Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Gëzuar mjeshtër, në ato lartësi qiellore ku jetove përherë!

Janë disa hapa që i bëjmë në jetë dhe prej tyre marrin formë e kuptim udhët e jetës. Ka disa hapa që lënë gjurmë të pashlyeshme dhe nuk harrohen kurrë. Momenti kur nisemi një udhë të re dhe braktisim një të vjetër. Ose momenti kur lexojmë një libër magjeps dhe na hapet një botë e re, e panjohur, prej së cilës nuk duam të shkëputemi asnjëherë.

Në udhët e artit të gjuhës, pra letërsisë, kam hyrë i magjepsur, veç tjerash prej fuqisë që ka liria në të, një liri që duket e padukshme, por që ka peshë të madhe dhe këtë e kam gjetë më mirë se kudo, në veprën e Kadaresë. Që në rininë time të hershme, kur na mbërtheu ndjenja e të qenit pa atdheu, unë e lexova librin “Kronikë në gur” dhe atë frazën “- Ju nuk mund ta kuptoni dot se ç’ do të thotë qytet i lirë, sepse ju rriteni në robëri”.

Dhe ashtu, i mbështjellë me petkat e robërisë e dhunës, petka të egra si gjemba në trup, lexoja dhe fitoja njëfarëlloj lirie shpirtërore. Në fillim ishte e çuditshme, pastaj u bë një alternativë e pashmangshme, e paçmueshme. Dhe vërtet, liria që më jepte letërsia, ndërkaq, u bë më e madhe se pesha e robërisë, fundja, ishte një mundësi ideale për t’i heqë barrierat e mëdha të jetës dhe për të qëndruar i palëkundur në kampin e atyre që e mbronin lirinë.

Unë besova në këtë forcë, atëherë, dhe kur e fituam lirinë fizike, më rastisi të bëja edhe disa hapa me Ismail Kadarenë. Hapat që kam bërë me të kanë vulosë diçka të pashlyeshme në zemrën time, për çka e kujtoj me shumë dashuri.

I frymëzuar prej veprës së tij kam bërë hapa që më kanë shpie në botën magjepse të artit, duke fituar që herët, një atdhe paralel. Një atdhe që me kënaq përditë, më jep gëzim, forcë e lumturi, lumturinë e leximi e të krijimit, për çka i jam mirënjohës përjetë Ismail Kadaresë dhe veprës së tij madhështore.

Sot është ditëlindja e Ismail Kadaresë, e para pa të në këtë botë. Dhe e ndiej peshën e humbjes së tij, por jam i lumtur që kam bashkudhëtuar me veprën e tij përgjatë viteve dhe kujtoj me gëzim disa takime e momente fantastike me të.

Gëzuar, mjeshtër, atje lart, në ato lartësi qiellore, ku jetove përherë.

Please follow and like us: