Eduard A. Skufi: Shtegtimi i një gjeniu për në pavdekësi
Një kumt i pa autorizuar kur zemra nuk mund të heshtë…
Dr. Eduard A. Skufi, Athinë
Ajo ishte një ditë korriku e zakonshme, por që fshihte në mënyrë tinzare një të pazakontë të trishtë, në monohrominë e një surprize fatale. Në agimin e asaj ditë, klithma e një zemre mes aritmie delirante, tundi me forcë këmbanat e kobshme të mortit në rezonancë pa mbarim e objekti misterioz i mendimit u nënshtrua. 1 Korrik 2024 romancieri dhe iluministi i shquar, Ismail Kadare ndërron jetë, kalon në përjetësi. As mediumet, as astrologët nuk e parashikuan, sepse ishte e pakollajtë të deshifronin “kodin Kadare“, ai i përkiste një tjetër galaktike. Dhe në finalen e tij, ai shpalosi imazhin në figuracion, ku vera e nxehtë përvëlonte sarkën, ndërsa lajmi i ftohtë, kallkan, në kontrast ngriu zemrën dhe shpirtin e të gjithëve, që pikonte veç dhimbje dhe lot. Ndërsa gëzimi zvarritej në skutat e errta spirituale të ndonjë qënie njerëzore të pa shpirtë… Ike pa zhurmë, me dinjitet dhe me veçantinë tënde. Ike por mbete me veprën tënde madhore, që na dhurove ne dhe gjithë universit. Ku me stilin filozofik dhe artin fin alegorik përshkron misteret dhe enigmat e atij rendi tiran, hallkat misterioze të zinxhirit që lidhnin lirinë dhe që mbanin peng të ardhmen. Ike pa shumë fjalë, pasi ti flisje me veprën tënde.
Jeta të vendosi në rolin e një misionari, në një survivor atipik, për t’i dhënë dritë atyre ditëve pa diell! Ti si një Diogjen modern, pa zhurmë, me dritën e kandilit kërkoje njeriun, kërkoje virtytet, dhuroje ushqim shpirtëror dhe kulturë. Zhurmën dhe polilogjinë ja le atyre mediokërve meskinë, që si hije nate donin të zvenitnin dritën, me letra anonime dhe mail pas shpine. Ata që të njëjësonin, në përballje me gjitonin e “sokakut të të marrëve“, ata që mohonin kontekstin historik dhe figurën tënde komplekse. Nuk mund ta kuptonin ata, se ti dhe dritë në dy shekuj, kur ata nuk ndriçonin as shpirtin e tyre. Por ti e ngjite yllin e lavdisë dhe nderin e kombit, në kupolën e akademisë franceze të shkencave morale politike, ku të antarësoi elita franceze. I hape atdheut dritaren europiane duke treguar rrugën. Nëse Ptolemeu i dha emrin kombit, ti i dhe nder dhe reputacion. Në një afresk pikant shumëngjyrësh, historik dhe gjeografik, mbështete me talent, fantazi dhe kurajo letërsinë e vërtetë, pa zinxhir dhe kur mungonte liria. E le Parisin, “Café Le Rostand“ dhe “Jardin du Luxembourg“, more me veten nostalgjinë dhe sharmin parizien, atëherë kur tranzicioni penalizonte demokracinë, për të mos mbetur “të vonuar“ dhe utransferove në atdhe. Me projeksion të ideve të reja dhe një vizioni të rinovuar, me elokuencë të veçantë letrare, fokusuar kundrejt mentalitetit dhe kaosit primitiv. Të vetmen kontratë e bëre me ndërgjegjen tënde. Ti njeriun e thjeshtë e quajte Promete, por nuk denjove të dialogoje me ata tipa zhurmues. Ti ishe, je dhe do të mbetesh jo vetëm një gjeni, në magji letrare por dhe një illuminist, figurë poliedrike që vazhdimisht do të frymëzosh. Mendoj që brezi im ka një brengë, që nuk të tha në kohë “Faleminderit”. Të faleminderit, o i shquari Kadare, që na bëre bashkëkohës, me figurën dhe veprën tënde. Të faleminderit maestro që na ndriçove rrugën. Të faleminderit pendëartë që na bëre të harrojmë Eseninin dhe Dostojevskin, Heminguejn dhe Tolstoin, se i gjetëm tek ty. Ti ishe sintezë e satirës elegante të Nikollai Gogolit, në “Shpirtrat e vdekur”, i Franc Kafkës ekzistencialist filozofik, Xhorxh Orwellit fin dhe antitotalitar, mbase dhe i dikujt tjetër, duke u përpjekur me përkushtim e forcë intelekti dhe arti veçse për progres dhe emancipim social. Shumë emigrantë si unë, bashkë me fotot e prindërve, veprat e tua i ruajmë të shtrenjta dhe i konsultojmë si Biblën. Kjo verë–dimër e pamëshirshme të rrëmbeu fizikisht, por ti nuk u shove, le dritën pas. Le pas romantizmin, vlerat etike dhe estetike, gjithcka intelektuale dhe u vendose në pjedestalin e përjetësisë. Tani që fizikisht largohesh, në skenë mbetesh me imazhin krenar dhe observativ, por të pavdekshëm, mes relikesh në fluiditet, të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, me “Dimrin e madh”, me “Pallatin e Ëndrrave” ku ato konvertoheshin në utopi, dhe një mozaik veprash… I dhe një dimension të ri kulturës shqiptare dhe kombit dinjitetin e humbur! I ngrite kokën lartë shqiptarit të përbuzur dhe të fyer nga ironia e fatit. Dhe brezat e ardhme do të thonë: “Kur thua magji letrare nënkupton, kur thua filozofi fine, nënkupton, kur thua psikoanalist mes larmi figurash letrare nënkupton, kur thua dritë që ndriçon rrugën, nënkupton vetëm I. Kadarenë. Shtegëtimi i këtij gjeniu për në pavdekësi la pas veprën e tij, por dhe peripecitë dhe intrigat që e shoqëruan. Do të citoja sentecën e tij idiomatike “letërsia e madhe kalon mes ferrit“, duke i shtuar parafrazimin, “por herët a vonë e gjen rrugën për në parajsë”. Megjithatë, argumentet sado objektive qofshin, vëshirë t’i shmangen një perceptimi subjektiv… Nuk mund të të them, “Lamtumirë“, sepse do të ritakohemi në veprat e tua, mes virtualitetit tënd, unë bashkë me mijëra të tjerë, në një audience kozmopolite. Pra mbetet një “Faleminderit” nga zemra në pa mbarim, për ty i madhërishmi I. Kadare! À bientôt…