DESHMIA E YMER BERBERIT, KRYETAR DEGE NË DREJTORINË E ZBULIMIT POLITIK TË SIGURIMIT TË SHTETIT
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË YMER BERBERIT, KRYETAR DEGE NË DREJTORINË E ZBULIMIT POLITIK TË SIGURIMIT TË SHTETIT, (ATASHUAR NË MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME), NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME, LUAN BEGA
PROÇES – VERBAL (DËSHMIE)
Tiranë, më 25 dhjetor 1982.
Unë Luan Bega, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, Ymer Berberin, i biri i Lutfiut dhe i Qerimesë, lindur në vitin 1937, në qytetin e Pogradecit, kandidat i PPSH-së, i padënuar ndonjëherë, me arsim të lartë ushtarak, punëtor në ndërmarrjen “21 Dhjetori”, banues në Lagjen Nr. 5. Rruga “Myslym Shyri”, Pallati 46/1, shkalla 6, Apartamenti Nr. 12, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale që kam për dëshmi të rreme, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH-së.
DËSHMITARI
Ymer Berberi
Dëshmitari mbasi u pyet, deklaroi: Duke qenë me punë në Drejtorinë e Tretë të Sigurimit të Shtetit, në muajin mars të vitit 1981, jam ngarkuar të shoqëroja Fiqret Shehun, e cila do të shkonte rreth një muaj në Paris, për vizita mjekësore. Kështu jemi nisur nga Tirana rreth datës 26 mars të vitit 1981 dhe me veturë kemi udhëtuar deri në Athinë, Greqi, ku qëndruam 3-4 ditë. Nga Athina me avion, jemi nisur për në Paris, ku kemi mbërritur nga data 1 prill 1981.
Gjatë kësaj kohe që kemi qëndruar në Paris, Jonuz Lutua që bënte pjesë në grupin e shoqërimit të Fiqret Shehut, së bashku me mua, Llesh Rrokun (mjek) e Farije Koçiun, më tha se kishte prerë biletat për të shkuar edhe në Austri dhe Suedi, por nuk e kishte vendosur akoma Fiqret Shehu, nëse do shkonte në këto vende.
Gjatë kohës që unë qëndrova në Paris, Fiqret Shehu është marrë kryesisht me vizita mjekësore e analiza në disa klinika të Parisit, bile kujtoj se në dy raste, ka shkuar edhe për të hequr kallot e këmbëve. Unë kam marrë pjesë në lëvizjet e saj nëpër Paris, qoftë për vizitat mjekësore apo shëtitjet e ndryshme, por në asnjë rast, nuk jam futur në dhomat ku ajo vizitohej nga mjeku. Gjatë vizitave mjekësore, ajo mbante pranë mjekun Llesh Rroku, i cili bisedonte edhe me mjekët francezë.
Në rastet kur Fiqret Shehu ka shkuar për të hequr kallot, unë mbaj mend se nuk është shoqëruar nga unë apo, persona të tjerë të grupit, mbasi ajo klinikë ishte fare pranë vendit ku banonim në Paris dhe merrte me vete Haxhi Tagën, që ishte punonjës i ambasadës tonë në Paris. Mbasi bëri të gjitha vizitat që pretendoi dhe analizat përkatëse, duke u vizituar edhe nga profesor Miliezi (në shtëpinë e tij), Fiqret Shehu urdhëroi të bëheshim gati për të shkuar në Austri, po prapë për t’u vizituar nga sytë.
Më ka bërë përshtypje gjatë qëndrimit në Paris, fakti se Fiqret Shehu, për ditë apo në çdo dy ditë, bisedonte në telefon me Mehmet Shehun në Tiranë dhe djalin e saj në Suedi, Skënder Shehun dhe kur bisedonte në telefon nuk pranonte njeri në dhomë, duke nxjerrë pretekste të ndryshme. Bisedat telefonike i bënte gjithmonë në orare të caktuara nga ata që e merrnin në telefon.
Në Vjenë qëndruam rreth 4 ditë dhe mbasi u vizitua nga mjekët përkatës sipas kërkesave të saj që ishin të shumta si dhe në Francë, Fiqret Shehu urdhëroi të niseshim për në Suedi, mbasi foli me Tiranën. Në muajin prill kur ishim në Paris, unë së bashku me Llesh Rroku, kemi shkuar nga Parisi në Stokholm të Suedisë, ku do të bisedonim për të caktuar mjekët ku do të vizitohej ajo si dhe vendin ku do të banonte Fiqreti.
Nga data 6 deri 7 maj 1981, nga Vjena kemi shkuar në Stokholm Suedi, ku na priti djali i saj, Skënder Shehu, Gani Kodra dhe personeli i ambasadës sonë në Suedi. Në Stokholm kemi qëndruar rreth 15 ditë, ose më pak. Fiqreti ka banuar në shtëpinë e djalit të saj Skënderit, ku banonte dhe Gani Kodra me gruan, ndërsa unë me mjekun dhe Jonuzin, në apartament tjetër, rreth 5 minuta larg apartamentit të Fiqretes.
Gjatë kohës që kemi qëndruar në Stokholm, Fiqreti bëri vizita mjekësore, që qenë po ato që bëri edhe në Paris. Në Stokholm mua më bëri përshtypje shumë, qëndrimi i Fiqretes, sepse ajo paraqitej shumë e shqetësuar dhe për më tepër vija re se ajo paraqiste një ndrojtje të habitshme ndaj Skënder Shehut, të cilit i bindej për çdo gjë.
Në Stokholm Fiqret Shehu bëri shumë vizita në vende piktoreske, muze, shkoi në opera dhe parqe të ndryshme. Në të gjitha këto vende, shoqërohej nga ne dhe punonjës të ambasadës, si dhe djali i saj Skënder Shehu e Gani Kodra. Gjatë shëtitjeve në vende të ndryshme piktoreske, si dhe në parkun e madh të Stokholmit, Fiqreti, kur ishte me djalin e saj Skënderin, shkëputej nga ne dhe bisedonte vetëm me të.
Më pranë tyre qëndronte vazhdimisht Gani Kodra, ndërsa personat e tjerë që merrnin pjesë në shoqërimin e saj, lëviznin grupe-grupe, herë para dhe herë mbrapa, sipas rastit, gjatë shëtitjes. Në Stokholm periferi, kemi qenë dhe në një piknik, si dhe kemi shkuar edhe në qytetin, Upsala. Me sa më kujtohet, nga data 21 maj, Fiqret Shehu u nis për t’u kthyer në Shqipëri, por duke u kthyer nga Danimarka.
Rrugën për në Danimarkë e kemi bërë me vetura, duke u nisur nga Stokholmi në mëngjes, dhe kemi qëndruar në qytetin Goteborg, ku fjetëm në Hotelin “Evropa” të atij qyteti. Në hotel “Evropa”, të Goteborgut, Fiqreti ka fjetur në një apartament që kishte dhomë e paradhomë. Nuk e kujtoj me ekzaktësi, se në çfarë pozicioni ishte apartamenti që fjeti Fiqreti.
Siç u mor me organizimin e vizitave turistike në Stokholm, edhe për hotelin në Goteborg, është marrë vetë Skënder Shehu, i cili e quante veten si përgjegjës dhe nuk bisedonte me asnjë tjetër nga ne, për itinerarin e lëvizjeve. Në Hotel “Europa”, (për atë natë që fjetëm atje), nuk kemi caktuar njeri që të bënte roje natën, sepse Gani Kodra na tha se do të kujdesej ai me Skënder Shehun. Të nesërmen e kësaj nate, do të niseshim për në Danimarkë, po duke udhëtuar me vetura.
Kështu në mëngjes, mbaj mënd se i tërë grupi që shoqëronte Fiqret Shehun në këtë udhëtim, përveç nesh dhe shokët e ambasadës sonë në Suedi, duke filluar nga Sekretari i Parë i ambasadës Kujtim Jaho e të tjerë, ishim të gjithë pranë makinave në hyrje të hotelit. Prisnim që të vinte Fiqret Shehu, e cila ishte së bashku me djalin e saj, Skënderin, në dhomë, si dhe Gani Kodrën, i cili ishte ose duke pritur ata diku brenda në hotel, ose duke shlyer llogaritë, këtë nuk e kujtoj saktësisht, por që doli me vonesë nga hoteli edhe ai, kjo më kujtohet mirë.
Mbasi Fiqreti u nda me djalin dhe ai gati pa u përshëndetur me ne, u largua, u nisëm për në Danimarkë. Në Danimarkë ne kemi qëndruar një natë dhe me avion shkuam në Romë, e prej aty në Tiranë, rreth datës 26 ose 27 maj 1981.
Sa thashë janë të vërteta dhe mbasi i lexoj dhe i gjej se janë shkruar drejt, i nënshkruaj.
Dëshmitari Hetuesi
Ymer Berberi Luan Bega