Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Një libër për luftëtarin dhe patriotin Idriz Mulosmani

Fisnikëria e një kulle të madhe atdhetare

Është fisnikëri që fëmijët e një luftëtari, patrioti dhe veterani të nderuar t’i përkushtojnë një monument kulture të pavdekshme siç është libri monografik i Dr. Nikollë Loka “Idriz Mulosmani, përfaqësuesi i denjë i traditës së madhe atdhetare të kullës së tij historike”. Fëmijët me përkushtim për babanë e tyre të shtrenjtë dhe të paharruar, nëpërmjet gërmave të skalitura të librit i shkruan jetën e tij, i cili kaloi një fëmijëri të vështirë, një rini plot sakrifica e angazhime, me një pjesëmarrje aktiv në luftën për çlirimin e Atdheut, i dhënë dhe i përkushtuar me të gjitha mundësitë e tij për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë.

Fëmijët Lirimi, Sokoli, Rudina, Ilirjani dhe Zorada, për prindin e tyre zemërzjarr dhe bujar, nëpërmjet këtij libri-muze i shpalosën fletët e jetës së tij, siç shpalosen palët e flamurit në furtunë, për të treguar angazhim e babait plot përkushtim dhe dinjitet të spikatur në rritjen, arsimimin dhe edukimin e tyre.

Është një risi e re që fëmijët në mungesë të muzeumeve qoftë dhe familjare, po ju ngrenë muze nëpërmjet librave me dokumenta, foto dhe relike. Gjë shumë e mirë dhe patriotike që duhet përkrahur dhe nxitur për ta lanë të shkruar dhe dokumentuar jetën e njërzëve të përkushtuar dhe patriot si Idriz Mulosmani.

Gjithashtu fëmijët në emër të familjes dhe në respekt të përkushtimit të tyre me pastërtinë e maleve falënderojnë dhe ju shprehin mirënjohje të veçantë bujarie miqve që dhanë ndihmesë të pakursyer në përgatitjen e librit për jetën dhe veprimtarinë e Idriz Mulosmanit. Familja Mulosmani i vlerëso dhe i ka vendosur në krye të Kullës tonë: Prof. Dr. Hulusi Hako, Sulejman B. Vuthj, Bajram Nezaj, Ali Berbati, Prof. Asoc. Dr. Kolë Tahiri, Agim Hajdar Doçi, Hysni Osmani, Rexhep Shpati, Zeqë Halili dhe Veli Vatoci.

Libri i shkruar me ndjenjë nga Nikollë Loka, paraqet jetën e një kreshniku të jetuar në tri kohë të ndryshme dhe në furtuna, por që ka ditur të jetojë me dinjitet dhe të lërë gjurmë kudo, në male e fusha, në lumenj e gërxhe, në zemrat e atyre që e takuan në jetë. Libri sjell jetën e madhe dhe fisnikrinë e një Kulle të madhe atdhetare që në histori ka bërë emër në shtetin shqiptar. Nëpërmjet shumë dokumentave, kujtimeve, dëshmive orgjinale, vijnë dhe shpalosen si në ekranin e një filmi përndjekjet, vuajtje, qëndrimi në Gjakovë, vendlindja madhështore e këtij tribune popullor që ëndrrën e Tij, nisi ta vërë në jetë. I dhanë forcë dhe zemër mjedisi atdhetar në Krumë të Hasit, intelektualët e Shkodrës, traditat shekullore të Tropojës dhe të gjithë Shqipërisë.

Idriz Mulosmani jetën e tij e bëri model dhe jetoi në monarkinë shqiptare, në vitet e zjarrta të luftës për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar dhe në periudhën e socializmit. Monografia kushtuar kësaj figure atdhetare, zbulon dhe përshkruan në detaje personalitetin egjërë, mirësinë dhe dashurinë e thellë për njerëzit dhe vendin, forcën dhe karakterin e një luftëtari që e ruajti në çdo kohë. Nëpërmjet librit njihemi me jetën e tij plotë dallgë, i cili diti të jetojë në rrethana, në vuajtje dhe në detyra shtetërore të dalë me nder dhe dinjitet. Nëpërmjet librit mësojmë dhe edukohemi me përpjekjet, vlerat, intelektin dhe forcën atdhetare për të qenë njeri dhe me ndjeshmëri e i përkushtuar ndaj njerëzve në halle e në nevoja të jetës. Të tillë njerëz i takon rrallë në jetë, por autori me shumë bujari dhe fisnikëri e ka gdhendur portretin e tij, si penela e piktorit për të nxjerër detaje e për ta prurë më rrjedhshëm jetën e tij, si ujtë e kristaltë të Valbonës.

Monografia shpalos deri në detaje jetën e tij, me të gjitha dimensionet e saj, sakrificat e një brezi të ri idealist dhe intelektualë për të qenë njeërzor në çdo kohë, vështirësit dhe dramat e jetës nën pushtim, përballja në fushëbetejë, ku nëpërmjet plumbave dhe gjakut të shokëve kishte përjetura dhimbjen gjer në kockë, vështirësitë në rritje dhe përballja e madhe e jetës.

Kjo monografi na përshkruan qëllimin e një luftëtari në jetë që lufton për liri, emancipim shoqëror, për dinjitet dhe paqe në mes të njerëzve kudo, në fshat e qytet. Jeta e këtij vigani pasqyrohet si një jetë në muze të një studenti, partizani, komandanti, intelektuari dhe njerëzori të shfaqur në çdo qënie të tij dhe aspekti të jetës deri në frymën e fundit.

Studiuesi i njohur Dr. Nikollë Loka e ka prurë madhështore figurën e një luftëtari, partizani, drejtuesi të përkushtuar dhe veteran të nderuar, për të ngelur shembull në histori në gjuhën e gjurmëve historike, të malësorëve kryelartë, dinjitoz dhe krenarë. Shumë bukur e përshkruan Dr. Mujë Buçpapaj se “kuadrot e Tropojës duhet ta kenë si shembull Idriz Mulosmanin, mendimet e tij, vullnetin e tij, për ta ba vendlindjen tonë krenari për të gjithë tropojanët”.

Rreth përmbajtjes së librit-muze

Libri na paraqet një përmbajtje të gjerë dhe në 662 faqe të tij na vjen dallgë-dallgë jeta e vrullshme e Krasniqes, e bjeshkeve të larta dhe burrave krenare, paraqiten Mulosmanajt që u vjen historia, por që hynë në histori, kur atdheu kishte nevojë për ta. Autori kështu e fillon monografinë për të vijuar në vitet e para të jetës, njohje me trashëgimia e Abdulla Sylës në tre breza, në udhët e dijes, shkolla si transmetuese e dijeve dhe vlerave në shoqëri dhe në gjimnazin e Shkodrës në vitet 1936-1940.

Idriz Mulosmani, vjen me kujtime për fillimet e rezistencës antifashiste, organizimi i rezistencës, fillimet e rezistencës antifashiste në Malësinë e Gjakovës. Kujtime mbi pushtimin e Jugosllavisë, në detyrën e sekretarit të Komunës së Gucisë, në frontin e parë të luftës kundër fashistëve italianë dhe gjermanë në vitet 1942-1943. Komandanti partizan në Plavë-Guci, batalionet territoriale në Malësinë e Gjakovës, formimi i batalionit territorial “Rinia” dhe batalioni territorial i Krasniqes.

Përshkruhet Konferenca e Bujanit dhe aspirata për bashkim kombëtar, qëndrimet politike gjatë luftës dhe aspirata e bashkimit kombëtar, operacioni armik i dimrit, gjendja në prag të operacionit, Idrizi në ballë të luftës partizane në Malësinë e Gjakovës. Jepet mjaft gjërë Lufta Antifashiste në Tropojë pas operacionit armik të dimrit dhe të verës, zhvillimi i operacionit dhe në luftë kundër grabitjes së pasurive tona në minierat e kromit dhe përpjekja për lirimin e robërve të luftës që punonin në miniera.

Një vëmendje merr dhe lufta për çlirimin e Plavës dhe të Gucisë, mbrojtjen e shqiptarëve të Plavës-Gucisë, shqiptarët në dy fronte të ndryshme. Përshkruhet Heroi i betejës së Morinës më 5 shtator 1944, si dhe për mos vlerësimin e aktit heroik të Idriz Mulosmanit në betejën e 5 shtatorit në Morinë.

Një kapitull të veçantë zë roli i gij si drejtues i rëndësishëm në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Karriera e tij ushtarake nga komandant kompania në batalion, në komandant batalioni në brigadë, në operacionet luftarake në Kosovë. Vend zë dhe rritja e mbështetja e shqiptarëve të Kosovës për Lëvizjen Nacionalçlirimtare, në luftën kundër nazizmit përtej trojeve shqiptare, duke qenë komandant i formacioneve partizane një kuadër i rëndësishëm i ushtrisë.

Pas çlirimit të vendit Idriz Mulosmani është profesor në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, kryetar i komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit të Tropojës, deputet në Kuvendin Popullor, pastaj student në Fakultetin Ekonomik, zëvendësrektor i Institutit të Lartë Bujqësor, si dhe fletë nga historiku i këtij Institucioni.

Në fund të librit pasqyrohen betejat e fundit të jetës-lufta me sëmundjen, gjendja ekonomike e familjes, jepet një fragment i degës së Ali Mulë Osmanit të Krasniqes, si dhe familja e Idriz Rexhep Mulosmanit.

Monografia përfundon me recensën e Dr. Mujë Buçpapaj “Idriz Mulosmani, lufta e tij për të mbetur njeri”, një përshkrim mjaft dinjitoz dhe me vlera historike, si dhe përshkruhen monente kur Idriz Mulosmani bëhet “Qytetar Nderi i Bashkisë së Bajram Currit”, vlerësime shtetërore për Idriz Mulosmanin dhe një album me foto nga jeta e tij.

Pak fjalë për autorin dr. Nikollë Loka

Nikollë Loka ka lindur në Sang të Fanit në Mirditë më 25 mars 1960. Pas shkollimit në vendlindje, ka vijuar dhe mbaruar studimet e larta për mësuesi në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër në vitin 1983. Më tej ka kryer specializime pasuniversitare një vjeçare me shkëputje nga puna në Tirane dhe në Bruksel. Ka kryer një kurs katër mujor për marrëdhënie europiane në Bruksel. Fillimisht u bë Master në shkencat e edukimit, më tej Doktor i Shkencave në disiplinën Histori-arsimi dhe është anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave me qendër në Nju Jork.

Ka punuar mësues dhe drejtues në shkollën e mesme të Klosit në Mirditë në vitet 1982-1992, si dhe më pas mësues në shkollë të mesme në Tiranë. Ka punuar redaktor në gazetën “Politika”, pedagog i jashtëm në Universitetin “Aleksander Xhuvani” në Elbasan, drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli” me qendër në Tiranë.

Ai është autor dhe bashkautor në disa monografi shkencore, pjesëmarrës në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Si krijues është autor i dhjetë vëllimeve poetike në shqip dhe i tre vëllimeve poetike në italisht (dy prej të cilave me bashkautorë).

Dr. Nikollë Loka gjendet i përfshirë në antologjine “Poezia bashkëkohore shqiptare”, botimet “L’Hartmattan” Paris 2024. Poezitë e tij janë publikuar në gjuhët e huaja: italisht, anglisht, frëngjisht. gjermanisht, arabisht, rumanisht, suedisht dhe maqedonisht. Ai gjendet i përfshirë në Leksikonin e shkrimtarëve shqiptare në vitet 1501-2001, në botimet “Faik Konica” në Prishtinë në vitin 2003 dhe në Enciklopedinë e poetëve bashkëkohës të gjuhës italiane “Aletti Editore” në Romë në vitin 2021, si dhe në Fjalorin Enciklopedik të Mirditës, botimet “Emal”, Tiranë 2021.

Puna e tij është vlerësuar me Medaljen “Naim Frasheri” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në vitin 1984 “Për rezultate të larta në procesin mesimor-edukativ”, si dhe nga mjaft shoqata dhe qendra kulture me certifikata mirënjohje, etj.

Please follow and like us: