk e mban mend gjithkush. E kam blerë atë kur isha nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme në Elbasan. Kishte një kapak kuq e zi, që tani nuk është më. Janë grisur dhe dy tre fletët e fundit. Por në mbi 60 vjet atë nuk e kam ndarë nga biblioteka ime. Më 1961 kam bërë dhe një fotografi me këtë libër, foto që s’më kujtohet si e kam humbur.

Libri ka 43 poezi dhe katër poema, më të shumtat janë shkruar në vitet 1958-60, gjatë viteve kur studionte në Institutin ‘Gorki’, në Moskë. Më shumë se gjysma janë poezi dashurie. Poema e fundit, “Rrugëve të Moskës” është një kolazh me poezi për dashurinë. Dy poezi “Komunizmi” dhe “Razliv” (për Leninin) janë vjersha drejtpërdrejt politike. Me një tematikë që afron nga ajo politike janë dhe katër nga pesë poemat e librit: “Shënime për brezin tim”, “Shekulli XX”, “Paqen do ta imponojmë”, “Vdekja e turistit”, ‘Ëndërr industriale”.

1. Arti i poezisë

Veç nostalgjisë, ky libër më jep dhe të dhëna mbi atë se si ka evoluar arti i shkrimit të poezive nga Ismail Kadareja. Dhe jo vetëm ndryshimet tematike, por edhe ato stilistike e të poezisë së tij.

Poezia ‘Pizhamet dhe aeroportet’ përfundon me këto vargje:

Mos më ler kurrë, o moj botë e madhe!

Mbi pistat e pizhameve të mia,

Të ulen aeropanët!

Pas dritares sime të varen në tela

E të tunden nga era

Kanatjeret e reve;

Në portollampën e abazhurit tim

Të montohet dielli.

Në këtë poezi dhe në gjithë librin ndjehet rebelimi tronditës, brutaliteti i një të riu, i një autori që e ndjen forcën, titanizmin e talentit të tij. Vetëndjerja se ai ka prekur në botën e madhe të artit, është si e thënë pak hutueshëm, e pashpjeguar, prapë ajo shoqërohet me thirrjen që dielli le të montohet në abazhurin e tij. Ai tashmë do t’i përkiste një bote të ndritshme, planetare. Autori e ka parandierë se bota e madhe e artit do të ishte jeta e tij, e ardhmja e tij. Siç ndodhi.

Çfarë ka ndodhur me këtë libër?

Në një poezi të vitit 1956, “Në tavolinën e studimit”, Kadareja student universitar i vitit të tretë pranon se është nipi, trashëguesi i “të vjetërve famullitarë”, i Budit, Bardhit, Bogdanit. Poezia është e shkruar më një varg 11-rrokësh që të çon edhe më shumë te kultura klasike e etërve famullitarë të cilët ai atëherë na thotë se “i lexon çdo natë”.

Kjo poezi ndër të tjera dëshmon se Kadareja e zotëronte teknikën e vjershërimit klasik që në fillimet e tij. Papritur tani në librin “Shekulli im” ai pranon që vjershërimin e tij e udhëheqin Majakovski, Uitmani, Migjeni.

Rrugës në pjekshi Migjenin, Majakovskin apo Ullt Uitmanë

“Salut!” u thoni dhe ktheni me ta nga një gotë birrë.

(Shekulli im, Përcjellje e vargjeve, faqe 4).

Autori e ndien dhe është i përgatitur për atë që rruga e artit është e vështirë: Udha ka diell, ujqër dhe natë, vetëtima të rrema lavdie, net me ulërima çakalli.

Veç pengesave të tilla tokësore janë dhe armiq të tjerë fare të pamëshirshëm: konkurenca me autorë në përmasa ndërkombëtare dhe përballja me… kohën.

Do të kini fat në udhëtimin botës tejembanë, apo ujqërit e shkretëtirat do t’u shqyejnë, goja plot rërë, vdekur në varre të panjohur nën tufane. Ndaj vargjet i mëson të jenë trima të marrë, të shtegtojnë me kokën lart, të fortë të patrembur, të dlirë. Në betejën me kohën i nxit të ikin më larg dhe skelete të gjymtuar, të sakatuar, le të ikin më larg, për atë çka vdes, mëkati le t’i mbesë autorit…

Kjo përcjellje vargjesh sot tingëllon, si përcjellje për gjithë trashëgiminë e tij në prozë e në poezi. Kjo trashëgimi u vu në garë në kohëra dhe në hapësira pa fund, brenda e jashtë Shqipërisë.

Por si erdhi të ai poezia?

“Babai” dhe pse nuk ia lexon poezitë, pi nga hidhërimi në një klub plot tym se po kritikojnë poezitë e të birit.

“Poezia” vjen fare papritur: qyteti me kalldrëme të gurtë… nëna i shkruan letra pa pikë e pa presje, i riu është i hapur ‘citta aperta’ për shumë dëshira… Por, më së fundi, tani ai e ndien se poezia (letërsia) është stacioni i tij i fundit.

Programin e tij të mënyrës se si duhet shkruar poezia e shpall kryesisht te dy vjersha: “Poezija e deklasuar” dhe “Fjalët e rimuara”.

Thirrja për hapje rruge është e ashpër dhe plot ironi e sarkazëm: “Hapeni udhën poetë të poezisë së deklasuar”…

Cilët janë këta? “Fis i demoduar i poetëve” thurin vargje psherëtimash me kilometra, si hekurishte të vjetra. U tmerrohen formave të reja, gatuajnë poezi me fjalë të zgjedhura, rima të zgjedhura, poetë bimorë, luleshqerrakë, poetucë të mjerë ku “Fjalët e rimuara ç’i ha vreri/ kur s’u pajtohet karakteri, kur… “zënë në flagrancë rimën me ndonjë asonancë”… ndaj “Rimë ku kalle kokën, të rënçin rrokjet…”.

Për këta poetë bimorë në qyteti i ri industrial do të ketë dhe një “Ofiçinë të riparimit të soneteve të demoduara”.

Poetëve të demoduar që pijnë me prostituta honoraret e dashurive të pastra, autori u kundërvihet: “…si kujtim nga vajzat mbaj/jo një lule të tharë,/a një frazë albumi plot psherëtimë,/po numurin e saktë të telefonit/me shifra të përcaktuara mirë”. (Shekulli im, fq 85).

Poezia më poshtë, me detaje të gjalla nga jeta, me vargje eliptike, të lira, të ashpra, me fjalë të gjuhës së përditshme ishte shembull i kundërvënies ndaj artit demode me fjalë e tema poetike në vetvete:

Fëminia

Fëminija ime me gishtat lyer me mellan.

Në mëngjes këmbanat,

Myezini në muzg.

Koleksione paketash e pullash të vjetra

Shkëmbimi i një Ceyloni

Me dy Luksemburg.

Kështu iku ajo

Kohë e fiminisë

Vrapoi duke ngritur pluhur pas një lopi lecke,

Top lecke

Nga leckat e thinjura të Shqipërisë.

Shekulli im, fq 25.

Me këtë libër poezia e tij shkëputet në stil nga veprat e tij të mëparshme dhe do të jetë edhe më konceptuale në vazhdimet e saj. Do të priret nga sintezat. Nga vargu i lirë. Një teknikë që nuk ishte fare e panjohur në letrat shqipe. Me këtë teknikë ‘të rinjtë’ u kundërvunë me ‘të vjetrit’ në vitet ‘60 dhe politika e kohës u tha “afirmohuni më vargun tuaj”. Dhe… të rinjtë Kadareja, Agolli, Arapi “fituan”.

Një poemë si “Përse mendohen këto male” që nuk i shmangte mesazhet propagandistike, afirmimin e partisë komuniste si shpëtuese e Shqipërisë, nuk u pranua dhe nga një autoritet i studimeve si Shuteriqi, i cili në rininë e tij kishte shkruar poezi me prirje që e vinin afër simbolistëve.

Arësyeja e mospranimit ishte artistike: poema nuk përtypej për artin e saj. Që në vargjet e para të poemës jepet tabloja e maleve që janë aq të zymtuar në mendime përballë një muzgu të frikshëm. Një malësor ecën me pushkën e gjatë dhe një intelektual me mendimin “në kokë diku”. Mendimi dhe pushka i përplasen muzgut, për ta ndalur.

Mendimi teorik mbi poezinë i asaj kohe nuk ishte i përgatitur t’i pranonte abstraksionet e kësaj natyre.

Më tej në këtë poemë vjen imazhi i malësorit me një pushkë të ngulur në kolonën e tij vertebrale, si një vazhdim që shtatin ia bënte më të gjatë, por që jetën ia shkurtonte. Këtu Kadareja veç sintetizon atë malësor që në poemën e Fishtës “Lahuta e Malcisë” vizatohet konkretisht.

2. Poetizimi mitik i qytetit, i industrializmit

Prirja për nga një poezi e futurizmit, e surealizmit, e mitizimit të qytetit si realitet që emancipon dhe iluminon mjediset po më shumë ndërgjegjen shoqërore, pirja nga një mistikë e industrializmit dhe e apoteozës së metalit, të radarëve, të lazerit, të energjisë atomike, ashensorëve, televizorit, metrove, aeroporteve planetare, trolejbuzëve u vu re për herë të parë te lënda poetike e librit “Shekulli im”, 1961.

Ky është një libër unikal për nga prurjet në gjuhë dhe për nga idetë që përçojnë nga një shoqëri e lirisë së njeriut të epokës së shkencës dhe të industrializimit. Ky “ëndërrim” do të sillte një shoqëri të lartësuar, të shkëputur nga një qytetërim bujqësor plot me kanune mesjetare drejt një njeriu me liri individuale e deri… te pranimi i çvirgjërimit të femrës para martese, pranimi i abortit, i lindjes së fëmijës jashtë martese, pra, drejt një lirie të plotë edhe të jetës seksuale.

Fjalët… që s’kanë paragjykime,

që bëjnë dashuri

Me njëra tjetrën si t’u teket

Se s’është më kot shekulli XX.

(Shekulli im, faqe 55).

Shqipëria ndërkohë ishte vendi ku fëmijët luanin me topa lecke, shoqëri thellësisht patriarkale, puritanisht e rreptësisht komunisto-feudale.

Liri kërkohet për vargun, për rimën, për gjuhën, për figurën e për fjalën.

Në këtë libër ka aq shumë terma nga jeta urbane, nga pejsazhet e modernes, sa në kohë nuk i gjeje as në prozën e as në publicistikën e ditës. Është një libër që dhe sot mund të zgjonte kureshtjen për atë rebelim të shëndetshëm ndaj një shoqërie shqiptare të prapambetur, shoqëri që ende i punonte tokat me buaj, që ende në kryeqytetin e saj, Tiranën, nëpër rrugët në vend të makinave vozisnin pajtonët ku mbreheshin kuaj e transportohej me qerre të tërhequra nga qetë.

Dehja poetike dhe fantazmagoria e shprehjes së çlirët, e thirrjes për daljen te një shoqëri e emacipuar, nuk ishte domosdoshmërisht thirrje për afirmimin e një shoqërie komuniste.

Shënojmë se me redaktime disa nga këto poema Kadareja i ka përfshirë në librin e tij me poezi të zgjedhura Vepra 7, Poezi dhe Poema, Onufri, 2008. E ashtuquajtua poema sintezë e periudhës së realizmit socialist, frymëzuar nga Majakovski, Uitmani, jo gjithmonë dha poezi të arritjeve më të mira të autorëve që e ushtruan. Madje shpesh ato janë të një nivel të ulët estetik.

Pavarësisht nga çfarë ndodhi me këtë strukturë të artit, me poemën sintezë, të braktisur nga autori në ecurinë e tij të mëtejshme poetike, në këto poema vjen një vetëdije e viteve ’60 të shekullit që shkoi, vetëdija e një kohe kur mendohej se shkenca dhe teknologjia do të ndryshojnë të ardhmen e njerëzimit.

3. Poetika me dritë, spontane, rinore e dashurisë

Në libër flitet për jetë dashurore ku “miliona dashuri ndahen, takohen miliona”. Jepen skicime portretesh të vajzave moskovite, të cila Kadareja nuk i hiqte nga kujtimet edhe në bisedat e fundit me miqtë.

Poema e fundit “Rrugëve të Moskës” sjell vazhdimësinë e temës së dashurisë: një i ri në një qytet të madh, në shoqëri me vajza të bukura që japin e marrin dashuri lirshëm, shpengueshëm në gjerësinë e pamasë të një metropoli… që është i hapur dhe për të huajin nga Shqipëria e largët.

Poezitë e dashurisë janë të mbështetura mbi fakte reale, disave prej vajzave autori u vë inicialet e emrave. Në botimin e veprës së zgjedhur ai i ka botuar poezitë duke plotësuar emrat, mbiemrat, inicialet. Në këtë jetë dashurore gjithëçka është e shpejtë dhe e shkurtër. Atë që e ke sot, mund ta humbësh nesër. Kjo klimë përkohësie përjetëson te subjekti lirik rrjedhën e pandalshme të kohës, fikson çastet, takimet, ndarjet, fragmentet kohore me të dashurën e radhës.

Fytyra jote mermer nën të puthurën e parë

Dhe befas më rëndove në gjoks

Më rëndove për jetë

Si statujë e bardhë.

Autori në sipërfaqe gjasme qesh me ndarjet, humbjet e dashurisë nga aq shumë të njohura, por thellë- thellë ato si situata shpirtërore mbeten, gdhendin në kujtesë fragmentet e një lumturie efermere dhe… autori i shndërron në poezi. Poezi të shkruara si në ecje e sipër, derdhur thjesht e shpejt në një grusht fjalësh të ngjeshura. Vargje të tejdukshme si akuarelet: “Pikat e shiu na feskonin të puthurat” Poeti e zhdramatizon ndarjen: nesër iki. Një cigare, një limonatë, tunelet na gëlltën si gojë harrimi.

Vajza shpejt atë do ta zëvendësojë me një djalë tjetër…

Asgjë e jashtëzakonshme

Veç ndonjë natë

Gishtat e ndonjërit do të pleksen në flokët e tu

Me të largëtit gishtat e mi me kilometra të gjatë.

(Edhe kur kujtesa).

Poezitë më të mira sjellin jetë, atmosferë, ndjeshmëri që nuk kanë qenë të njohura më parë në poezinë shqipe.

Poetizohet situata e një çifti të përqafuar, të përgjumur …një mollë e kafshuar përgjysmë mbi komodinë.

Kjo gjysmë mollë… atij do t’i mungojë në një kohe tjetër, kur të jetë qetësuar në shtëpi, me grua, me komfort… larg në vendin e tij.

Vjen një mitizim absolut i dashurisë së lirë, dashuri të cilës i mjafton vetvetja, çasti kur ajo përmbushet pa kohë e pa hapësirë tjetër, pa të nesërme a të ardhme…

Jemi katër sy’ një buzëqeshje./jemi një kinoafishe e dashurisë që ka marrë era,/ jemi dy libra me fletët e bardha të grisura/lexuar nga të tjerë…

S’po të premtoj fejesën …

Dhe as martesën

Me ditët e mërzitshme si pizhame.

Poema “Rrugëve të Moskës”, 1958-60, Rigë-Tiranë.

Freskia, befasia e ndërrimit të situatave të çojnë te një moshë e pasioneve të vrullshme që këmbehen, mbulojnë njëra-tjetrën. Krasitjet, lëniet përgjysmë, humbjet, ndarjet… bien si thyerjet nga stuhitë e pranverës që i shpërthejnë e i harlisin më shumë bimët e njoma. Është një moshë djaloshare 22-24 vjeç që nuk e pranon dhembjen

Në poezitë e mëpasme, në ato të periudhës së fundit të shkrimtarit, në poezi si: Mall, Kristal, Në studion dimërore, Pas darke, etj, skalitja metrike e vargjeve, ndërtimi klasik i strofave, materia poetike luksoze është e ngjeshur dhe ndjeshmëria e humbjes, e dhembjes humnerojnë në pakthim, në brengosje që i mbetet e pandarë qenies.

4. Modernia brenda formave të klasikes

Po pikërisht në këtë libër, libër manifest të çlirimit nga format klasike të poezisë, vijnë dhe disa balada, të cilat të prijnë nga një gjuhë e rreptësisë skrupuloze, nga një optikë e tragjikes që të çonte te autorët e përjetshëm të klasikes.

Baladat e Ismail Kadaresë japin një çelës për atë se si format e poezisë klasike mund të martoheshin me ekspresionin stilistik të modernizmit, të pardoksit surreal: herë mërzia zbardh/ herë nxin mielli. Në baladën “Këngë e millonait” nën një ritëm të shpejtuar e plot muzikalitet, brenda vargjeve të rregullta gjashtërrokëshe, vjen historia e trishtuar e dashurisë së pafat të millonait që bluan miellin me të cilin do bëhen bakllavatë, pitet në dasmën e të dashurës së tij: Mes trokashkave/ të duket sikur/i gërnetës vaji/mu në gjoks t’u ngul./Hedh atje tani/dhëndri një shaka,/qeshje e vjehrrës/ thikë: ha ha ha!

Te balada “Ikja e Moisi Golemit” vjen një përfytyrim sa klasik shekspirian aq dhe modern e kinematografik. Makbethi vrau gjumin, Moisi Golemi vret ndërgjegjen që e ndjek prapa dhe ia kap frerët e kalit që të mos i jepet rrugës së tradhtisë.

Balada “Varrimi i Skënderbeut” me të vdekurin e hedhur jashtë varrit, me kockat që u grabitën nga otomanët, jep imazhin e një të pavarosuri të përjetshëm. Atë nuk e mbante varri, ndaj hidhet prapë mbi kalë në fushat e luftimeve. Kockat i mbillen nëpër kontinente, në dete, shkretëtira, lumenj, male atje ku vdiqën ata që i mbajtën në qafë si hajmali. Një mistikë e vdekjes së shpërndarë në gjeografi e në kohëra, një pasvdekje, një mosvdekje.

Te balada e mëvonshme për Ali Pashë Tepelenën imazhi “të shtrinë Ali Pasha, të shtrinë” nuk domethënë të shtrinë në tokë, të vranë, por dhe një tërheqje gjer në shqyerje më dysh e qenies fizike dhe e staturës së figurës së tij historike (lavdi dhe mizori), e personalitetit të tij, një përmasë që mund t’ia jepte kjo lloj vdekjeje, ky zgjatim motor në dy kontinente, trupi në Europë e koka në Azi. Imazh mitik, gati shekspirian.

Kjo ishte teknika e ruajtjes së jashtme të formës klasike, por me inovacione të brendshme, teknikë e lëvruar mjeshtërisht tek poezia e Boris Pasternakut.

Kjo prirje e modernes brenda formave të klasikes mori kryet e vendit në krijimet e periudhës së fundit të Kadaresë. Shembull, ndër shumë të tjera është poema e tij “Tirana në dimër” (2005) ku vargu 11-rrokësh strofa katërshe japin kllapinë e në jete të hallakatur dantealigershëm të Tiranës së tranzicionit të sotëm.

Dikur e kam lexuar librin “Shekulli im” i mekur nga risitë e befasitë, në formë e në përmbajtje, por e lexoj dhe tani mbas gjashtëdhjetë vitesh dhe prapë e përjetoj si një çudi letrare për kohën.

Ka shumë që sot mendojnë se Kadareja nuk ka qenë gjë si poet. Mendoj se Kadareja veç prozator i nivelit boëror, është dhe poet, poet me prurjet e veta krejt origjinale në poezinë shqipe, poet me shumë novacione për kohën e tij. Rileximin e poezisë së tij nuk e bëj vetëm për nostalgji.

Please follow and like us: