Zana Tako: Kopshti i trëndafilëve
Aroma e trëndafilave në kopësht, më ftonte të ujitja lulet erëmira që kundërmonin si të donin të ngushëllonin shpirtin tim atë natë. Petalet e buta përcillnin ndjesinë e ëmbëlsisë nëpër gishtat e mi. Po prekja dashurinë, aromën e saj, po flisja me të.
Ujitja lulet dhe ndjeja gjallërinë që përcillej nëpërmjet freskisë. I shihja si përpëliteshin nëpër stërkalat e ujit që ëmbëlsonin lulëzimin e tyre. Çdo lule e kopshtit përcillte aq shumë kujtime…
Aromë e trëndafilit… përse trokite sonte në shpirtin tim? Mike e mirë, ti e njeh gjuhën e shpirtit sepse e do dashurinë. Aromë që çlodh kur prek, që ëmbëlson kur ndjen… të prek e ti më flet. Por ç’të të them më parë, kur shpirti kërkon shpirtin për të folur? E bëhesh ti shpirt dhe flet me mua. Por a mund të flas me aromën tënde moj lule erëmirë, tek përcjell brenda meje fjalën e ëmbëlsisë tënde? Aromë petalesh që përkëdhelni shpirtin tim të lodhur këtë natë… Unë po të freskoj tek kërkon me heshtjen tënde të ngopesh prej duarve të mia, sepse ke etje të freskosh damarët e tu. Ndjej qenien tënde tek më flet me gjuhën e dashurisë, me tinguj që përkëdhelin shpirtin, sepse po jeton, e nëse të sheh shpirti im, më sheh edhe ti.
Ti më ndjeve kur u ula pranë teje dhe nisa rrëfimin tim, me të cilin nuk dua të të lëndoj sepse vyshkesh, sepse lëndohet aroma e dashurisë tënde, ndaj po i fshi lotët me aromën tënde, sepse e di që nuk e do dhimbjen.
Loti u shkëput prej syrit tim dhe ra mbi petalen tënde, tek u përthith me shpejtësi dhe nuk kuptova, ishte loti i shpirtit tim apo pika e freskisë tënde që u shkrinë me njera-tjetrën, e mbetën si pikat e vesës që lajmërojnë agimin e ditës së re.
Kishte kaluar kohë dhe unë isha në kopështin e trëndafilave të mi, duke folur me lulet e shpirtit tim, të cilat më fshehën brenda ëmbëlsisë së tyre, tek fashitën lodhjen e mendimit atë natë. Gjuha e dashurisë më fshehu mes petaleve të trëndafilëve erëmirë, dhe unë u shndërrova në trëndafil, në aromë, në degëz. Ishte dashuria që përcillte brenda meje aromën e saj, tek u tret brenda mendimit të jetës që lulëzonte në atë kopsht. Ajo copëz jete u shndërrua në livadh me dashuri, u shndërrua në jetë që nuk kërkon fjalë për të folur, por nxjerr tinguj që mbytin dëshpërimin, dhe unë zbulova sekretin atë natë, tek u fsheha mes petalesh, e fola me gjuhën e shpirtit me dashurinë, e cila më gjeti kur e kërkova.
Gjuha e saj pëshpëriste brenda meje. Ndjeja aromën e freskisë së mendimit, se loti nuk i shkon bukurisë, se lotët e vrasin dashurinë, e unë nuk kisha më lot. Loti u shndërrua në aromë brenda meje.
Nuk isha më unë, por aroma e dashurisë, që ndërtonte brenda shpirtit tim në trajtën e trëndafilëve një mendim të ri, se jeta është e bukur, si ky kopësht që çel e lulëzon në çdo ditë të re me dhuratën më të çmuar të dashurisë!