Albspirit

Media/News/Publishing

Migjeni ngriti rininë në luftë dhe u bë dëshmor i Atdheut

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Libri për Migjenin vjen nga Puka

Nga Puka e lashtë Iliro-Arbërore, në këto ditë dimri, më erdhi si dhuratë nga i palodhuri dhe i ndrituri Xhemal Meçi libri i botuar prej tij, “Migjeni dhe Puka”. Në këtë kohë të trazuara, njerëzit gjejnë kohë dhe sjellin libra me vlerë, nga vlerat që kanë lënë gjurmë në jetën e një populli, siç ishte dhe është Migjeni. Aty në Pukë, Migjeni gjeti lirinë, gjeti njerëzit e dlirë, e frymëzuan dhe i mësoi për ditët shpërthyese që do të vinin për këtë popull të etur për liri, përparim dhe dije.

Librin e Xhemal Meçit për Migjenin dhe Pukën e këndova, më mbushi me frymëzim dhe më njohu me përkushtimin e një populli për shkollim, për qytetërim dhe plotë vlera e atdhedashuri. Migjeni ju dha dije dhe ju mësoi gërmat e shqipes, por Puka i dha zemër dhe pastërti shpirtërore, e mbushi me frymë dhe i dha energji djaloshare. Nëpërmjet shkrimeve të mjaft figura të shquara patriotike, atdhetare dhe mësuesëve të nderuar, vjen Migjeni i rinisë dhe i dijes nga Puka.

Parathënia e librit e shkruar me ndjenja nga prof. Skënder Luarasi, ku Puka i dha vlera “më të mirat e pendës së tij të fortë”, si dhe të Angjelina Ceka mbesa e Migjenit që “rikthyen poetin e dhimbjes krenare në radhë të parë rinisë”.

Libri vijon me autoren Brunilda Spahiu, e cila bën një studim të veprës së Migjenit në 90 vjet shkrime (1934-2024), ku “Migjeni ishte yll i ri që po lindte në qiellin shqiptar”. Doc. Adriatik Kallulli, arrin në përfundimin se Puka i dha Migjenit “rreth 25 krijime nga më të fuqishmet e kuptimplotë…ai konceptoi vargjet e lira”.

Prof. Dr. Jup Kastrati, na njeh me vepra letrare të Migjenit të përkthyer në gjuhë të huaj e të botuar në gjermanisht, rumanisht, fërngjisht, ukrainisht, rusisht, në gjuhën kineze, në italisht, në Bullgari, në mongolisht, në lituanisht, në anglisht, në spanjisht, në turqisht, serbo-kroatisht etj., sa në lindje dhe në perëndim.

Prof. Dr. Shefik Osmani, e quan Migjenin poeti i dashur i rinisë, dhe miku i të rinjve. Dhe vërtet Migjeni frymëzoi të rinjtë dhe të rejat në Lëvizjen Antifashiste dhe u bë frymëzues në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Libri vijon me shkrime dhe kujtime nga mësuesi Sabah Sinani, si “ndihmesa e Migjenit për përhapjen e dijes në Pukë, nga Jaho Brahaj, për “të dhëna të reja nga jeta e Migjenit në Pukë” etj. Prof. Dr. Musa Kraja, në një këndshikimi tjetër sjell natyrshëm “mesazhet që marrim nga veprimtaria arsimore dhe krijimtaria e Migjenit”. Kurse Riza Tafilaku, që ka mundësuar botimin e parë në vitin 2001, na sjell në vëmendje studiuesi Robert Elsie i cili ju përkushtua veprës së pavdekshme të Migjenit.

Me interes është dhe materiali i shkruar nga studiuesi dhe kërkuesi Xhemal Meçi, rreth gjendjes ekonomiko-shoqërore të Pukës në vitet ‘30 të shek. XX, ku aty punoi, jetoi dhe krijoi Migjeni. Një risi sjell Abdullah Çanga, ku thekson se Migjeni erdhi në Pukë bashkë me “Vargjet e Lira”, ndërsa Shaban Halili, tregon se si Migjeni u kujdes për “festën e 28 Nandorin”. Momente emocionuse sjellin në libër dhe shkrimet e Qamil Morina “Migjeni, mësuesi ynë i ri”, Binak Alia “Migjeni na gjeti në shkollën e re”, Rasim Juniku “Migjeni merrte shumë letra”, Hysen Rr. Selmani “Migjeni tregoi interes që vajzat të vinin në shkollë” dhe Fran Vukaj “Faleminderit, Migjen!”.

Kujtimet e Lazer Radit e plotësojnë dhe e bëjnë më të plotë, të cilat japin vlera për Pukën në përshkrimet “një verë me Migjenin (1936), takimi me Migjenin, ditët e para në Pukë, në bibliotekën e Migjenit, me miqtë e Migjenit, Filip Ndocaj, Prend Radi dhe Prendush Gega, Nikë Kçira me Migjenin, Puka dhe Migjeni sipas tij”, etj.

Autori jep dhe një kronikë të jetës dhe të veprimtarisë së Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit (1911-1938). Gjithashtu një vend nderi zë dhe prezantimi për bujarinë dhe mirësinë e të ndriturit Kadri Morina, që e sjell Migjenin në të gjitha përmasat e tij, në një shkollë muze. Autori për t’u dhënë kënaqësi lexuesve ka zgjedhur nga krijimtaria e Migjenit: “Ekstaza pranverore”, “Vuejtja”, “Qershiat”, “Legjenda e Mistrit” dhe “Zeneli”.

Vargu i Migjenit ngriti rininë në luftë

Në vitet e stuhishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare gazeta “Kushtrimi i Lirisë”, në vitin e parë të saj në nr. 3-4, tetor-nëntor 1942, do të shkruante një artikull ku theksonte se “si një vegim i hovshëm, që ndez shpirtin në rrugën e luftës shpëtimtare, ashtu dhe Migjeni shkëlqen me flakë në kulm të shkrimtarëve të rinj të popullit tonë. Migjeni qe një artist i madh, qe edhe një njeri që mendonte thellë, që e ndjente gjer në thelb të zemrës. Migjeni qe i sinqertë dhe i pastër. Vargu i tij, fjala e tij, janë të qarta si ujët e burimit dhe të sjellin përherë një hov të ri”.

Migjeni vërtet i këndoi jetës së malësorit, por dhe kallëzoi jetën e qytetit. Ai e ka njohur popullin, ai ka njohur mirë e bukur dëshirat e tij. Migjeni nga vepra e tij, del se ishte një psikolog i hollë, realist dhe objektiv. Ai i këndoi mjerimit të zi, mjerimit të ashpër, shkroi tmerrin e urisë dhe vajin e njerëzve të pa bukë, pa punë, pa vetë me sytë e tij, vajin e nënës që s’ka qumësht për fëmijën në gji, e të vajzës së shitur, klithmën e fëmijëve që vdesin nëpër rrëza të shtëpive të shembura, etj.

Migjeni kishte dëshira si çdo i ri dhe çdo gjë që nxirrte pena e tij, këndohej me etje nga rinia, ndaj dhe vargu i tij, proza e tij, u bënë për Lëvizjen dhe Rininë Antifashiste frymëzim për të mbushur zemrat e tyre me vrull dhe për t’u çuar për t’u zgjuar për një botë të re.

“Njerëzit po kuptohen fare mirë” shkruante Migjeni dhe po kuptohen. Të gjithë po i japin krahun njeri tjetrit, të gjithë janë bashkuar në një. Migjeni e donte rininë të gjallë dhe të pa tronditur, të pathyer nga sulmet e vuajtjes: “Rini, thuaje këngës ma të bukur që di…/ Thuaja këngës t’ande që të vlon në gji”.

Migjeni e vinte re dhe e ndjente se ç’ishte rinia shqiptare, e dinte se ajo nuk do të binte në plogështi, por po të rronte do të shikonte rininë luftarake në zjarrin e luftës çlirimtare. Ndaj Migjeni në Pukë u forcua, u zhvillua, u bë më i thellë, e la mënjanë vuajten e sëmundjes së hidhur dhe ju vu punës përherë më me flakë, duke i kallëzuar punëtorit e bujkut se ku qëndron interesi i tyre e si duhet ta fitojë lirinë.

“Poeti i mjerimit” punoi me penë e me kalem, se ashtu e deshi koha, por ai ishte gati të rrëmbente dhe pushkën e t’u ngjitej maleve lart të Pukës dhe të Shqipërisë, si shokët e tij, për të mos i shikuar më rrotat e topave të ngulur në arat e fshatarëve dhe për të mos i dëgjuar më fëmijët të këndojnë kot.

“Është koha me ngrenë hekur…” ju bënte thirrje rinisë se lufta po vlon. Në vend të grurit ka mbirë hekur. Ndaj dhe “Kushtrimi i lirisë” shkruante se “kur të çlirohemi nga zgjedha, kur paqja dhe lumturia do të vijnë në fusha dhe male, atëherë do të dimë ta vëmë në vend veprën e Migjenit, do të dimë të ngremë atje ku duhet”. Migjeni ishte një nga luftëtarët që e deshi popullin e vet, që rrojti me të dhe u munduan t’i hapin sytë, t’i kallëzojnë jetën si është dhe ta prijnë në zjarr e flakë, për të shkatërruar themelet e vuajtjes…

Migjeni dëshmori i Atdheut

Me çlirimin e vendit, vepra letrare e Migjenit u bë e njohur. Vepra letrare e Migjenit është botuar në vitet 1954, 1957, 1961 dhe në vitin 1980 në Prishtinë. Në vite kanë dalë dhe botime të ndryshëm të tij. Kështu botimi i parë “Migjeni dhe Puka” u botua Shkodër në vitin 2001, me ndihmën e të ndjerit Riza Tafilakut, ish drejtor i Qendrës Kulturore të Pukës, që kishte 158 faqe me shkrime e foto dhe doli në 300 kopje, ndërsa botimi i dytë doli në vitin 2024 dhe ka rreth 180 faqe, i shtypur në 120 kopje. Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tij janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Ai është vlerësuar me titullin “Mësues i Popullit” në vitin 1957. Në vitin 1961 i jepet “Urdhëri i Lirisë i Klasit I”. Emrin e tij e mbajnë institucione si: Teatri “Migjeni” në Shkodër, Shkolla 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë, shkolla jo publike “Migjeni” në Durrës; Bulevardi “Migjeni” në Kashar, Tiranë; është ngritur bust në Shkodër për Migjenin dhe statuja në Pukë për “Migjenin me nxënësin e tij”; flota e aviacionit civil shqiptar ka emërtuar një avion “Migjeni”, etj.

Në enciklopedinë shqiptare, në fjalorin pedagogjik dhe në shkrime të vijueshme nuk shkruhet se Migjeni është cilësuar “Patriot i Rilindjes” dhe është shpallur dëshmor i Rilindjes me vendim nr. 129, datë 3 nëntor 1969 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Shkodrës. Në kartelën e dëshmorit shkruhet “Atdhetar i Vjetër” me nr. 131 dhe se “Zhvilloi veprimtarinë e tij letrare patriotike brenda atdheut. Migjeni është poeti që shprehu dufin dhe revoltën e masave popullore kundër shtypjes e mjerimit në regjimin e Zogut. Shkroi vargje e proza të pavdekshme që u botuan mbas çlirimit ne veprat e Migjenit. Vargjet e tij “Qeshu rini, qeshu, se bota është e jote” janë bërë të famshme”, të shkruar më datë 14.9.1984 nga Kryetari i Komitetit të Veteranve të rrethit, Hys Zaja dhe të plotësuara më datë 10 janar 1998 nga Kryetari i Komitetit të Veteranve të rrethit, Qemal Llazanji. Eshtrat e Migjenit janë vendosur në varrezat e dëshmorëve të Bashkisë Shkodër. Në 90 vjetorin e lindjes në vitin 2001, Bashkia e qytetit të Pukës i jep titullin “Qytetar Nderi”.

Please follow and like us: