Dr. Eduard A. Skufi: Oazi i librit, sistem vlerash i braktisur dhe spektakli digjital
Refleksion
Mbetem në një meditim nostalgjik dhe trishtues kur vështroj braktisjen apo zhvendosjen e librit në mbretërinë e pluhurit. Në epokën e dominuar nga ekranet dixhitale me kënaqësitë e çastit dhe shvlerësimin e kohës, magjia dhe vlera e librit qëndron e pashlyer, megjithë imponimin e një status quo-je tjetër dhe vendosjen e të përditëshmes në një tjetër orbitë.
Gjenerata jonë në këtë sens ishte fatmirë, pasi ndodhej në një botë ku librat hapnin dritaret e dijes dhe të kulturës, duke jetuar mijëra jetë dhe figura, në një jetë. Kur dhurata më e çmuar ishte një libër, kur gjokset tona i zbukuronte dinstiktivi “Miku i Librit”, kur diskutonim me pasion personazhet e tyre, si Ana Karenina, Vronsky, Myshkin, vëllezërit Karamazov, Shishikovin, Gerasimin, Tartufin, Kuazimondon, Hamletin, Santiago, Gjeniun pa kokë, Lulin e vocërr apo plakën Nicë e shumë të tjerë, të cilët dhe sot i mbartim me vete. Sepse librin e kishim vendosur midis mendjes dhe shpirtit, për të gjetur lirinë e mendimit me vlerë, duke takuar ide të pavdekshme, që do të ndërtonin imazhin tonë me benefite të pallogaritshme.
…Dhe rrjedha e atyre kujtimeve episodike gërshetuar me ato semantike më çuan në fëmijërinë time. Ishin ditë të ftohta dimri rreth viteve ’60. Në kuzhinë pranë zjarrit, im atë ishte zhytur në faqet e librit “Storia dell’imperatore Napoleon I”, me autor A. Hugo (libër që destina ia vuri në dorë dhe në çastet e fundit të jetës). Here pas here na përkthente ndonjë mendim interesant, më kujtohet aforizmi “Imagjinata qeveris botën”… Mandej vendoste treguesin prej letre në libër, për të mos palosur fletët. Shpesh na bënte vërejtje kur nënvizonim në ndonjë libër ”Ruajeni me kujdes dhe mos e abandononi, thoshte, se është i vetmi mik që nuk të tradhëton”. Mandej kalonte në leximin e periodikëve të ndryshëm. Më bënte përshtypje fakti që vlerësonte revistën “Hosteni”. “Zbulon me guxim disa gjëra të padukshme dhe pikante mes humorit, që nuk i gjen në vend tjetër, veç asaj e përdor atë dhe si kamuflazh“, thoshte duke qeshur dhe në të kishte fshehur “Lahutën e Malcis” të Gj. Fishtës. Ai është një “gjigant i ndaluar”, nënvizoi me domethënie, duke tundur kokën dhe me zë emoconues shtoi: ”Kur ndan mendjen dhe shpirtin me të tjerët mbetesh në pavdekësi”. Ato fjalë më mbetën të skalitura në zemër. Unë mora në dorë kopertinën e ‘Hostenit’ ku fliste skica e një peme, gjysma e të cilës ishte plot gjelbërim dhe fruta, ndërsa gjysma tjetër me degë të thara dhe poshtë saj dicitura “Frytet e punës dhe ato të Dembelizmit”. Jo më kot im atë e ruante atë dhe si mjet didaktik duke përdorur alegorinë e saj për edukimin tonë. Në atë çast pashë shikimin e tij të menduar dhe mu kujtua diçka që do të më stigmatizonte në shpirt… Im atë ishte drejtor i shkollës “Naim Frashëri”, por tregonte kujdes të vecantë për pasurimin e bibliotekës së shkollës. Një mëngjez papritur mori urdhër që të hiqnin nga biblioteka, libra të autorëve sovjetikë dhe disa perëndimorë. Me inisiativën e saj sekretarja e partisë pa vonuar mblodhi librat dhe i vendosi në thasë. Im atë qëndronte larg duke tymosur cigaren i dëshpëruar. Papritmas pranë tij dëgjova në pëshpëritje me mllef, fjalën “inkuizicion”.
Ai ishte lakonik, por dhimbjen nuk e fshehu. Mbeta i ngrirë kur pashë nga dritarja thasët me libra që i hidhnin mbi një karro të komunales, për t’i ekzekutuar diku, “ekzekutimi i librit”… Rrallë e kisha parë tim atë aq të trishtuar e melankolik.
Kur përfundova me sukses gjimnazin dhe mu dha e drejta e studimit për mjekësi, ai më bëri dhuratë librin e E. Gordon ”Mjeku i tre kontinenteve”, me një autograf të bukur si në mendim dhe në kaligrafinë e tij të veçantë dhe admiruese. Ndërsa sot janë bërë dhuratë e çmuar një “smartphone apo një playstation”, (të paktën t’i bashkojnë atyre “Përrallat e Andersenit” apo filozofinë e “Odisesë”)! Jepini mundësi lartësimit të bukurisë etike dhe asaj mendore, qoftë dhe me librarinë elektronike (veç ajo privon kontaktin dhe aromën me fletët e librit, analogjikisht si skena e teatrit me filmin ).
Të mos harrojmë se Dante, Shekspiri, Molieri e të tjerë më pas, konvertuan asetin e tyre financiar në veprat e tyre, duke ndërtuar figura e karaktere. Ata nuk investuan në ndërtimin e kështjellave apo resorteve, pasi ishin të ndërgjegjshëm për forcën dhe pavdeksinë e fjalës së shkruar…
Duke iu referuar Dekartit citoj: “Leximi i librave me vlerë është si biseda me njerëzit më të shquar të shekujve të kaluar”…
Leximi të jep lirinë e mendimit, intuitën, të shvendos në një parajsë virtuale me potencial të pamatshëm, duke të mbushur kohën me vlera. Nuk personifikon një “modë arkaike” apo relikë muzeale. Po të fokusojmë në të njëjtën kohë një kafeteri në Vjenë, Paris dhe diku në Shqipëri, do të konstatojmë se në të parat shikojmë njerëz që shijojnë kafenë duke e shoqëruar me leximin e një libri, ndërsa në vendin tonë krahas kafesë i gjen me përdorimin maniakal të celularëve, apo në diskutim për të tjerët. Braktisja e librit ka si rrjedhojë deficitin cilësor intelektual. Kriza me e madhe, destruktive globale konsiderohet për të ardhmen, braktisja e librit. Eshtë kjo arsyeja që janë vënë në përdorim “biblioteka kinetike”, në panaire dhe në vaporë kruazierë me emra simbolike si “Logos Hope”, për të ankoruar në brigjet e vendeve në zhvillim, duke e kontaktuar kulturën me banorët përkatës. Libri dhe kultura mbetet binom i pandarë. Jeta pa libër është si e vërteta në eklips.
Mbetet detyrë për këdo, angazhimi për dije e kulturë me propagandimin e librit, për të rivendosur relatat “idilike” me të, (ironi e fatit ta sugjerosh këtë në shekullin e XXI, por më mirë vonë sesa kurrë). Problem që kalon cakun individual dhe bëhet social, mbase shqetësim i vonuar për një braktisje të pamerituar.
Duke i rekomanduar me durim dhe argumenta gjeneratës së re, formimin e dijes së vërtetë dhe kulturës së plotë, për të frenuar ndryshimet genetike të disleksisë dhe autizmit, çka reflekton në përmirësimin e koncentrimit dhe fokusimit, sidomos të fëmijëve. Dhe jo vetëm, por duke vlerësuar forcat rinovuese dhe terapeutike të librit, si dhe impaktin relaksues dhe spiritual. Përndryshe nëse e neglizhon dhe paragjykon atë vlerë, historia të penalizon. Referimi pikant i E. Fromm i thotë të gjitha: ”Dobësia biologjike e njeriut është gjëndja e kulturës njerëzore“…