Albspirit

Media/News/Publishing

POETJA IRMA KURTI BOTOHET NË HOLANDË DHE BELGJIKË; AJO KA BOTUAR MBI 100 LIBRA NË ZHANRE TË NDRYSHME

Poetja Irma Kurti botohet përsëri në Holandë dhe Belgjikë. Libri i saj me poezi dygjuhëshe (holandisht- italisht) titullohet “Tijd om lief te hebben/ Tempo di amarci” (Kohë për t’u dashur). Ky është libri i dytë pas botimit në vitin 2023 të përmbledhjes poetike: “Met de ogen van een kind / Con gli occhi del bambino” (Më sytë e fëmijës). Vepra mban logon e shtëpive botuese: Boekenplan në Holandë si dhe Point Editions në Belgjikë. Përkthyesi i poezive është Germain Droogenbroodt, kurse kopertina është ilustruar nga Natalia Fernández Díaz-Cabal.

Shtëpia botuese Boekenplan dhe revista Mystiek & Filosofie në Holandëe vlerësojnë kështu krijimtarinë e poetes shqiptare: “Irma Kurti, një artiste e talentuar dhe e gjithanshme, është cilësuar  si një nga figurat letrare më të shquara të Shqipërisë. Historia e saj është një tregues i këmbënguljes dhe puna e saj mbresëlënëse i ka dhuruar çmime dhe vlerësime të shumta ndërkombëtare. Qysh në moshë të vogël, ajo e ka magjepsur botën me fjalët e saj. Poete, shkrimtare, tekstshkruese, gazetare dhe përkthyese shqiptare, Kurti e ka qysh nisur herët rrugëtimin letrar. Talenti i saj lulëzoi si një lule delikate, i ushqyer nga frymëzimi prej rrëfimeve të prindërve të saj të dashur, Hasan Kurti dhe Sherife Mezini, të cilët e kanë mbështetur dhe inkurajuar në çdo fazë të udhëtimit letrar.Poetja e talentuar, e lindur në Shqipëri, ka pushtuar zemrat e lexuesve me poezitë e saj të bukura. Përmbledhjet dygjuhëshe: “Met de ogen van een kind / Con gli occhi del bambino” dhe “Tijd om lief te hebben/ Tempo di amarci” ofrojnë një përzierje magjepsëse kulturash dhe emocionesh”.

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo filloi të shkruajë qysh në fëmijëri, duke krijuar një karrierë të suksesshme me botimin e mbi 100 librave me poezi, prozë dhe përkthime.

Për krijimtarinë i janë akorduar 90 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, SHBA, Filipine, Liban e Kinë. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhepërkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera në shtete të ndryshme të botës me libra të përkthyer dhe të botuar në 17 vende të botës.

Please follow and like us: